Roli i mërgatës në arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

Diaspora

Roli i mërgatës në arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

Nga: Shkruan: Rexhep ELEZAJ Më: 31 mars 2015 Në ora: 21:46

LDK-ja në Gjermani së bashku me degët e saj në perëndim, SHBA, Kanadë dhe Australi ishin promotori kryesor në arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës..!

Nuk ka dyshim se mërgata politike, patriotike dhe intelektuale më ndihmën e krahut të punës arriti të jetë e bashkuar rreth një qëllimi kombëtar, që nga SHBA-të, Kanada dhe deri në Australinë e largët, ku përmes degëve të LDK-së të koordinuara nga Kolegjiumi i degëve të saja më seli në Gjermani, u bënë padyshim urë lidhëse mes Kosovës dhe shteteve më të fuqishme të botës. Pra, shumica e degëve përveç organizimit të mërgatës luanin rolin e përfaqësimit diplomatik si dhe krijimin e urave të miqësisë më popujt dhe vendet ku vepronin, gjë që në shumë parlamente të botës perëndimore për një kohë të shkurt arritën të fitojnë miq dhe përkrahës të Kosovës dhe pavarësisë së saj. Me fjalë tjera, degët e LDK-së veç organizimit të tyre të brendshëm luajtën një rol të veçantë edhe në internacionalizimin e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti.
Se roli i mërgatës në proceset politike që kanë çuar në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës pas gati 100 viteve nga pavarësia jonë kombëtare më 28 Nëntor 1912, lirisht mund të thuhet, se pa ndihmën dhe kontributin e saj gjithëpërfshirës, vështirë se do mund të çlirohej dhe pavarësohej, sepse dihet mirëfilli se bazat e veprimeve dhe marrjes së vendimeve kyçe për realizimin e pavarësisë, kanë qenë pikërisht në radhët e mërgatës, siç ishte Dega e LDK-së, gjegjësisht Zyra e Kosovës në Shtuttgart.
E themi këtë për hir të vërtetës historike dhe politike dhe jo për ndonjë arsye tjetër, meqenëse rrethanat në Kosovë asokohe ishin tepër të vështira, madje të pamundshme për veprim të lirë politik, ngase ajo ishte ripushtuar nga forcat çetnike-kriminale të ushtrisë dhe policisë serbe (1989-90), ku angazhimi politik i LDK-së, si partia e parë në Kosovë, për shkak të masave represive, përndjekjeve politike dhe burgosjeve, etj, veprimtarinë e saj si dhe marrjen e vendimeve më peshë politike e bënte pothuajse të pamundur.

Njëra nga qindra demonstratat që i kishte organizuar në Perëndim LDK-ja më degët e saj nëpër botë..

Prandaj, për këto arsye si dhe shumë shkaqe tjera politike dhe ekonomike të cilat e vështirësonin jetën dhe angazhimin politik për çuarjen përpara realizimin e pavarësisë, pothuajse gjitha vendimet politike për Kosovën do merreshin në Kolegjiumin e degëve të LDK-së për tërë diasporën më seli në Shtuttgart. E themi këtë fakt ende të pa analizuar sa duhet për të sqaruar, sado pak, rolin e mërgatës tonë politike e cila më shumicë dërrmuese vepronte politikisht dhe kombëtarisht në kuadër të degëve të LDK-së kudo në Evropë, SHBA dhe botë, në koordinim të plotë më strukturat e saja udhëheqëse në Prishtinë dhe Shtuttgart.
Kështu që duke vepruar gati e tëra nën një çati politike, mërgata jonë në mënyrë shumë të denjë u kyç në frontin gjithëkombëtar, duke e ndihmuar procesin shumë të vështirë të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, ku roli i saj ka qenë dhe do mbetet historik, si për nga pesha politike, ashtu edhe për nga angazhimi i saj praktik në grumbullimin dhe dërgimin e ndihmave financiare dhe materiale për luftën tonë çlirimtare si dhe mbajtjen gjallë të popullatës në Kosovë.
Pra, roli i mërgatës në pavarësimin dhe çlirimin e Kosovës nga okupimi gjenocidal serb ka qenë i pazëvendësueshëm në çdo aspekt të organizimit, duke filluar nga ai nëpër degë, nëndegë dhe aktive e deri tek organizimi i qindra protestave dhe demonstratave anë e kënd botës, përmes të cilave u thye heshtja dhe qëndrimi negativ mbi njëshekullor i Evropës “plakë” kundrejt kërkesave të drejta të dy milion shqiptarëve për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Pra, të shkruash për rolin e mërgatës sonë politike në periudhën më të vështirë që ka kaluar Kosova dhe shqiptarët, siç ishin vitet 1989-1999, është detyrë patriotike si dhe obligim moral, ngase aq shumë është punuar në radhët e saj për realizimin e aspiratave tona kombëtare, saqë për rolin historik të saj do duhej të shkruheshin më qindra libra si dhe të xhiroheshin më dhjetëra filma dokumentar, në mënyrë që gjeneratave të ardhshme t’iu thuhet e vërteta për rolin që e ka luajtur mërgata në arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si shteti i dytë shqiptar në Ballkan, i cili domosdo se një ditë jo të largët do të bashkohet më shtetin amë, Shqipërinë etnike..!!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat