Debati “Ballafaqim”, t`i kushtohet kujdes problemeve të mërgimtarëve

Diaspora

Debati “Ballafaqim”, t`i kushtohet kujdes problemeve të mërgimtarëve

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 12:34

Forumi Transparenca ka mbajtur ciklin e katërt të debatit “Ballafaqim” me temën “Çfarë trajtimi për diasporën?” të martën mbrëma në Prizren .
Në këtë debatit panelistë ishin drejtor i Drejtorisë së Administratës Komunale, Ilir Baldedaj, koordinator i Zyrës së Gjendjes Civile në komunën e Prizrenit, Ruzhdi Hoxha dhe zyrtar i Policisë së Kosovës, Vesel Gashi.

Në fillim të debatit panelistët kanë prezantuar veprimet që janë ndërmarrë nga Komuna dhe Policia me qëllim të ofrimit të shërbimeve më të mira administrative për mërgimtarët si dhe kushteve më të mira të sigurisë. Ata kanë pohuar se mërgimtarët sikurse edhe qytetarët tjerë shërbehen në mënyrë efikase me dokumentet e gjendjes civile.
Ndërsa zyrtari i Policisë së Kosovës, Gashi ka thënë se ky institucion ka hartuar planin operativ që aplikohet gjatë periudhës kur qyteti frekuentohet nga mërgimtarët, ku përfshihet siguria në trafik por edhe parandalimi i veprave të ndryshme penale.
Në anën tjetër, anëtarët e Forumit Transparenca dhe përfaqësuesit e partive politike opozitare kanë vlerësuar se institucionet nuk i kanë kushtuar kujdes të mjaftueshëm trajtimit adekuat të problemeve të mërgimtarëve, që në thelb janë edhe probleme të përditshme të qytetarëve të komunës së Prizrenit. Sipas tyre qeveria lokale nuk ka program qeverisës dhe si rrjedhojë nuk ka as strategji se si të ofroj një trajtim më të mirë për mërgimtarët.
“Fakti që qeveria komunale e Prizrenit nuk ka evidencë për numrin e mërgimtarëve nga kjo komunë sipas tyre dëshmon dështimin e sistemit kundruall diasporës dhe trajtimit të shqetësimeve të tyre dhe vë në pah paaftësinë për të tërhequr investimet nga ta për mundësimin e zhvillimit ekonomik lokal.
Forumi Transparenca do të vazhdojë organizimin e debateve të rregullta në kuadër të ciklit “Ballafaqim”, thuhet në njoftimin e Forumit Transparenca,.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat