Smund t`harroj

Diaspora

Smund t`harroj

Më: 26 gusht 2014 Në ora: 16:33

SMUND T´HARROJ
(AGIM GASHI, Bijës sime Shqipës që vdiq më 2 gusht 2014)
Ditë e netë po më kalojnë
Ti nuk je ma në këtë botë,
Të ka morrë Ty përgjithmonë
Zoti i Madh dhe e lumja tokë.
Të thërret djali edhe burri
Babë e bir lotojnë për Ty,
Pse nuk zgjohesh ti moj Shqipe
Në dhe të zi o flen n´qetësi.
Të thërrasin motrat tua
Të thërrasin edhe vllaznia,
Nanës lotët spo i teren
Na ka mbetë e shkretë shtëpia.
II
Po kalon një jetë e tanë
Na ka nda mërgimi i zi,
Sa shpejt u rrite moj bija ime
Zgjodhe burrin me dashuri.
U veshe bukur e shkove nuse
Nuk të thashë as rrugë e mbarë,
Ti kur vdiqe unë të erdha
Vetë të lshova në t´ftoftin varr.
Atë fustan në ditë t´varrimit
Kur ta putha ma ngriu gjakun,
Si nuk pata fat moj bijë
Me ta puth edhe duvakun.
T´lëshuam n´vorr, mu rrutllue bota
Dashta të gjuhem e të vi me Ty,
Qanin motrat dhe vllaznia
Nanës loti n´farqe ju ngri..
Shokë e shoqe aty ishin
Nga një lule n´varr e lanë,
Lamtumirë moj Shqipe e shqipes
Me sa dhimbje Ty të thane.
Tu përkul dhe djali i vetëm
Lotët peng ti la mbi vorr,
Ka me ardhë me të sjell lule
Me nanë t´veten ai me folë.
Edhe burri që shumë të dashti
Një jetë bashkë me dashuni,
Nuk e di sa do të shkoj
Me kujtime e vaj për Ty.
III
Lokja jote atje n´Kosovë
Qau e qau, ma skishte lotë,
Foton tande e futi n´gji
Me t´mbajtë ngrohtë për jetë e mot.
Ah e shkreta sta di vorrin
Se ti vorr nuk ke në atdhe,
Koka shkrue n´tokë të Suedisë
Trupi yt me tu ba dhe.
Ta këndoj moj bijë Ty kangen
T´u vajtu me gjithë sharki,
Shtatqind jetna me i pas me rrnue
Me lotë lulet i ujis për Ty.
23.08.2014
Düren

Bijës sime, Shqipe Gashi

Emer të shenjtë të pata dhënë
E shqip derdha edhe lotet për Ty
Kur ike për ta takuar perëndinë...
Bija ime Shqipja ime Dielli im

Më janë shuar rrezet e zemrës
Jetës i humbën të gjitha ngjyrat
E dhembja mi dogji damarët e shpirtit
Po keq e le babin Oi Oi Oiiiiiiii

15.08.2014-Lipjan

TEK VARRI YT, BIJA IME
(Bijës sime Shqipes)

Ty, bija ime Shqipe
T'u përkula te varri yt
Me zemrën e bërë copë-copë
Pasi të varrosëm në tokën e huaj
Shqip të foli babai ty
E si me të folë ndryshe
Kur emrin dhe zemrën shqipe e kishe.

Djali dhe burri me zemrën e bardhë
Të veshën me fustanin kuq e zi
Motrat ta bënë grimin
Nëna të lau me lotin e saj
Vëllëzërit t'i ujitën lulet mbi varrin tënd
Babai shqip të përcolli në amshim.

Oh, zemra e babit
Oh mish i mishit tim
Sa qenka dhimbje e trishtim
Me të përcjellë në amshim
Në këtë vdekje të pa rend
Në tokën e huaj me të shti në dhe
Qoftë i mallkuar mërgimi i zi
A thua qan diksuh për ne
Mërgimtar, o njeri pa atdhe.

Zgjohu, bija ime e dashur, zgjohu
Shiqoje jetën edhe njëherë me sy
Sa vujanë prindërit për ty
Burri e djali lotojnë
Jeta vazhdon edhe pa ty
Dikush martohet e dikush fejohet
Dikush qan e dikush qesh
Por ti më nuk je, moj bijë,
Të mbuloi dheu i zi.

Ditën që vdiqe, moj bija ime,
Edhe fluturat lotuan për ty
Ishe engjëll e shkuar engjëjve
E veçanta e botës njerëzore
Sa ndihmove njerëzit në nevojë
Të varfërve kafshatën ua dhurove
Andaj Zoti të mori pranë vetes
Fluturat e lulet do t'i kesh përmbi.

Fli e qetë, Shqipja ime,
Me fustan të nusërisë kuq e zi
Varri çerdhe mërgimi t'u bë
Atje larg në polin e veriut mbi re
Do ta puthësh të shtrenjtin atdhe
E ne sa do që do të jetojmë
Kurrë, kurrë s 'të harrojmë.

14.08.2014-Lipjan

SHQIPE, PSE IKE?

Sot, datë 02.08.2014, pikrisht në ora gjashtë, bija ime Shqipe Gashi-Hoxha mori rrugën drejt qiellit për tu takuar me Parajsën e premtuar.
Sa e vështirë, sa e rëndë kjo vdekja e mërgimit.
Nuk e mendova se unë do të të them lamtumirë Ty oj Engjull i babit.
Vdekje pa rend, por ja që Zoti i merr Engjujt pranë vetes së Tij.
As në mendje smë ka shkue që varri yt të mbulohet me lule atje në token e ftoftë të Suedisë.
Vendimi ishte i yti.Nuk dashte të largohesh nga djali e burri që të dashten aq shumë.
Dashte të pushosh pranë tyre, të zgjohesh naten e tua ledhatosh ballin me plot dashuri, ashtu si dite vetëm ti.

Po të them lamtumire pasi u binda se dëshirën e Zotit smundem me e ndal.
Lamtumirë bija ime Shqipe!

Babi yt Agimi me dhimbje që sdo të shuhen derisa të takohemi përsëri.

TI U SHOVE YLLI IM

Bijës sime, Shqipes, qe sot kaloi në amshim
(24.09.1971-02.08.2014)

Ia beh gushti i përlotur
Ia beh gushti i ngulfatur,
Midis shiu midis vapës
Ku ta lë shpirtin e trandur.

Shpirti im i katandisur
Për pak gaz e dashuri,
Si rrufeja gjëmë krisur
Mori lajm të zi për ty.

Ti u shove ylli im
Bashkë me yjet në mëngjes,
Ma lë dhembjen trashëgim
Që çan zemrën mes për mes.

Unë kam pasur qindra ndarje
Që m'përlotën këta sy,
Jo këso me lot e zjarr
Sikur ndarja sot me ty.

Ti u shove ylli im
N'zemrën time i pashuar,
Sytë e tu i kam kujtim
Dashuri dritë praruar!

02.08.14
Düren

Maki Maqedonci Canolli:PSE PO QANË RAPSODI?

Pse i ndali sot sharkia këngë dhe valle?
Rapsodin e kaploi dhimbje e madhe!
Një lule u këput në kopshtin e tij
dhe do ta mbulojë dheu i zi.

Pse po qan rapsodi sot me shumë mallë?
Një dhimbje e madhe shpirtin ja ka vrarë,
shqiponja e tij diku në mërgim
ndërroi destinacionin u nis për amshim.

Dhimbja kaloi fusha,male,dete, e oqeane
na kaploi të gjithë ne shqiptarëve,
e dëgjoi këtë dhimbje edhe toka arbërore
sa shumë u godit një zemër prindërore.

Pse ti moj Shqipe u nise për amshim?
Me dhimbje në zemër e le babin Agim!
Ja ndale këngë e valle telave të sharkisë
e shpirtin e tij e mbuloi petku i zisë.

Pusho ti e qetë Shqiponja e atdheut tim
i lehtë ty të qoftë dheu i tokës në mërgim,
Shpirti yt u prehtë në paqe në atë botë
rapsodit tonë Zoti dhimbjen ja lehtësoftë!

Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj!
Në shenjë respekti dhe me dhimbje në zemër për ndarjen e parakohshme nga kjo jetë të bijës së rapsodit tonë Agim Gashi - Shqipe Gashit!

©Makfire M Canolli
New York

Anesti T Koxhaj:RAPSODI NË DHIMBJE

4. August 2014

Dridhshëm lëshoi tingullin lahuta e birit të Dardanisë
Shkëputet nga zemra e tij një copëz shpirt-drejt qiellit
Bija e tij ,vesh krahët e ëngjëllit,shkon drejt yjësisë
I lë babait në shpirt vetëm dhimbjen dhe rrezet e diellit

***
Mos u ligështo o lahutar,i vetë bjeshkëve kosovare...
Bashko dhimbjen tënde ,me durimin e vetë maleve !
Një ditë vetë Shqipja do hapi me krah-ëngjëlli dritare
Dhe do fluturojë ëmbël mbi tinguj lahute si ujvare...

Greqi 5 gusht 2014

Të nderuar miq e mikesha nuk kisha ndermënd të publikoj më poezi të mijat.Një fatkeqësi e ndodhur tek miku im dhe juaji mbase Tek AGIM GASHI që më datën 2 gusht iu nda nga jeta vajza e tij SHQIPE GASHI në moshë shumë të re...I shkoftë shpirti në parajsë kësaj vajze...të rapsodit dhe poetit të nderuar Agim Gashi.

FAMILJA GASHI NGA LIPJANI, SUEDIA DHE GJERMANIA

NJOFTOJNË

Njoftojmë të gjithë farefisin, miqtë, shokët dhe dashamirët se me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurës sonë
SHQIPE GASHI-HOXHA (24.09.1971-02.08.2014), caktojmë ditët e ngushllimit-të pamit më datat 08.09 dhe 10 gusht 2014 (ditët e premte, e shtune dhe e diele).
Ceremonia e ngushllimeve-të pamit mbahet në Lipjan. Rruga "Haxhi Kleçka" pn.

Të interesuarit mund të njoftohen edhe përmes telefonave:044-20 20 88, 044- 25 09 99 dhe 044- 61 03 33.

Pjesmarrja Juaj është nderim dhe ngushllim për ne.

FAMILJA GASHI: LIPJAN-Suedi-Gjermani.

FALENDERIM PUBLIK PËR TË GJITHË ATA QË NA NGUSHLLUAN DHE PO NA NGUSHLLOJNE

Të dashur familjarë, miqë, dashamirë e njerz tjerë nga e mbarë bota!
Ju që na u gjendet afër me ngushllimet e juaja përmes FB, telefonatave, letrave dhe vizitave të drejtëpërdjejta dhe vazhdoni të na ngushlloni në vazhdimësi të na vizitoni në këto çaste të dhimbjeve tona të pashuara për Shqipen time e cila mori rrugën e qiellit, Ju falenderoj nga zemra.
Qofshi të bekur nga Zoti e qofshit gjithmonë të nderuar ashtu si më keni nderuar Ju duke e ndarë dhimbjen me mua dhe me familjen time.

Me respekt Agim Gashi Kosovë-Gjermani!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat