Punën nuk e bën një gisht, po e bën grushti!

Diaspora

Punën nuk e bën një gisht, po e bën grushti!

Nga: Nga Edvana Gjashta Më: 28 shkurt 2015 Në ora: 15:49

Në shoqërinë si edhe në mentalitetin tonë, na mungon toleranca ndaj kritikave dhe po ashtu kur kritikohet diçka e kthejmë në personale. Kur debatohet me edukatë arrihet edhe në përfundime të mirëfillta.
I nderuar z. Ramiz Selimi,

të falënderoj përzemërsisht, në emrin tim personal dhe të shoqatës që përfaqësoj për këtë iniciativë kaq domethënëse dhe të nevojshme për komunitetin tonë. Edhe intelektualët tjerë e konfirmuan se, këto lloji iniciativa na kanë munguar për një kohë të gjatë. Është fatkeqësi që këto shoqata të shumëllojshme me aktivitet e tyre nuk koordinojnë dhe po ashtu komunikimi midis tyre mungon.

Mua më vjen mirë që konsulli R. Së Kosovës Zoti Lladrovci e mori këtë iniciativë për t’u mbledhur së bashku në një tavolinë dhe për të diskutuar problemet që na mundojnë, si dhe për problemet që ne konfrontohemi çdo ditë. Këto takime shërbejnë jo vetëm për të diskutuar problemet, por edhe për të njohur më mirë njeri-tjetrin dhe po ashtu për të mbledhur ide të reja në dobi të aktiviteteve tona.

Zoti mësues Ismet Sinani po replikojë miqësisht për pikat që ti ke parashtruar në mesazhin tënd elektronikë . Ne përdorim një shprehje të urtë: "Kush vjen pa ftuar, e gjënë pa shtruar"! Por, për personat që duan të punojnë për komunitetin e vetë, si dhe dijet e tyre duan ti përcjellin aty, janë të ftuar gjithmonë dhe gjithmonë e gjejnë të shtruar tryezën.

E ku ka më mirë që në atë tryezë të shikosh kaq të rinj që studiojnë dhe kanë një rritje profesionale. Rinia është e ardhmja e shoqërisë, nga ato vijnë ndryshime të rëndësishme. Siç e dëgjova edhe sot në një Simpozium, ku diskutohej për të dyja gjeneratat është shumë e rëndësishme që të mësojmë së bashku dhe ta respektojmë njeri-tjetrin.

Zoti Ismet është mirë kur flet për probleme dhe individë, por është më mirë që ti identifikosh sepse është relevante për të gjithë që kanë qenë apo jo të pranishëm. Problemet që u ngritën në atë takim shqetësojnë shumë institucionet mësimdhënëse, kulturore, shoqërore. Nga mua si edhe nga kolegia ime zonja Majlinda, po ashtu edhe nga një nënë e preokupuar për të ardhmen e fëmijëve të saj u ngrit ky problem, që sa po vjen dhe po rritet.

Unë profesionin e mësuesit e vlerësoj shumë sepse fëmijët nëpërmjet mësuesve marrin dijen, si edhe edukatën në shkollë. Unë kam respekt jo vetëm për ty si mësues, por për të gjithë ata mësues që janë të preokupuar dhe të angazhuar për nxënësit, si dhe për shkollimin e tyre. Përsëri edhe një fjalë tjetër të urtë "Gjykon puna, s'gjykon guna"!

Edhe diçka tjetër, në shoqërinë si edhe në mentalitetin tonë, na mungon toleranca ndaj kritikave dhe po ashtu kur kritikohet diçka e kthejmë në personale. Është mirë që të jemi më të hapur me njeri-tjetrin, po ashtu edhe në aspektin kritikues. Kur debatohet me edukatë arrihet edhe në përfundime të mirëfillta.

Në çdo iniciativë do të ketë pakënaqësira apo vërejte, por mendojë dhe besojë se këto pika do të na ndihmojnë, që në vitet vijuese të behën sa me pak gabime dhe të shkohet drejt profesionalitetit. Me rëndësi është qëllimi i takimit dhe mesazhi përcjellës.

Unë dua ta falënderojë iniciatorin z. Imer lladrovci, po ashtu edhe zbatuesin e kësaj iniciative z. Ramiz Selimi, duke e falënderuar përzemërsisht për ftesën, për të qenë e pranishme dhe po ashtu që të jemi një nga shoqatat pritëse. Shpresoj që do të ketë edhe takime të tjera, ku do të jemi më produktivë, deri në formimin e një këshilli koordinues.

Duke ju uruar një mbrëmje e një fundjavë të këndshme dhe duke shpresuar që do të takohemi përsëri, ju uroj gjithë të mirat. Dhe në fund po e mbyll edhe me një thënie tjetër të popullit: "Punën nuk e bën një gisht, po e bën grushti"

Me respekt
Edvana Gjashta BA
Shoqata: “Lëvizja e Grave Shqiptare Linz“

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat