Në Varberg u themelua një shoqatë e re

Diaspora

Në Varberg u themelua një shoqatë e re

Nga: R. Reshitaj Më: 27 janar 2015 Në ora: 18:56

Veprimtari kryesore e Shoqatës e fëmijëve dhe e nënave “Xhevë Lladrovci” do të jetë puna me fëmijë dhe rini si dhe angazhimi i nënave në proceset kulturo-shoqërore, thotë nismëtarja për themelimin e kësaj shoqate, Syleme Bogiqi.
Në Unionin e Shoqatave Shqiptare në Suedi u regjistrua edhe një shoqatë e re. Fjala është për Shoqatën Për Fëmijë dhe Nëna ”Xhevë Lladrovci” e cila u themelua në qytetin e Varbergut në prag të kremtimit të Ditës së Flamurit tonë kombëtar. Kjo është e para shoqatë e këtij lloji në Suedi, sepse veprimtari e saj kryesore do të jenë aktivitetet me fëmijë, rini dhe me nënat e tyre.
Ne kemi menduar gjatë se si të punojmë në mënyrë të organizuar me fëmijët tanë; si
ti organizojmë nënat e tyre në aktivitetet e fëmijëve dhe të të rinjve, thotë nismëtarja për themelimin e kësaj shoqate, zonja Syleme Bogiqi. Në qytetin e Varbergut janë disa dhjetëra familje shqiptare. Secila prej tyre ka nga disa fëmijë të moshës parashkollore dhe shkollore. Këtu zhvillohet me sukses edhe mësimi plotësues në gjuhën amtare shqipe. Prandaj, ne mësueset që punojmë në shkollat e këtushme, Mejreme Gubetini e Lebibe Zogiani, pas shumë debateve se si ti organizojmë fëmijët dhe nënat, vendosëm që të të themelojmë shoqatën, thotë zonja Syleme.
Punën e parë që bëmë, ishte regjistrimi i anëtarëve dhe të interesuarve të tjerë për shoqatën. Brenda një kohe të shkurtër arritëm të regjistrojmë 45 anëtarë. Të gjithë këta janë fëmijë dhe të rinjë të moshave parashkollore dhe shkollore dhe nënat e tyre. Pastaj në vigjilien e kremtimit të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit tonë kombëtar, mbajtëm mbledhjen për themelimin e shoqatës; aprovuam statutin dhe planin e veprimtarive të shoqatës për vitin 2015. Kishte disa propozime, por vendosëm që shoqatën tonë në Varberg ta pagëzojmë Shoqata e fëmijëve dhe e nënave ”Xhevë Lladrovci”, thotë veprimtarja Mejreme Gubetini.
Në mbledhjen themeluese u zgjodh kryesia e shoqatës dhe organet tjera që do ta udhëheqin shoqatën. Në kryesi u zgjodhën: Syleme Bogiqi, kryetare, Mejreme Gubetini, sekretare, Lebibe Zogiani arkëtare. Anëtare të kryesisë u zgjodhën Teuta Camaj e Nazife Hoti, supleante u zgjodhën Elena Bogiqi - Ukaj dhe Eliarta Gubetini. Ndërkaq revizore e shoqatës u zgjodh Hava Beqiri.
Shoqata e fëmijëve dhe e nënave ”Xhevë Lladrovci” në Varberg do të zhvillojë një varg veprimtarish me fëmijët parashkollor e shkollor si dhe me nënat e tyre. Në planin e aktiviteteve që u aprovua gjatë mbledhjes themeluese janë paraparë të zhvillohen një varg aktivitetesh, siç janë: vallëzim për fëmijë dhe të rinjë, këngë dhe aktivitete muzikore, lexim dhe interpretim përrallash për më të vegjlit, teatër kukullash, aktivitete të lira dhe sportive, njohur për kompjuterin, aktivitete studimore, pikniqe, festa familjare, shkëmbime kulturore, vizita studimore e të tjera.
Të gjitha këto aktivitete në radhë të parë do të dedikohen fëmijëve por në to do të përfshihen dhe do të kontribuojnë edhe të rriturit. Shoqata do të veprojë në bazë të statutit dhe rregullave në fuqi për zhvillimin e veprimtarive shoqërore që aplikohen në Suedi.
Shoqata e fëmijëve dhe e nënave “Xhevë Lladrovci” në Varberg është regjistruar në Unionin e Shoqatave Shqiptare në Suedi, administrata e së cilit i ka ndihmuar në themelimin e këtij asociacioni, do të regjistrohet në komunë dhe do të ketë një xhirollogari bankare.
I tërë aktiviteti i shoqatës do të zhvillohet i bazuar në veprimtari vullnetare dhe i mbështetur në principet demokratike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat