Nëpërmjet artit me 13 shfaqje që të ndihmohet Shkëlqim Zimberi

Diaspora

Nëpërmjet artit me 13 shfaqje që të ndihmohet Shkëlqim Zimberi

Më: 30 mars 2015 Në ora: 16:32

Gjithandej tokave shqiptare, thuajse çdo ditë dëgjojmë lajme jo të mira të të gjitha llojeve, por edhe këto lajme na rrëqethin trupin, kur prindërit nuk mund dot ta ndihmojnë fëmijën e tyre, që t’i mbijetojë ndonjë sëmundjeje të rëndë. E dimë gjithashtu të gjithë se si është gjendja ekonomike e sociale në Atdheun tonë. Ka familje që mezi e sigurojnë kafshatën e bukës, e të mos flasim që mund t’ia sigurojë një shumë të madhe të hollash, që fëmijën ta shërojë jashtë vendit. Ai prind, sigurisht që as gjumë nuk mund të bëjë rehat. Vërtet janë emocione të papërshkrueshme, e këtë mund ta kuptojë më së miri ai që e ka provuar apo që është në këtë situatë. Kërkohen shuma të mëdha parash nëpër mediat tona për X-rastin e kështu me radhë. Vërtet janë të rënda, vërtet janë të dhimbshme dhe e pamundur që ndokujt të mos i mbushen edhe sytë me lot. E kush ka mundësi të ndihmojë, pa dyshim se edhe ndihmon, por ata që nuk mund vetëm urojnë dhe luten për shërim. E kjo është jeta, ta shikosh fëmijën duke luftuar me vdekjen dhe të mos kesh mundësi ta ndihmosh, jo me fajin tënd, por me kohën që po e kalojmë. Por, populli ynë si gjithmonë është treguar solidar në forma të ndryshme dhe është munduar që t’u ndihmojë atyre që kanë nevojë. Pa dyshim se mërgata ishte e para në këtë drejtim dhe është, duke i ditur edhe mundësitë që i ka.


13 shfaqje, 13 përpjekje për ndihmë

Është një bashkëkombës yni, Shkëlqim Zimberi, që jeton në Maqedoni, në një sgjendje të rëndë shëndetësore dhe për të cilin duhet një shumë e konsiderueshme, që t’i shpëtojë më së keqes. Janë Grupi Teatral «Aktrimi», që për 13 herë me radhë gjatë kësaj kohe po jep shfaqje në gjithë Zvicrën që të grumbullojë të paktën disa të holla dhe ta zbusë kërkesën që është e nevojshme për personin në fjalë. Janë aktorët e nderuar, Veli Berisha, Ramadan Morina, Yllka Zuzaku-Mustafa, Fikrim Morina, Xheneta Zuzaku-Xhinxha, Avdi Amidi dhe Veton Ibrahimi që nuk po ndalen. Ata po aktrojnë shfaqje, por, në anën tjetër, kanë edhe dhimbje, e ndiejnë dhimbjen, sepse e kanë një mision të shenjtë, që ta ndijmojnë Shkëlqimin.

Pas shumë qyteteve të ndryshme nëpër Zvicër, ata dje, në vend se të pushojnë, apo t’ia kushtojnë familjes një ditë pushimi, me stres e me vrap drejt Grenchenit-Solothurn për të dhënë shfaqjen, që ndoshta të mbledhin të holla dhe t’i përcjellin për në Kumanovë.

Fundmarsi i bujarisë dhe zemërgjerësisë

E diela e 29 marsit thuajse për të gjithë bashkëkombësit tanë ishte ditë pritjeje për ta përcjellë ndeshjen e futbollit të Kombëtares sonë kuqezi, që do të luante me Armeninë, nga ora 18:00, në Elbasan. Kishte edhe mërgimtarë që kanë shkuar enkas në Shqipëri për ta përcjellë atë, e disa të organizuar nëpër ambiente të ndryshme, por edhe nëpër familje, ndërsa ky grup teatral e kishte një mision tjetër, mision fisnik, jo pse nuk janë adhurues të futbollit, apo përkrahës të Kombëtares kuqezi, por dëshironin që sa më shpejt të përcillet ajo shumë e nevojshme që Shkëlqimi të shërohet dhe ai pastaj të përcjellë ndeshje të tjera. Një ditë me shi, një ditë e ftoftë e këtij fundmarsi tregon ndoshta edhe zemrat e bamirësve që janë të trishtuar me lajme të tilla. Por, bamirësit nuk ndalen, ata gjithnjë sytë dhe zemrën e kanë se si të ndihmojnë, prandaj edhe sot kishte disa që ishin mbledhur për ta përkrahur këtë ekip të aktorëve dhe njëherësh të kontribuojnë për Shkëlqimin.

Grencheni ishte mikpritës për shfaqjen në fjalë, e aktorët pritnin mos po vijnë kësaj here më shumë mërgimtarë. Veli Berisha, Ramadan Morina, Yllka Zuzaku-Mustafa, Fikrim Morina, Xheneta Zuzaku-Xhinxha, Avdi Amidi dhe Veton Ibrahimi, të shoqëruar edhe me familjarë të tyre, ishin me plot emocione, duke shpresuar se salla do të mbushet. Kjo shfaqje ishte paralajmëruar ditë më parë se do të fillonte në orën 17:00, por për shkak të ndeshjes së futbollit, Shqipëri-Armeni, ajo ndodhi më herët. E për këtë ishin lajmëruar edhe bashkatdhetarët tanë të Kantonit Solothurn, por ja që nuk ishte ashtu siç ishte pritur që të mbushej përplot me dashamirë të artit.

Nëpërmjet artit ndihmohet bashkëkombësi

Ky është një mision humanitar dedikuar shërimit të djaloshit kumanovar, Shkëlqim Zimberi. Por, nga aktorët, para shfaqjes, u tha se të gjithë ata afaristë apo të interesuarit mund të paraqiten në këta numra telefoni: Ramadan Morina +41 76 268 25 76 dhe Avdi Amidi +41 76 220 18 36. Aktorët Veli Berisha, Ramadan Morina, Yllka Zuzaku-Mustafa, Fikrim Morina, Xheneta Zuzaku-Xhinxha, Avdi Amidi dhe Veton Ibrahimi i falënderuan të pranishmit që kishin ardhur dhe u arsyetuan pse filloi kjo shfaqje më herët, e jo sipas lajmërimit. Ata presin që të përkrahen edhe më shumë në këtë mision humanitar dhe i falënderojnë të gjithë ata që kanë kontribuar me të holla dhe që e kanë përkrahur këtë projekt nëpërmjet artit që të ndihmohet ky bashkëkombës. E Veton Ibrahimi, ky aktor profesionist, nuk buzëqeshte ashtu siç e ka natyrën, ashtu siç buzëqesh gjithmonë, ashtu sikur jemi mësuar ta shohim në Teatrit e Tiranës, Shkupit, e Prishtinës, me dashamirë të artit përplot e përplot salla, ai rrinte i qetë me një libër në duar dhe e shikonte kolegët e tij duke aktruar.


Copëza arti me vlerë të shenjtë

Vetoni e kishte ndihmuar këtë grup teatral me shpirt të madh, këta aktorë që po shkëlqejnë me paraqitjet e tyre, me rolet e tyre, ku po luajnë origjinal. Zoti Ibrahimi, i cili ka një kohë që jeton në Zvicër, shpreson shumë se kjo shfaqje do të përkrahet edhe më shumë, përveç se do të argëtohen me këto copëza arti, ata edhe do ta ndihmojnë një djalë shqiptar që ka nevojë shumë për ndihmat tona. Vetoni na tha, ndër të tjera, se sikur të kishte mundësi do të ishte më ndryshe, por ja që aktorët sot në përgjithësi janë në atë situatë siç e dimë të gjithë, me shpirt të madh, por jo edhe të fuqishëm financiarisht. Por, ai shpreson, duke e ditur se mërgata ka dhënë shumë për Atdheun e vet, se do të ndihmojë edhe këtë rast.

Gjithashtu, ai na tha se sa mirë do të ishte sikur të kemi mundësi që të kemi spitale të forta, qoftë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni, dhe pacientët tanë të mos shkojnë nëpër shtete të tjera. Shfaqja në fjalë ishte shumë e mirë dhe gjatë tërë kohës që të gjithë i harruan brengat e kurbetit, duke qeshur dhe u argëtuar. Vërtet këto shfaqje të mira po i mungojnë Diasporës sonë, na thanë disa nga të pranishmit. E aktorët e kësaj shfaqjeje nuk e kishin ndërmend të ndalen, ata do të jenë të gatshëm edhe nëpër qytete të tjera që të prezantohen, por natyrisht se kërkojnë që të mbështeten dhe t’u jepet hapësirë, sepse edhe misioni i tyre është i shenjtë, që nëpërmjet artit t’i ndihmojmë ata që kanë nevojë, e në këtë rast Shkëlqimin. (dialogplus.ch)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat