Ministria e Diasporës me çmim për gazetari

Diaspora

Ministria e Diasporës me çmim për gazetari

Më: 15 prill 2015 Në ora: 13:18

Ministria e Diasporës, në kuadër të implementimit të planit të veprimit për vitin 2015, në shërbim të ruajtjes së identitetit dhe fuqizimit të lidhjeve me diasporën, për herë të parë e themelon Çmimin vjetor për shkrimin/ kronikën ose emisionin më të mirë për diasporën. Themelimi i këtij çmimi ka për qëllim promovimin e iniciativave, aktiviteteve dhe vlerave të diasporës në mediet kombëtare dhe ato ndërkombëtare.
Me këtë rast, Ministria e Diasporës i fton gazetarët e të gjitha trevave shqiptare që me shkrimet e tyre, reportazhe, emisione radiotelevizive, përkatësisht me kronikë televizive ose kronikë në radio të konkurrojnë në konkursin për çmimin “Shkrimi/kronika ose emisioni më i mirë për diasporën”.
Shkrimet/ kronikat, përkatësisht emisionet duhet të kenë për temë çështje që lidhen me diasporën në fusha të ndryshme (arsim, kulturë, ekonomi, sociale).

Çmimi do të jepet në këto kategori:
Çmimi për kronikën në TV-radio ose për emisionin më të mirë për diasporën, në vlerë 1000 euro;
Çmimi për shkrimin më të mirë për diasporën në mediet e shtypura/portale informative, në vlerë 700 euro.

Kushtet:
– të jetë shkrim i botuar gjatë vitit në mediet e shkruara (ose elektronike) – emision/kronikë televizive ose radiodifuzive;
– t’i jetë kushtuar aktivitetit të diasporës shqiptare;
– të ketë vlera afirmative dhe mesazhe që i kontribuojnë fuqizimit të diasporës dhe rolit të saj në ndërtimin e shtetit të Kosovës;
– të nxitë interesimin e diasporës për të investuar në Kosovë.
Përzgjedhjen e shkrimit më të mirë, përkatësisht kronikën ose emisionin më të mirë do ta bëjë një komision që do të përbëhet nga njerëz kompetentë të fushës së gazetarisë.
Shkrimet/ kronikat duhet të dërgohen me zarfe të mbyllura (Kronikat të jenë në CD) . Në zarf të shënohet titulli i konkursit, ndërsa brenda tij duhet të jenë të dhënat personale të autorit dhe media në të cilën është botuar shkrimi.
Konkursi do të jetë i hapur nga data 15 prill deri më 15 qershor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat