LDK në Suedi: I japim mbështetje të plotë Isa Mustafës në krijimin e institucioneve të Kosovës

Diaspora

LDK në Suedi: I japim mbështetje të plotë Isa Mustafës në krijimin e institucioneve të Kosovës

Më: 27 tetor 2014 Në ora: 10:27

Në Ängelholm të Suedisë, me datë 25 tetor 2014, kryesia e Degës së LDK në Suedi, mbajti mbledhjen e saj të rregullt.

Çështjet të cilat u diskutuan ishin situata e përgjithshme në Kosovë në këta 5 muajt e fundit, pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Kryesia e Degës së LDK në Suedi është e brengosur dhe i jep mbështetje të plotë liderit të LDK z.Isa Mustafa si dhe Kryesisë së LDK, në përpjekjet që po bëjnë për formimin e institucioneve të Kosovës.

Kryesia e degës së LDK në Suedi në këto kohë të vështira e mbështet Kryetarin Isa Mustafa dhe Kryesinë e LDK në përpjekjet e tyre për ruajtjen e unitetit dhe besnikërisë ndaj anëtarsisë së gjërë të LDK, simpatizantëve dhe elektoratit të LDK në përgjithësi.

Anëtarësia e LDK, simpatizantët e devotshëm të LDK , kanë qenë dhe janë besnik të filozofisë politike të LDK e që është filozofi politike e Presidentit Historik dr.Ibrahim Rugova.

Prandaj jemi me ju dhe ju përkrahim në ruajtjen e vlerave të LDK, të cilat ishin udhërrefyese në aktivitetet tona me dekada dhe të cilat vlera ishin bazë e lobimit për Pavarësinë e Kosovës këtu në Suedi . Këto vlera të filozofisë politike të LDK të vendosura nga Presidenti Rugova, ishin bazamenti i parakushteve i angazhimit tonë për Kosovën e deri në njohjen e Pavarësisë së saj, nga diplomacia dhe qarqet e vendosjes në Suedi.

Të njejtat vlera sot duhet të jenë bazë e veprimeve të tanishme dhe Dega e LDK në Suedi e mbështet Kryesinë e LDK me në krye z.Isa Mustafa për ta larguar PDK nga qeverisja e keqe e cila e çoi Kosovën buzë greminës ekonomike, politike e sociale, si dhe për ta dërguar PDK definitivisht në opozitë ku ajo do të mund të luajë rolin e një opozite të mirëfilltë konstruktive.

Për Kryesinë e LDK në Suedi
Qibrije Hoxha, nënkryetare

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat