Shqiptarja i vë flakën shtëpisë në Amerikë: Më fejuan pa dëshirën time

Diaspora

Shqiptarja i vë flakën shtëpisë në Amerikë: Më fejuan pa dëshirën time

Më: 17 shtator 2014 Në ora: 23:10

Një shqiptare (në foto) në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka vënë flakën shtëpisë së saj ndërsa prindërit po flinin, pasi nuk donte të realizohej martesa me një burrë të zgjedhur nga familja e saj.
Arlinda Latifi, maturante në gjimnazin Holt High School, e pranoi fajin teksa kishte dalë para gjykatës e akuzuar për zjarrëvenie me dashje, krim që dënohet deri me 20 vjet burgim.
Por duke qenë se 17-vjeçarja e ka pranuar krimin pas një marrëveshje me Prokurorinë, ajo mund të dënohet vetëm me tre vjet liri me kusht, me rrezikun për t’u dërguar në një institut rehabilitimi për të rinjtë nëse kryen sërish veprime të paligjshme.
Incidenti ka ndodhur që në 30 maj të këtij viti, në shtëpinë që Arlinda ndan me të ëmën dhe babain në qytetin Holt të Miçiganit.
Ajo tha para gjykatës se ishte tmerruar nga ideja që e kishin fejuar me një burrë në Shqipëri të cilin e kishin zgjedhur të tjerët për të.
“Prindërit ishin mjaft të lumtur, por unë nuk doja të fejohesha”, tha Arlinda, e cila nuk është më e fejuar.
Ajo rrëfeu se kishte hedhur benzinë në dhomën e saj të gjumit, në korridor dhe në tualet e më pas i kishte vënë flakën me shkrepëse.
Por ajo nuk e priste që të rrezikonte jetën e saj dhe të prindërve. E pyetur për marrëdhënien e saj me prindërit ajo u përgjigj se gjërat ishin përmirësuar:
“Tani jemi edhe më të lidhur”. Sidoqoftë, Arlinda ka dorëzuar pasaportën te autoritetet vendase, ndërsa do të presë datën 24 nëntor, kur të merret edhe vendimi përfundimtar i gjykatës për të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat