Në qytetin e Singenit do të ngritet busti i Nënë Terezës

Diaspora

Në qytetin e Singenit do të ngritet busti i Nënë Terezës

Nga: Maxhun Smajli Më: 27 mars 2015 Në ora: 18:30

Edhe pse në moshën 66-të vjeçare, Marash Gojani nuk ndalët së vepruari në interes të çështjes kombëtare. Kësaj radhe, kuptohet me ndihmën e vullnetmirëve tjerë, ka vendosur që në qytetin e Singenit të ngris bustin e humanistes shqiptare, Nënë Terezës, si simbol paqeje dhe bamirësie.

Në Gjermani ka ardhur në nëntor të vitit 1968. Dhe, që atëherë është marrë me aktivitete që përkojnë me interesin e përgjithshëm kombëtar. Veçmas për të ikurit gjatë viteve të ‘90-ta. Është marrë me grumbullimin e mjeteve për luftëtarët shqiptarë që luftonin përkrah kroatëve kundër forcave pushtuese serbe.

Kësaj here, Marash Gojanit i ka lindur ideja për të ngritur në qytetin e tij, Singen, bustin e Nënë Terezës. Ai, thotë, se këtë dëshirë e ka për rininë shqiptare. Që të mburrën me racën e tyre, sepse edhe Nënë Tereza ishte shqiptare, po sikur edhe ne. Pastaj, me qëllim që ky simbol të shërbej për këtë rini, gjeneratën e tretë mërgimtare si një mesazh për të bërë vepra njerëzore.

“Fillimisht, përkrahës për jetësimin e kësaj ideje janë; bashkëshortja ime, Bora dhe bashkëshortët Sadri Hakaj dhe Nadire Hasangjekaj-Hakaj. Por, ndihmës të veçantë ka dhënë dhe vazhdon të jep, si gjithmonë edhe Çerkin Bytyqi, që është një intelektual i njohur dhe që ka bërë shumë në këto anë dhe më gjerë. Në aksionin për grumbullimin e mjeteve është shprehur një gatishmëri e madhe e bashkatdhetarëve edhe jashtë Gjermanisë, siç është rasti i atyre nga Zvicra, ku deri më tani kanë zbrazur mjete 112 persona me rreth 18.000 euro. Busti do të vendoset në qershor të këtij viti, në oborrin e klinikës së fëmijëve. Datë të caktuar akoma nuk kemi. Por, çdo gjë do të njoftohet me kohë”, thotë mes tjerash, Marashi.

Humanisten, Nadire Hasangjekaj-Hakaj

Pra, siç e cekëm më lartë, një kontribut të veçantë në këtë drejtim po e japin edhe veprimtarët e mirënjohur të çështjes kombëtare, humanistët, Sadri dhe Nadire Hasangjekaj-Hakaj.

Nadire Hasangjekaj-Hakaj, ka lindur me 1947 në fshatin Martinaj, mes Plavës dhe Gucisë, në Mal të Zi. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa të mesmen në Gjakovë, ku edhe ka punuar për shumë vite. Veprimtarinë e saj në interes të çështjes kombëtare e ka filluar në vitin 1989, fillimisht si kryetare e Forumit të gruas pranë LDK-së në bashkësinë e pestë të Gjakovës, njëherësh edhe si anëtare e kryesisë së LDK-së të të njëjtës Bashkësi lokale.

Më pas është marrë me veprimtari humanitare, fillimisht në shkollën fillore “Selman Riza”, ku janë grumbulluar ndihma sanitare e higjienike nga nxënësit e kësaj shkolle. Ndihmë kjo që i është dedikuar spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, si dhe ai në Skënderaj.

Helmimi që serbet ua bënë fëmijëve nëpër çerdhe dhe nxënësve nëpër shkolla, ishte gjëja më tronditëse që përjetoj populli shqiptarë, e bashkë më ta edhe humanistët, Sadri e Nadire H.- Hakaj. Si gjithë të tjerët, edhe këta njerëz të mirë u angazhuan për t’u dalur në ndihmë të helmuarve, që barbaria serbe vuri dorën e zezë mbi ta.

Pasi që, regjimi pushtues i atëhershëm thelloj represionin ndaj veprimtarëve shqiptarë, shumë prej tyre u burgosën e shumë të tjerë nuk iu përgjigjen ftesave policore, të cilët qenë të detyruar të largohen nga atdheu. Morën rrugën drejtë vendeve më të sigurta.

Edhe familja Hakaj, me 30 tetor 1993, u larguan nga atdheu, të cilët më të arritur në Gjermani filluan prapë me aktivitet humanitar. Fillimisht me grumbullimin e medikamenteve, të cilat përmes shoqatës humanitare “Nënë Tereza” në Schafhausen të Zvicrës, prej nga janë dërguar në Gjakovë.

Më pas, kjo humaniste shqiptare është inkuadruar në shoqatën humanitare gjermane e njohur me emrin “Gastmal”, ku vepron edhe sot e kësaj dite. Në vitin 2010-të është ftuar nga gratë e Shoqatës humanitare “Neriman Vlora Falashi” në krye me presidenten, Zejnepe Lluka. Këtu, në këtë takim, është propozua për kryetare e shoqatës për degën e diasporës.

Në vitin 2010, nga kjo shoqatë humanitare në diasporë, janë dërguar ndihma në Lezhë, Fushkuqe etj. Në vitin 2011, në Gjakovë, kanë dërguar ndihma në të holla. Ndërsa, në vitin 2012 është ndihmuar vajza, Diellza Nimani nga Deçani, e sëmurë nga leukemia dhe i riu, Prend Ukaj nga Istogu i sëmurë prej syve.

Ndihma e kësaj humaniste ka vazhduar edhe gjatë viteve 2013 dhe 2014. Nadire Hasangjekaj-Hakaj, me aktivitetet e saja humane vazhdon edhe sot e kësaj dite. Tani, e përkrahur edhe nga bashkëshorti i saj, Sadriu, është angazhuar në aksionin për ngritjen e bustit të Nënë Terezës.

Dhe për fund i urojmë suksese gjithë atyre që janë angazhuar në këtë akt human dhe shumë me rëndësi.

Në të njëjtën kohë u bëjmë thirrje gjithë mërgatës shqiptare, kudo që janë, që ta ndihmojnë këtë aksion kombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat