Bajram Curri

Diaspora

Bajram Curri

Nga: Rukie Rama Më: 30 mars 2015 Në ora: 18:14

Thesari popullor është thesari më i pasur që ekziston në botë. Është krejt normale pasi Zoti e ka pajisur njeriun me mendjen e mendja e njeriut krijon çdo gjë në të mirën apo në të keqen e vetë njeriut. Shpesh në Malësinë e Gjakovës përdoret një shprehje : lisi i madh nuk rrëzohet kollaj, duhen shumë forca për ta rrëzuar, shumë sopata të mprehura mirë, e për më tepër pishat të cilat rrënjët i fusin aq thellë nëpër shkëmbinj sa përballojnë shumë furtuna. E ndoshta edhe plaku i maleve, Bajram Curri, zgjodhi jo pa qëllim shpellën e Dragobisë që ta kishte për banesë në orët e fundit të jetës së tij. Shqiponjat jetojnë në lartësi, shqiponjat ushqehen me puhitë e bjeshkëve, ndërsa sorrat kakarisin në ultësitë e vendit. Shumë lavde meritoi plaku i maleve, shumë këngë dhe elegji i thurën për të, në shumë oda burrash u bë lajmotiv bisedash dhe frymëzues heroizmi. Ishte i biri i Shaqir Agës, i cili e kundërshtoi pushtimin turk dhe u burgos nga turqit pikërisht nga kjo kundërshti. Bajram Curri kishte lindur ditën e Bajramit siç dëshmohet nga emri, që në fëmijëri ai u edukua ndenja e atdhedashurisë. Ai e kishte më për nder të luftonte maleve të vendit të vet për të ruajtur të paprekur kufijtë nga pushtuesit e huaj që e lakmonin Shqipërinë që Zoti e privilegjoi me gjitha të mirat që mund të ketë një vend. Prandaj preferoi gjatë gjithë kohës të luftonte me pushkë në dorë në mbrojtje të vendit të tij.
Edhe Bajramin e befasoi të vrarët e tij nga vëllezërit e tij, Krasniqasit, Xhufe Sylja, një bijë Bytyçi dhe grua Gegëhyseni u ndodh në Kolgecaj (sot qyteti Bajram Curri) kur po zbrisnin nga Dragobia trupin e Bajram Currit të vrarë. Ishte një vajtore e dëgjuar, ishte një trimëreshë e madhe. U del përpara njerëzve që po shoqëronin trupin e vdekur, u kërkon leje me shumë mirënjohje duke u thënë: - Ule njëherë atë burrë, t'ja them dy fjalë dhe si një poete e lindur, një trimëreshë që si shkrepi syri, nuk u tremb nga zagarët që ishin rreth e qark që prisnin të shikonin ç'po ndodhte, e bindur që këtë po e shoqëronin burrat e malësisë i ulet tek koka, i përkëdhel ballin si një Ajkunë dhe i thotë:
"Ajo pushkë Beg që të mori ty, mori malësinë shpi për shpi, Gash, Bytyc e Bytevi, mori Kosovën bri në bri". Vajtorja trimëreshë ndonëse u kërcënua nga disa xhandarë, nuk iu tremb syri dhe u nis mbas këtij karvani që të shoqëronte dhe kjo deri në fisin e vet Bytyç, ku kishte dhe gjininë e vet. Është karakteristike siç e kanë përshkruar njerëzit e asaj kohe, Bajram Begun e kishin vënë në kalë me gërshërëza (mbajtëse prej druri të bëra nga malësorët), që mos të dukej i shtrirë ai trim ,
duke kaluar mësipërmes Krasniqes, Bytyçit, Hasit për ta dërguar në Krumë ,aty ku kishte qenë dhe dëshira e tij për të pasur banesën e fundit. Siç shpjegohej, nga çdo fshat ndonëse fanatizmi ishte atëherë i madh, gratë e vajzat në grupe-grupe mblidheshin anës rrugës dhe e qanin këtë shqiponjë që e vrau pabesia. Numri i burrave dhe djemve që e përcillnin u bë aq i madh sa njerëzit tregonin, nga çdo fshat shkëputeshin turma të tëra për ti bërë respekt këtij plaku të maleve për në banesën e fundit. Në një këngë popullore thuhet: "për këtë plak mos kini dert, se unë i bëra 60 vjet, por u shkel shkau vjet për vjet".
Vallë a nuk kishte mundësi që dhe ky të rrinte në sarajet e veta në Gjakovë, të shijonte jetën me familjen e vet, por jo jo ishte më i shtrenjtë se çdo gjë Atdheu, liria e tij. Nuk pranoi para dhe salltanete, të lyera me poshtërsi tradhtie, por preferoi jetën e vështirë, maleve dhe shpellave, tamam
sikur shqiponja në mbrojtje të Atdheut të vet. Shumë e fortë është elegjia e Fan Nolit që thotë: ‘Thonë u shtri e thonë u vra, por ti s'vdiqe o baba, as tek shpella e Dragobisë as te zemra e djalërisë’.
Pra, çfarë i lidhte këto dy figura, njëri simbol i myslimanizmit e tjetri një ortodoks, por të dy shqiptarë, të dy të gjakut ilir, të dy me një ideal që Shqipëria është e shqiptarëve dhe u takon vetëm atyre. Ata ishin për lirinë e Shqipërisë. Po përdor një shprehje të të madhit Uashington që thotë:
"Liria, kur fillon të hedh rrënjë ,është si një pemë që lulëzon menjëherë. E për të hedh rrënjë një pemë duhet të mbillet, të ujitet dhe të kujdesesh gjithnjë për të". Një i mençur thotë:
Historia është dëshmitarja e kohëve, drita e së vërtetës, mësuesja e jetës, lajmëtarja e lashtësisë.
Pra në këtë 90 -vjetor të vdekjes së Bajram Currit duhet të kujtojmë se ai ishte një njeri që luftoi, jetoi dhe vdiq vetëm për Atdhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat