Kryeministri Edi Rama dhe Kosova në Bukuresht

Diaspora

Kryeministri Edi Rama dhe Kosova në Bukuresht

Nga: Baki Ymeri Më: 1 mars 2015 Në ora: 17:17

Se Rumania ka qenë gjithmonë motra më besnike e Shqipërisë, dëshmon edhe vizita e suksesshme e 27 shkurtit të Kryeministrit Edi Rama në Bukuresht. Rumania është vendi i parë në botë që e njohu pavarësinë e Shqipërisë, fill pas shpalljes së saj. Si pasojë e politikës destruktive të ish-presidentit Basescu, Rumania ende nuk e ka njohur Kosovën, por bashkëveprimi i Kryeministrit shqiptar me kryeministrin Rumun Victor Ponta, pritet të japë rezultate konkrete edhe në këtë drejtim. “Kryeministri Edi Rama është një mik i ngushtë dhe partner i afërt në të gjitha projektet e përbashkëta, të cilat Rumania dhe Shqipëria i kanë në ardhmëri. Dëshirojmë që Rumania të mbetet krejt kohën një ndihmesë e rrugës për integrim europian të Shqipërisë!”, ka theksuar Victor Ponta në Facebook.
Takimi i burrave të lartë të shtetit shqiptar dhe atij rumun ishte tejet konstruktiv. Nuk është hera e parë kur Rama viziton Bukureshtin dhe Ponta Tiranën. Sipas lajmeve (HotNeës.ro), “Kryeministri i Shqipërisë, i ndodhur në vizitë në Bukuresht, kërkoi përsëri që Rumania ta njohë Kosovën”. “Vij disa herë sipas radhës me kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës si shet, dhe po ashtu, me kërkesën që Rumania të ofrojë përkrahje permanente që ky vend të bëhet anëtare në këtë bashkësi vendesh në familjen ku ajo bën pjesë. Ne kemi bindjen se tashmë çështja e njohjes së Kosovës nuk është një çështje bilaterale, por është një çështje e përbashkët që na preokupon të gjithëve për sigurimin e paqes rajonale dhe për të gulçuar disa tendenca dhe frustrime të vendeve tjera fqinje”, theksoi Edi Rama para kryeministrit Pointa, sipas Mediafax.
Autore e artikullit është Alina Neagu, e cila përmend faktin se edhe në nëntor të vitit 2013, kryeministri i Shqipërisë e pat vlerësuar qëndrimin e kryeministrit Ponta lidhur me Kosovën, duke precizuar se po pret me padurim që njohja e Kosovës nga shteti rumun të zgjidhet sa më parë, gjë që do të kontribuojë në qetësinë dhe zhvillimin e rajonit. Gjatë verës së atij viti, kryeministri Ponta pat deklaruar se Rumania nuk ngurron të pohojë se do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Më vonë, në nëntor 2013, Ponta, i ndodhur në Ëashington, ia ka thënë nënkryetarit amerikan, Joe Biden, se më 2014 “nuk do të ndodhë gjë” sa i përket njohjes së Kosovës, por më 2015 Rumania do të ketë një pozitë të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.
Kryeministri Rama shoqërohej nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, Kreu i Grupit të deputetëve socialistë Gramoz Ruçi dhe Nënkryetari i grupit Taulant Balla. Delegacioni shqiptar u prit nga Kryeministri Ponta në Pallatin Viktoria, me një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje, me nderime ushtarake. Kryeministri Rama dhe Kryeministri Ponta zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili u pasua nga bisedimet mes dy delegacioneve. Nga takimet u konstatua vullneti reciprok për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të zgjeruar rrugët e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë. Në përfundim të bisedimeve u nënshkrua Marrëveshja e Mbrojtjes Sociale.
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri Veliaj për palën shqiptare dhe Ministrja e Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe të Moshuarve, Rovana Plumb, për palën rumune. Marrëveshja e Mbrojtjes Sociale bën të mundur njohjen e viteve të siguruara të pensionit për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Rumani dhe anasjelltas. Subjekt i Marrëveshjes janë të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Rumani, numri i të cilëve është rreth 5.000 vetë. Gjithashtu, nga zbatimi i marrëveshjes përfitojnë edhe shtetasit rumunë, të cilët vijnë në Shqipëri për të punuar.
Në ndërkohë, Kryeministri shqiptar u prit edhe nga ana e kryetarit të Bashkisë së Bukureshtit, z. Sorin Oprescu. Me këtë rast ishte prezent edhe ministri i Punës dhe Mbrojtjes Sociale, Erion Veliaj, deputetë nga Parlamenti shqiptar, ambasadori i Shqipërisë në Bukuresht, Ilir Tepelena dhe këshilltarë të Kryeministrit tonë. Gjatë bisedave bilaterale, përveç të tjerave u përmend fakti se në Bukuresht ekziston një rrugë që mban emrin Tirana, ndërsa në Tiranë një rrugë që mban emrin Bukureshti. Kryeministri shqiptar propozoi dëshirën që në Bukuresht të vihet një statujë e Nënës Terezë, ndërsa në Tiranë një statujë e dijetarit të famshëm, Nikolae Iorga, mik i madh i kombit shqiptar.
Një moment emocionues ishte shpallja e zt. Edi Rama “Doctor Honoris Causa” i Universitetit të Bukureshtit. Ceremonia zyrtare u mbajt në sallën e Bibliotekës Universitare të Bukureshtit që ndodhet përballë Pallatit Mbretëror. Prezentë ishte një numër i konsideruar studentësh shqiptarë të Bukureshtit, kuadro universitare, miq të mëdhenj të Shqipërisë (Xhemile A. Susliu, Tiberius Puiu, Ghergj Bukura, Carolina Ilica etj.), masmedia rumune dhe ajo shqiptare, trupa diplomatike e ambasadës shqiptare, ish-ambasadori i Shqipërisë në Tiranë, bij dhe bija të rilindësve tanë, dhe mbi të gjitha, kryeministri i Rumanisë, zt. Victor Ponta. Në pjesën e dytë të manifestimit u përurua libri “Kurbani” i Edi Ramës në gjuhën rumune (“Culisele puterii”), të cilin e prezantuan V. Stanila, B. Horosangian, R. Topçiu. Më në fund e mori fjalën kryeministri shqiptar, fjala e të cilit u mirëprit me duartrokitje frenetike, sidomos si pasojë e shpirtit të lirë për t’u shprehur para publikut dhe humorit të tij briliant. Të vetmit që nuk patën fat ta nderojnë këtë manifestim janë dy antikosovarë: Oana Manolescu dhe Trajan Basescu.

Kryeministri rumun Victor Ponta në takim me media tha: “Mirëdita! Do të doja dhe njëherë t’i uroja mirëseardhjen kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama. Mund të them se është një mik shumë i ngushtë i imi. Është gjithashtu një partner në të gjitha projektet që Rumania dhe Shqipëria kanë ndërmarrë për të ardhmen. Jam i gëzuar dhe i lumtur që përveç diskutimeve mbi problemet politike, zoti Rama ka dhe disa evenimente të karakterit kulturor në Bukuresht. Besoj që promovimi i librit në prapaskenat e fuqisë do të jetë një eveniment shumë interesant. Tek ne të gjitha prapaskenat e pushtetit i gjen përditë në televizor. Por këto janë shenjat e demokracisë dhe unë dëshiroj që Rumania të mbetet një nga mbështetëset kryesore në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në fakt, një nga temat kryesore të diskutimeve me zotin Kryeministër të Shqipërisë është pikërisht ekspertiza dhe mbështetja që Rumania përgatit në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë.
Përveç mbështetjes që Rumania u ofron të gjithave vendeve për aderim në Bashkimin Europian, kemi diskutuar për probleme konkrete, sidomos në fushën e energjetikës. Rumania ka një mbishtesë të prodhimit të energjisë elektrike, shkak për të cilën Shqipëria mund të përfitojë nga kjo gjë dhe duhen gjetur mundësitë kontraktuese me Shqipërinë në fushën e energjetikës”, tha Ponta.
Kryeministri Edi Rama: “Shumë faleminderit i dashur miku im Victor! Rumania është një vend mik, me të cilin na lidh historia, na lidh kultura, na lidhin qindra e qindra studentë, si dhe plot emra të njohur dhe familjarë. Po ashtu, na lidh me Rumaninë edhe një bashkëpunim jashtëzakonisht i ngushtë mes dy qeverive tona. Në 18 mars të një viti më parë, kryeministri Ponta erdhi në Tiranë dhe folëm për rrugët e forcimit të bashkëpunimit mes nesh. Sot kam kënaqësinë të them se çka kemi folur ka filluar të kthehet në hapa konkretë dhe me rezultate konkrete.
E fundit, jo për nga rëndësia, kërkesa ime e përsëritur dhe urimi im që Rumania ta njohë Kosovën dhe t’i japë mundësi Kosovës që të shkojë më tutje në procesin e njohjeve, duke u përfshirë në familjen e atyre vendeve të mëdha demokratike dhe partnere që tanimë e kanë njohur Kosovën. Ne besojmë që sot njohja e Kosovës nga Rumania dhe nga vendet e tjera europiane nuk është më një çështje bilaterale, por është një çështje e përbashkët e sigurisë së hapësirës sonë të përbashkët europiane dhe e fuqizimit të lidhjeve në këtë hapësirë, për të mos lejuar që të tjera forca të mund të influencojnë duke përfitua nga frustrimi dhe nga çfarëdo izolimi!”, tha Rama.
Agjenda e Kryeministrit Rama vijoi me takimet në Pallatin e Parlamentit, ku u prit në takime të veçanta nga Kryetari i Dhomës së Deputetëve, Valeriu Zgonea dhe Presidentin e Senatit Călin Popescu-Tăriceanu. Gjithashtu, Kryeministri zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Bukureshtit, Sorin Oprescu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat