Shqiptarët e Zvicrës kërkojnë zgjidhjen e çështjes së pensioneve

Diaspora

Shqiptarët e Zvicrës kërkojnë zgjidhjen e çështjes së pensioneve

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 20:28

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës (KSHZ) ka ngritur çështjen e pensioneve të mërgatës kosovare në Zvicër në nivel shtetëror të Zvicrës, problematikë e cila ende mbetet e pazgjidhur dhe politikisht ende e paralizuar.
Që nga muaji prill i vitit 2010, Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore në mes të Kosovës dhe Zvicrës ishte ndërprerë, ku komuniteti shqiptarë, me theks të veçantë ai kosovarë, ende konsideron se kjo ishte shumë e padrejtë, thuhet në njoftimin e KSHZ.

Për faktin se qytetarët nga Kosova kanë dhënë një kontribut të çmueshëm në zhvillimin ekonomik dhe atë shoqëror në shtetin Helvetik dhe në Shtetin e Kosovës, gjë që një gjë të tillë e ka vlerësuar edhe ministri z. Alain Berset.

Alain Berset në përgjigjen e tij ka numëruar disa faktorë që kanë shtyrë në mosarritjen e një marrëveshjeje në mes dy shteteve, Zvicër - Kosovë. Nga komunikimi me shkrim i Berset është bërë shumë e qartë, se bashkëpunimi me autoritetet kosovare në këtë çështje ka qenë shumë i vështirë.

Ministri Berset ka theksuar se, mjerisht, Republika e Kosovës ende nuk ka një sistem operacional për çështje sociale, strukturat administrative, por edhe regjistri civil i Kosovës, janë ende të nivelit shumë të ulët, për të mundësuar një marrëveshje bilaterale.

Zyra Federale e Sigurimeve Shoqërore të Zvicrës, përmes Ambasadws së Kosovës në Zvicër, në prill të vitit 2014, i kishte dërguar edhe një pyetësor ministrisë përkatëse të z. Rashiç, nga e cila ministri, mjerisht, ende nuk ka marr asnjë përgjigje.

Është koha e fundit që t`i jepet fund anashkalimit të diasporës dhe që institucionet përgjegjëse, Qeveria dhe Parlamenti i Republikës së Kosovës, përpos kërkimit të kryerjes së obligimeve nga mërgata, tua mundësojnë mërgimtarëve, në këtë rast, qytetarë të Republikës së Kosovës, të realizojnë të drejtën e tyre elementare qytetare.

KSHZ-ja konsideron se përmbushja e kushteve nga ana e institucioneve të Kosovës, është obligim institucional dhe shtetëror. Është përgjegjësi e shtetit, t`u mundësojë bashkatdhetarëve realizimi i të drejtës për marrjen e pensioneve. Mbi të gjitha kërkojmë që të mos luhet me interesin elementar për pensionin e bashkatdhetarëve të fituar me djersë e sakrificë.

Me punën e tyre ata kanë kontribuar në zhvillimin e këtij vendi dhe e meritojnë pa asnjë dyshim të jetojnë me dinjitet në vendin ku ata dëshirojnë, thuhet në njoftimin e KSHZ.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat