I mundëm gjermanët dhe francezët

Diaspora

I mundëm gjermanët dhe francezët

Nga: Rukie Rama Më: 15 dhjetor 2014 Në ora: 21:55

Me sa duket, vendi ynë qenka një vend ku buruakan talente dhe emra të mëdhenj. Nga gjiri shqiptar doli Aleksandër Moisiu, që dominoi në skenat e botës, shqiptare ishte edhe Nënë Tereza që u bë e njohur në të gjithë globin dhe u thirr me emrin nënë. Edhe në kohërat e sotme përfaqësohemi denjësisht nga figurat e shquara ndër fushat e ndryshme të artit, kulturës, historisë, apo shkencës, siç janë: Nue Oroshi në Gjermani, Inva Mula, Majlinda Kelmendi, Romela Begaj, Rita Ora, Rene Rexhepi në Danimarkë, Adnan Januzaj dhe qindra të tjerë, të cilët kudo që janë dhe në çdo fushë që konkurrojnë, ndihen krenarë që janë shqiptarë, aq më tepër krenarë kur zënë vende të nderuara dhe shpalosin flamurin kuq e zi me krenari dhe mirënjohje ndaj popullit të vet.
Burim Demiri, ndonëse emrin e ka Burim, por në të vërtetë nga mendja e tij burojnë ide dhe plane, që e ngrenë vlerën e Shqiptarisë këtu në Belgjikë. Një fjalë e popullit thotë: Pesha e burrit nuk matet me peshën e trupit të tij e as gjatësinë. Burimi po i ngjit shkallët e karrierës në proporcion me moshën e tij, i suksesshëm në shkollë, i respektuar në familje, dhe ka dy vjet që gëzon një pozicion në komunën e Skarbegut, pra e nge zërin dhe mbron popullsinë shqiptare në këtë komunë në të mirë të tyre. Pak e çuditshme, por u formua një skuadër futbolli, në kuadër të Bashkësisë Europiane, në të cilën luajnë djemtë më të mirë shqiptarë.
Ndonëse droni i ngritur në Beograd me 14 Tetor, ngriti në këmbë gjithë shqiptarinë kudo që ishte në përkrahje të djemve tanë, këtu në Belgjikë nuk kishte nevojë, mbasi këtu nuk njihen kufijtë territorial. Dhe në këtë skuadër gjejmë djem shqiptar të talentuar, siç janë vëllezërit Gjana, Shetaj, Kuka, Demiri, Kelmendi, Jonuzaj, Neziri, Pelivani, Murat, Mustafa, Ibrahimi, Hoxha e Çovanaj.
Kjo skuadër trajnohet nga një trajner belg me shumë eksperiencë. Këta bijë shqiptarësh e kanë marrë me shumë seriozitet mbasi prezantojnë vendin e tyre, në kuadër të Parlamentit Europian.
Bashkim Gjana, është nipi i Sulejman dhe Ramadan Gjana, të cilët kudo, në çdo front që punojnë janë të suksesshëm dhe me të vërtetë janë intelektual që dinë të thonë zërin e tyre dhe përfaqësojnë denjësisht kombin e tyre, ndonëse të lindur në Belgjikë. Edhe Bashkimi me shumë modesti, prezantohet: - po ne vëllezërit po përpiqemi në sport ta justifikojmë veten, e deri tani kemi korrur dy fitore me francezët dhe gjermanët.
Klubi FC Kosova u ofron lojtarëve shqiptar, një ambient shumë të mirë qoftë për stërvitje qoftë për ndeshje. Këtu stërviten dhe luajnë shumë djem shqiptarë që nga mosha 5 vjeç e derisa të bëhen në moshë madhore. Me shumë përkushtim janë prindërit ata që i sjellin e inkurajojnë, ua plotësojnë të gjitha kushtet dhe i shoqërojnë kudo që janë në ndeshje. Nuk është e çuditshme, që këtu në sallën e pritjes është një nënë kosovare, e cila i ka sjellë djemtë e saj, Eldis dhe Neron Neziraj. Klubi FC Kosova ka një jetëgjatësi që nga data 5 Maj 1991.
Ka pritë dhe ka përcjellë shumë talente nga e gjithë Shqipëria Etnike. Nuk mund të rri pa përmendur tre futbollistë të vegjël, të cilët nuk pushojnë së vrapuari nëpër fushë me topin përpara: Goool..... Bërtet me të madhe Sentoni, i cili në të vërtet shënon një gol të mrekullueshëm në favor të skuadrës së tij. Jo ma pak të suksesshëm janë edhe vëllezërit Kastrati, Arbëri dhe Driloni.
Gjithmonë ëmbëlsira shërbehet në fund, kudo të bie në sy në këtë aktivitet të madh, koordinatori i të rinjve Valbon Baruti nga Prizreni, i pa lodhur, shumë komunikues me njerëzit, por veçanërisht të tërheq vëmendjen veshja e tij kuq e zi. Na lindi kurioziteti që të shohim edhe ambientin e tij të punës, na i kënaqi sytë, pak a shumë na mallëngjeu se dominonin edhe në zyrë ngjyrat e flamurit KUQ E ZI. Sado që i shqetësoi serbët flamuri ynë në Beograd, ky do valëvitet gjithmonë kudo që ka shqiptar në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat