"Guri i budallait"?!

Diaspora

"Guri i budallait"?!

Nga: Dibran Demaku Më: 28 janar 2015 Në ora: 17:36

Kosova e këtyre ditëve i ngjan asaj fjalës së urtë popullore që thotë: "Një i marrë apo një budalla e gjuan një gur në pus dhe njëqind të mençur nuk mund e nxjerrin atë gur nga pusi"!
Një ministër serb në Qeverinë e Kosovës kohë më parë e bëri një fyerje apo një revokim në adresë të Nënave gjakovare(për fyerje dhe provokime të tilla serbët janë të njohur dhe as ministri në fjalë nuk ka përse të bëjë përjashtim) dhe shqiptarët e provokuar, pa reflektuar fare se si e bëri dhe përse e bëri atë provokim ministri serb, u ngritën në këmbë! U ngritën në këmbë dhe kërkuan nga Qeveria e tyre që ta shkarkojë ministrin provokues! Ngritjen e shqiptarëve kundër Qeverisë së tyre e nxitën edhe Liderë të partive politike shqiptare në opozitë, edhepse ata e dinë se Qeveria e Kosovës, për shkaqe që dihen si të thuash i ka duart e lidhura sa i përket shkarkimit të ministrit në fjalë?! Edhe liderët e partive opozitare e dinë dhe e kanë të qartë të vërtetën se sikur edhe ata vetë të ndodheshin në këto momente në krye të Qeverisë së Kosovës nuk do të mund ta shkarkonin ministrin në fjalë?! Por, ata me atë mendimin se pasi që unë nuk jam në vendin udhëheqës, "le ta bëjë zoti llugë?!" siç thuhet në një shprehje tjetër popullore!
Dhe vërtetë ata e bënë "Llugë" duke e nxjerrur në rrugë popullin dhe duke e konfrontuar me policinë e shtetit të vetë?! Dje shqiptarët u përleshën e u përgjakën në mes vete, në sheshe të qendrës së Prishtinës, falë provokimit fyes të ministrit serb?!Kjo përleshje dhe përgjakje e shqiptarëve nuk ka se si të kualifikohet ndryshe vetëm si një ngjarje tragji-komike, të cilës më së shumti i janë gëzuar ministri Jabllanoviq dhe Jabllanoviqët e tjerë serbë! Ministri Jabllanoviq dhe Jabllanoviqët e tjerë serbë, duke i shikuar shqiptarët tek përlesheshin me njëri-tjetrin do të kenë ngritur dhe cakërruar gotat e rakisë! Tash pas kësaj përleshjeje dhe përgjakje në mes vete, për një kohë shqiptarët do të merren me pasojat e saj, ndërkaq ministri Jabllanoviq dhe Jabllanoviqët e tjerë serbë do të kenë kohë që të përgatiten për provokimin tjetër fyes ndaj shqiptarëve?! Ministri serb i Qeverisë së Kosovës Jabllanoviq dhe Jabllanoviqët e tjerë serbë e kanë kuptuar tashmë mentalitetin reaguese të kombit shqiptar dhe nuk do të ndalen nga provokimet e tilla?!Edhe provokimi tjetër serb se Trepça është e Serbisë, nuk kishte qëllim tjetër pos nxitjes së përleshjes në mes të popullit të Kosovës dhe Qeverisë së tyre?!
Ndonjë i painformuar mirë do të shtonte se Qeveria e Kosovës e ka të lehtë dhe me një të rënë lapsi do të mund ta shkarkonte ministrin Jabllanoviq, ashtu siç trumbetojnë edhe Liderët e partive politike shqiptare të Kosovës, në opozitë?! Të painformuarve dhe Liderëve të partive politike shqiptare të sotme, në opozitë duhet bërë të qartë se Qeveria e Kosovës i ka duart e lidhura nga Plani i Ahtisarit për Kosovën! Dhe atë plan të Ahtisarit e dinë apo do të duhej ta dinin më mirë se kushdo tjetër Liderët e partive të sotme shqiptare të Kosovës, në opozitë! Nëse nuk e njohin apo nuk duan ta njohin atë plan, i cili e ka bërë Republikën e Kosovës shtet të pavarur, kot që merren me politikë?! Apo, ato, pra partitë politike shqiptare të sotme të Kosovës në opozitë, e njohin Planin e Ahtisarit, por në këtë moment bëjnë një "hile" duke e përdorur popullin për realizimin e qëllimeve të tyre politike?! Përjashtim këtu bën Lëvizja Vetëvendosje dhe Lideri i saj Albin Kurti, të cilët asnjëherë nuk e kanë pranuar Planin e Ahtisarit dhe shpeshherë Lëvizja në fjalë apo zyrtarët e saj të lartë kanë deklaruar se "Kosova nuk është e pavarur?!" Lëvizja në fjalë së pari duhet të deklarohet se a e pranon "Kosovën e pavarur" sipas Planit të Ahtisarit (me të mirat dhe të këqijat e atij Plani) dhe tek pastaj t`i bëjë thirrje popullit që të dali në rrugë për mbrojtjen e asaj Pavarësie? Përveç kësaj Lëvizja Vetëvendosje dhe zyrtarët e saj të lartë duhet ta kenë të qartë se kur e nxjerrin popullin në rrugë, ata si sponzorues të Protestave do të duhej të baritnin edhe Përgjegjësinë për atë që mund të ndodhin gjatë atyre protestave, e jo pas protestave dhe pasojave që lënë ato të deklarojnë se fajin e kanë Qeveria e Kosovës dhe Policia e Kosovës?!...
Nëse Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partitë shqiptare të Kosovës së sotme, në opozitë edhe më tutje ia hedhin njëra tjetrës "topin e fajit" për momente të ndryshme krizash, apo "Gurësh të budallait", për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen e tij nuk do të vijnë ditë të mira! Që të dyja palët duhet ta dinë se "Guri i budallait" do të hidhet sërish në mes të tyre, dhe ata do të duhej të dinin që atë "Gur" ta largonin pa pasoja për vendin dhe për popullin!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat