Basha takon kreun e delegacionit të “Vatrës”: Shfaqja e fotografisë së Enver Hoxhës, përdhosje e gjakut të mijëra viktimave të komunizmit

Diaspora

Basha takon kreun e delegacionit të “Vatrës”: Shfaqja e fotografisë së Enver Hoxhës, përdhosje e gjakut të mijëra viktimave të komunizmit

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 21:23

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka pritur në një takim një delegacion të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, të kryesuar nga kryetari i saj Gjon Bucaj. Basha ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të PD për kontributin e jashtëzakonshëm që “Vatra” ka dhënë për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare gjatë 102 viteve të ekzistencës së saj.

“Ndihma dhe kontributi i diasporës shqiptare në SHBA dhe i federatës Pan-Shqiptare “Vatra” është i pazëvendësueshëm në mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në rrëzimin e regjimit komunist dhe në konsolidimin e demokracisë”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Nga ana e tij, kryetari i Federatës “Vatra”, Gjon Bucaj shprehu falënderimet për bashkëpunimin e shkëlqyer që ka pasur gjatë këtyre viteve mes PD dhe kësaj organizate, ndërsa shprehu shqetësimin për përpjekjet për rehabilitimin e figurës së Enver Hoxhës.

“Si një ndër organizatat shqiptare në SHBA që u investua fuqimisht kundër regjimit komunist në Shqipëri, “Vatra” shpreh sot shqetësimin për përpjekjet për rehabilitimin e figurës së diktatorit Hoxha”, tha Bucaj

Ai dënoi ashpër shfaqjen e fotografisë së diktatorit Hoxha, duke e konsideruar këtë si përdhosje të gjakut të mijëra viktimave të regjimit komunist.

Në përfundim të takimit kryebashkiaku Basha ka mirëpritur propozimin e “Vatrës” për të emërtuar disa rrugë në kryeqytet me emrat e personaliteteve të shquara të kësaj organizate të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për çështjen kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat