Dy shoqata shqiptare shkrihen në emër të bashkimit të malësorëve

Diaspora

Dy shoqata shqiptare shkrihen në emër të bashkimit të malësorëve

Më: 2 mars 2015 Në ora: 17:13

Duke shpresuar gjithnjë për një aktivitet më të intensifikuar dhe për unifikim të veprimtarisë sonë, komuniteti malësor i Nju Jork-ut vendos për bashkimin e Fondit Humanitar “Malësia”, shoqatës “Dedë Gjo” Luli” dhe pjesën tjetër të komunitetit malësor. Në këtë mënyrë Fondi Humanitar “Malësia” përfundon aktivitetin e vet të veprimtarisë më se 20 vjeçare. Anëtarët e Fondit tash e tutje do të vazhdojnë aktivitetin dhe veprimtarin e tyre dhe do të jenë pjesë e shoqatës së posa formuar që e mban emrin: shoqata “Malësia e Madhe” në Nju Jork.

Puna e Fondit Humanitar “Malësia” ishte komplekse dhe preku shume sfera të shoqërisë malësore e më gjerë. Fondi Humanitar “Malësia” kryesisht u përpoq që të zbusë hallet e motrave dhe vëllezërve tonë në Malësi. Prioritet për Fondin ishte arsimimi i të rinjve ku për 20 vjet, Fondi shpërndau më se 450 bursa studentore. Përpos kësaj, Fondi u angazhua edhe në veprimtari të tjera që i imponoi koha. Krahas arsimit, objektiv ky kryesor, Fondi merrej edhe me asistimin e familjeve në nevojë, shërimin e të rinjve që na u drejtuan për ndihmë, ndihmoi luftën për çlirimin e Kosovës, organizoi protesta në mbrojtje të të drejtave njerëzore për bashkëkombësit tonë, përcolli jetën shoqëroro-politike në Malësi, sponsoroi manifestime kulturore, promovoi vepra arti, organizoi darka përkujtimore e të tjera. Gjate 20 viteve punë intensive të dalurat nga Fondi llogariten të kalojnë 1 milion dollar amerikan.

Aktivitetet nuk ishin të kufizuara vetëm në Malësi, por sipas rastit e nevojave të paraqitura, janë shtrirë edhe në trojet tjera etnike. Puna jonë asnjëherë nuk devijoi nga kauza kombëtare për të cilën ishim përcaktuar që nga fillimi. Veprimtaria kishte impakt direkt në familjet malësore dhe jetën e tyre, duke përjashtuar veprimet tjera të shërbimeve publike apo infrastrukturën që ishte detyrë e Qeverisë. Fondi ka qenë i hapur për çdo bashkëpunim dhe ishte transparent ndaj çdo kontribuuesi. Në Fondin Humanitar “Malësia” u angazhuan një numër i konsiderueshëm bashkatdhetarësh që nuk kursyen as kohën as “xhepin” për t’i dalë në ndihmë vendlindjes.

Me siguri gjatë veprimtarisë sonë kemi bërë edhe gabime. Puna jonë ka qenë në baza të vullnetit dhe dëshirës së flaktë për të ndihmuar vendlindjen. Me mundësitë dhe aftësitë tona dhe informacionin që kemi marrë nga vendlindja jemi munduar që sa më drejtë t’i kanalizojmë mjetet që kemi pas në dispozicion.

Krejt ky aktivitet nuk kishte qene i mundshëm pa përkrahjen morale dhe materiale të strukturave të ndryshme të shoqërisë ku veproi ky Fond. Prandaj, jemi mirënjohës dhe falënderojmë çdo individ që në mënyrë të ndryshme ndihmoi misionin e Fondit. Falënderojmë qendrat fetare që çdo herë paraqiten, shpallen dhe morën pjesë nëpër aktivitetet tona. Po ashtu, falënderojmë të gjitha shoqatat në diasporë që koordinuan punët me Fondin, e posaçërisht shoqatën “Malësia e Madhe” nga Detroiti dhe Fondacionin “Ded Gjo’ Luli” nga Nju Jorku. Falënderojmë mas medien, TV Boin dhe portalin Malesia.org, ne vendlindje dhe ato në diasporë, që publikuan, shpallën vendimet dhe pasqyruan aktivitetet e ndryshme të Fondit. Falënderojmë institucionet dhe individët amerikan që materialisht përkrahën misionin e Fondit Humanitar “Malësia”. Jemi mirënjohës edhe për ata që na dhanë kurajo për këto dy dekada, duke dekoruar punën tonë, ose shkruan letra përkrahëse dhe përshëndetën aktivitetin tonë.

Lamtumirë!

Nga ish, Këshilli drejtues i fondit humanitar “Malësia”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat