Problemin e emigrimit ilegal të shqiptarëve – Hungaria e trajton edhe në mënyrë shkencore

Diaspora

Problemin e emigrimit ilegal të shqiptarëve – Hungaria e trajton edhe në mënyrë shkencore

Nga: Dr. Musa Ahmeti Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 14:39

Sipas informacioneve më të fundit qofshin ato nga Kosova, Serbia apo Hungaria, numri i emigrantëve ilegal është zvogëluar shumë, duke arritur kështu që situata përgjithësisht të vihet nën kontroll. Qetësimi i situatës ka bërë që Institucione të specializuara, organizata jo qeveritare, analistë të fushave të ndryshme, personalitete politike, diplomatike e publike të merren me shkaqet dhe arsyet që shkaktuan një emigrim me përmasa kaq të mëdha dhe pasoja të rënda jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet tjera si Serbia, Hungaria, Austria, Gjermania, Zvicra, por edhe vende të tjera të Bashkimit Europian.
Duke qenë se Hungaria është njëra nga shtetet që u përball më së shumti me këtë eksod të shqiptarëve, kohëve të fundit këtu kanë filluar të analizohen dhe studiohen shkaqet dhe arsyet e këtij eksodi shikuar nga këndvështrime të ndryshme dhe specifika të fushave të ndryshme. Në këtë kuadër u organizua nga “Institute for Foreign Affairs and Trade” /Külügyi és Külgazdasági Intézet/ pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe tregtisë së Hungarisë një tryezë e rrumbullakët më temën: “Eksodi nga të Kosova - shkaqet dhe efektet /Exodus Koszovóból – okok és hatások/, ku morën pjesë: Dr. Habil. József Juhász, profesor nga Universiteti Shtetëror ELTE i Budapestit, Anna Orosz, hulumtuese pranë Institute for Foreign Affairs and Trade të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe tregtisë së Hungarisë dhe Ernő Simoni, zëdhënës i UNHCR-së për Hungari.
Moderatorja e kësaj tryeze Ágnes Angyal në fillim foli përmbledhtazi për historinë e Kosovës duke i dhënë fjalën në vijim Prof. Dr. Habil. József Juhász nga Universiteti Shtetëror ELTE i Budapestit, njërit prej specialistëve dhe njohësve më të mirë të çështjes së Kosovës, autor i disa librave dhe studimeve shkencore për Kosovën, i cili bëri një retrospektivë të historisë së Kosovës, duke u ndalur në momentet kyçe që nga Lufta e Kosovës e deri me sot. Pastaj, me një analizë profesionale prej studiuesi dhe me korrektësi e pedanteri shkencëtari, ai shprehu mendimin e tij se arsyet për një emigrim me përmasa kaq të mëdha nuk janë të sotme, por ato duhet shikuar dhe analizuar disa vite prapa. Papunësia, zhgënjimi për jetë më të mirë, kushtet e rënda ekonomike, të ardhurat e vogla dhe të pakta, pastaj korrupsioni shumë i lartë në pothuajse të gjitha sferat jetës, problemet sociale e politike, mosbesimi për një të ardhme më të mirë, etj., janë vetëm disa nga elementët të cilat detyruan kryesisht të rinj, por edhe familje të tëra, me një fjalë një popullsi të moshave (nga fëmijë të sapo lindur deri pleq) të ndryshme, të lëshojnë shtëpitë e tyre e të marrin botën në sy, pa pasur një siguri se ku shkojnë, se cila është e ardhmja e tyre atje, por vetëm me një shpresë se mund të jetë më mirë. Këtu, një rol shumë negativ kanë pasur edhe trafikantët, të cilët për llogari të tyre (financiare e tjetër) bënë një propagandë të madhe duke mashtruar masën e madhe të popullsisë, duke premtuar kushte e jetë më të mirë në BE dhe vendet e saj, sidomos në Gjermani, Austri, etj., gjë që në fakt nuk ishte ashtu, por ishte vetëm një mashtrim, gjë kjo që solli një dëshpërim edhe më të madhe te kjo pjesë e popullsisë shqiptare që u largua na shteti i saj. Natyrisht, një rol shumë të keq këtu kishin edhe kompanitë që bënin transportin e udhëtarëve, taksitë dhe kufitarët e korruptuar të cilët nuk kryenin detyrën e tyre në mënyrë profesionale e duke zbatuar ligjin. Zgjidhja e këtyre probleme nuk është lehtë. Qeveria aktuale e Kosovës (LDK-PDK) si elitë politike e vendit duhet të ketë kujdes më të madh për problemet sociale, ekonomike dhe të tjera, por natyrisht edhe BE-ja dhe perëndimi duhet të ofrojnë ndihma në forma të ndryshme që kjo situatë të zbutet dhe përfundimisht të zgjidhet në Kosovë e jo në vende të tjera. Ka edhe probleme të tjera si p.sh. pengesa e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në perëndim, pa viza, që sidomos për të rinjtë është një hendikep i madh, sepse ata e ndiejnë veten si të burgosur, pra sidomos në këtë drejtim duhet punuar shumë, si klasa politike shqiptare, qeveria aktuale e Prishtinës por edhe vendet e BE-së dhe perëndimi në përgjithësi.

Hulumtuesja Anna Orosz pranë Institutit për Punë të Jashtme dhe Tregti pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, shprehu mendimin e saj se ky fenomen i kohëve të fundit i shpërnguljeve të shqiptarëve nga Kosova nuk është i rastit, pasi edhe më parë kemi disa valë të tjera emigrimi, po jo në përmasa të tilla. Në këtë drejtim ajo bëri një paraqitje kronologjike të shpërnguljeve të shqiptarëve gjatë historisë shekullore. Ajo u ndal në mënyrë të veçantë te shpërnguljet e dekadave të fundit ku tha se në ato raste pjesa dërmuese e atyre emigrantëve ka mundur të sistemohet ose të marrë ndihmë në forma të ndryshme nga vendet perëndimore, gjë që ndoshta është parë si shpresë dhe mundësi nga emigrantët e fundit që në mënyrë masive t’ia mësyjnë shteteve perëndimore veçanërisht Gjermanisë e Austrisë, natyrisht duke kaluar nëpër Hungari si vendi i parë i BE-së. Ajo shtoi se situata e tanishme mund të ketë pasoja afatgjata për problemet sociale jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e BE-së, sepse gjithnjë e më shumë po rritet numri i të papunëve duke u shtuar kështu edhe problemet sociale, të cilat pastaj kanë si zinxhirë edhe një varg problemesh të natyrave të ndryshme. Sipas mendimit të saj, zgjidhje afatgjate do të ishte nëse qeveria e Kosovës në radhë të parë, arrin të krijoj kushte më të mira jetese, të hap vende të reja punë, të luftojë dhe çrrënjos korrupsionin, të luftoj për rritjen ekonomike gjithnjë duke pasur ndihmë financiare dhe tjetër nga vendet e BE-së dhe perëndimi.

Me mjaft interes u ndoq edhe fjala e Simoni Ernő, zëdhënës i UNHCR-së për Hungari, i cili njoftoi të pranishmit se sipas të dhënave që ata disponojnë (UNHCR) në vitin 2014 në Hungari nga Kosova ilegalisht kanë hyrë 22.400 shqiptarë të cilët kanë kërkuar azil. (Ai nuk kishte informacion të saktë për numrin e shqiptarëve në Hungari për dy muajt e parë të vitit 2015). Pra, ky është numër i atyre shqiptarëve që ilegalisht janë futur në territorin hungarez dhe i ka kapur policia hungareze. Sipas tij, ditëve të fundit numri i kalimeve ilegale të kufirit është ulur shumë dhe ditëve të fundit nuk ka më shumë se shtatë persona në ditë që kërkojnë azil në Hungari. Sipas pohimit të z. Simoni Ernő arsyet kryesore për largimin e shqiptarëve nga Kosova janë, kushtet e rënda ekonomike, varfëria e tejskajshme, papunësia, mungesa e shpresës për një të ardhme më të mirë, mosbesimi të klasa politike, korrupsioni, etj, të gjitha këto informacione janë të bazuara në intervistat e shumta që kishim me refugjatët tha ai. Sipas tij një problem serioz, veçanërisht për Kosovën është largimi i intelektualëve të profesioneve të ndryshme, të cilët ose janë të papunë ose kanë të ardhura të pakta dhe nuk shohin perspektiv për të ardhmen e tyre. Kjo gjë varfëron Kosovën edhe në aspektin intelektual e profesional, pasojat e të cilit do vërehen pas disa dekadave, gjë që do tw jetë e pamundur të kompensohet. Pastaj z. Simon Ernő tha se këto ditë është arritur një marrëveshje në mes Hungarisë e Serbisë me të cilët parashikohet që një pjesë e emigrantëve ilegal shqiptarë nga Hungaria të kthehen me autobus për në Kosovë përmes Serbisë, ndërsa pjesa tjetër me rrugë ajrore, gjë kjo shumë e kushtueshme dhe e vështirë për t’u përballuar financiarisht nga shteti hungarez. Edhe ai ishte i mendimit se problemi duhet të zgjidhet në Kosovë duke bashkëpunuar dhe bashkërenduar ndihmat, kontributet dhe format e tjera jo vetëm ekonomik e sociale mes BE-së, perëndimit dhe Kosovës.

Të pranishëm me këtë rast ishin dhe dy përfaqësues nga Ambasada e Kosovës në Budapest, ku njëra nga ata, z. V. Fetaj foli për problemet dhe sfidat që po ballafaqohet qeveria e Kosovës si dhe për faktin se Kosova po kalon një proces të gjatë dhe të dhimbshëm që kur është bërë shtet i pavarur, sepse siç tha ai, kemi trashëguar shumë probleme nga e kaluara, por sipas tij, qeveria e re e Kosovës synon të nxisë rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe kështu të tejkaloi këto probleme sociale e ekonomike.

Në fund kishte komente, debate dhe pyetje të shumta nga një numër i madh i gazetarëve të mediave të shkruara dhe vizive të cilët po i kushtojnë një rëndësi të veçantë problemet të emigrimit ilegal të shqiptarëve në Hungari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat