Bizneset marrëveshje të investojnë në Kosovë, ProCreditBank u ofron kushte si në Gjermani!

Diaspora

Bizneset marrëveshje të investojnë në Kosovë, ProCreditBank u ofron kushte si në Gjermani!

Nga: Vllaznim Kelmendi Më: 14 prill 2015 Në ora: 13:41

Unioni i Biznesmenëve shqiptarë në Gjermani ka ndarë 34 bursa për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Unioni i Biznesmenëve shqiptarë në Gjermani të shtunën mbajti takimin e radhës në Republikën e Baden-Württemberg në "Da Sigmona Graf Zeppelin Platz 471034" në qytetin e Böblingen.
Në këtë takim nga Unioni ishin të pranishëm: Kryetari z.Ejup Berisha, nënkryetari i Unionit z.Gani Nuha, drejtori Financiar i Unionit z.Vllaznim Kelmendi, Sekretari i Përgjithshëm z.Nexhmedin Veliqi, anëtarët e kryesisë: Mustaf Abazi, Ilaz Delia, Nexhat Hyseni dhe z.Zenun Krasniqi, i cili është edhe koordinator i Republikës së Baden-Wörttemberg dhe njëherit nikoqir i këtij takimi.
Në këtë takim ishin të pranishëm një numër i madh i afaristëve mjaft të suksesshëm shqiptar në Gjermani.
Në këtë takim kryesisë së Unionit ju bashkuan edhe 20 afarist të tjerë, të cilët udhëhiqnin firma gjermane.
Hapjen e takimit e bëri z.Zenun Krasniqi koordinator dhe nikoqir i takimit, i cili i informoi të pranishmit rreth punës dhe veprimtarisë së Unionit. Menjëherë pas hapjes, fjalën ia kaloi kryetarit të Unionit z.Ejup Berisha, i cili tregoi se qëllimi i Unionit është të bëjë bashkë të gjithë afaristët shqiptar në mbarë Gjermaninë dhe të gjithë së bashku të investojnë në Kosovë, mirëpo duke mos përjashtuar mundësinë e investimit edhe në Gjermani.

ProCreditBanka ju ofron bizneseve kredi me kushte të Gjermanisë!

Z.Berisha fillimisht tregoi historikun e krijimit dhe të veprimtarisë së Unionit deri më tani. Ai tregoi se Unioni u themelua para një viti e gjysmë në Köln, dhe menjëherë kjo organizatë ka filluar të veprojë. Pikënisja e parë pas themelimit të Unionit, ishte puna intensive për informim dhe për të arritur një shtrirje sa më të madhe, më tërësore në Gjermani, duke i bashkuar afaristët shqiptar rreth një qerthulli veprimi e bashkëpunimi. Pas hedhjes së këtij hapi të rëndësishëm, është vazhduar me krijimin e projekteve dhe realizmin e tyre. Berisha tha se Unioni fillimisht ka bërë ndarjen e 34 bursave për studentët e Universitetit të Prishtinës, për të ndihmuar sado arsimimin në Kosovë dhe duke krijuar për disa familje lehtësi në mbajtjen e fëmijëve në edukimin e lartë.
Por, sipas Berishës, suksesi më i madh dhe më profitabil për rrjetin shqiptar të bizneseve është arritja e marrëveshjes me ProCreditBank-ën, e cila ua mundëson afaristëve nga Gjermania, investitorë në Kosovë, që të marrin kredi nga kjo bankë me kushte, përkatësisht interesa bankare sikurse ofrojnë bankat në Gjermani për zhvillimin e bizneseve.
Z. Berisha tregoi edhe për marrëveshjet e krijuara me Odën Ekonomike të Kosovës dhe marrëveshjet tjera të bashkëpunimit të arritura me institucionet e Kosovës.
Ndërsa, koordinatori i Unionit në këtë Republikë njëherësh edhe anëtar i kryesisë së përgjithshme të Unionit z.Zenun Krasniqi tha para të pranishmeve se nuk është e rëndësishme vetëm të investohet në Kosovë, por edhe të gjendet bashkëpunimi me Qeverinë dhe institucionet e Kosovës, të cilat bashkëpunime do t’ju mundësojnë lehtësi në investime, pra krijimin e kushteve të favorshme për zhvillim të biznesit.
Njëri prej anëtarëve, z.Gani Nuha nënkryetar i Unionit, ka bërë investime në shumën prej 25 mijë euro në Kosovë, në Shalë të Bajgores, një investim ky i bërë në bashkëpunim me afarist të tjerë.
Më tej, z.Kelmendi, drejtorin financiar të Unionit e pyetëm se çfarë mund të na tregojë rreth organizimit të kongresit që do të mbahet me 25 prill.
Vllaznim Kelmendi: Unioni i Biznesmenëve Shqiptar në Gjermani është një rrjet i organizuar nga firma të ndryshme gjermane me pronar Shqiptar. Ne jemi duke u përgatitur për kongresin të cilin do ta mbajmë me 25 prill ku do të jetë njëri nga kongreset më të mëdha të organizuara deri më tash. Në këtë kongres do të jenë të pranishëm: kryeministri i Kosovës z.Isa Mustafa, kryeministri i Shqipërisë z.Edi Rama, ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z.Blerand Stavileci dhe ai i Shqipërisë Arben Malaj, Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë z.Steinmeier dhe kryetari i qytetit të Köln-it, përveç këtyre do të jenë edhe një numër i madh i afaristeve të cilët kanë treguar suksese të mëdha në fushën e biznesit në Gjermani.
Takimi i mbajtur ishte mjaft profitabil ku u informuan të pranishmit për qëllimet e Unionit dhe shtrirjen e tij.
Takimi u mbajt në njërin nga restorantet më me namë në Republikën e Baden-Württemberg me pronar shqiptar z.Asllan Krasniqi.
Unioni i Biznesmenëve Shqiptarë është një mundësi e mirë e bashkimit të afaristëve Shqiptar në Gjermani. “Bota sot”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat