Kokëlartit me kokat bosh - pengesë për të tjerët

Diaspora

Kokëlartit me kokat bosh - pengesë për të tjerët

Nga: Maxhun Smajli Më: 26 janar 2015 Në ora: 17:37

Në Kirschheim unter Teck, të Baden Würtenbergut, u mbajt Akademi përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së martirëve të kombit: Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Enver Hadrit, Vehbi Ibrahimit dhe Musa Hotit.
Për të marrë pjesë në këtë Akademi përkujtimore, nga qytete të ndryshme të Gjermanisë, kishin ardhur mërgimtarë të shumtë. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të shtetit të Kosovës në Gjermani, si dhe nga Kosova. Akademia u nderua edhe nga prania e palës gjermane.
Edhe kësaj here si herëve tjera, nuk munguan as përfaqësuesit e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Salih Çekaj” nga Pfaffenhofen. Në një sallë të madhe, me një ngrohtësi vëllazërore të mbërthyer nga nderimi dhe respekti, organizatorët, sidomos Xhafer Leci, që është një burrë me nam dhe shumë i nderuar, i mirëpritnin mysafirët. Asnjëri nga mysafirët nuk kalonte pa i rënë në sy Xhaferit. Ai, me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël, i përshëndeste dhe u dëshironte mirëseardhje mysafirët.
Të këqijat e kësaj Akademie përkujtimore, që ndrydhnin shpirtin e Xhaferit dhe disa mysafirëve, ishin veset e këqija që ndër shqiptarë janë bërë shprehi; fillimi me vonesë i tubimeve dhe zhurma e madhe në sallë. E gjithë kjo duke pritur kokëlartit me kokat bosh dhe naiviteti apo më mirë me thënë injoranca e tyre.
Ata pa fije turpi bisedonin mes veti dhe nuk i lenin të tjerët të dëgjonin folësit në foltore. Edhe pse të rritur, ata hynin e dilnin në sallë sikur të ishin në ndonjë treg bulmeti. Ky primitivizëm, detyroi Xhafer Lecin të dalë në foltore dhe t’i thërras për qetësi. E mua më bënte përshtypje sikur u thoshte “mbani qetësi nxënësa, ndryshe u nxora jashtë”.
Nga zhurma e madhe, nuk arritëm të dëgjojmë më shumë se thirrjen për bashkim dhe apelin për mos largim nga Kosova. Kuptohet këto thirrje u bënë nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës.
Thirrja për bashkim është një thirrje shumë e vjetër. Daton që nga koha e Skënderbeut (1443) dhe nuk do të ndalet edhe për pesë shekuj tjerë, ngase shqiptarët nuk do të bashkohen deri atëherë. Apo, më mirë me thënë; shqiptarët nuk do të bashkohen kurrë.
Ndërsa, apeli për mos largim nga Kosova, na kujton fjalën e urtë: “Më mirë një vepër se njëmijë fjalë”. Ndryshe, fjalët e tilla boshe, tek gjermanët njihen me “Heisse luft”. Me këtë dua të them; nëse drejtuesit e shtetit janë majmuna, mos ta marrin Kosovën dhe popullin e saj për xhungël.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat