Reagojnë 7 antarë të kryesisë së LDK-së në Zvicër, janë kundër koaliconit: LDK-AAK-NISMA-VV

Diaspora

Reagojnë 7 antarë të kryesisë së LDK-së në Zvicër, janë kundër koaliconit: LDK-AAK-NISMA-VV

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 15:58

Një pjesë e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zvicër, ka reaguar me një shkrim se është kundër kualicionit LDK-AAK-NISMA-VV, më poshtë e keni reagimin e plotë dhe arsyet se pse janë kundër këtij kualicioni:

(Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër, në mbledhjen e mbajtur më 14 qershor 2014, në një tension jashtëzakonisht të ashpër mori vendim që pas certifikimit të rezultateve të dalë me një deklaratë publike në të cilën do të kërkoj përgjegjësitë nga kryetari dhe kryesia për humbjet e zgjedhjeve si dhe do të shpreh qëndrimin kundër koalicionit LDK-AAK-NISMA. Por, personat e caktuar në kryesinë e Degës nën ndikimin e grupeve të interesit në Kryesinë Qendrore në Prishtinë, nuk i kanë kryer detyrat sipas vendimeve të marra në atë mbledhje).
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm dhe të kryesisë së LDK-së,

Zotëri kryetar Mustafa,

Anëtarët e Kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër, me vëmendje dhe shqetësim i kanë përcjellë zhvillimet politike në Kosovë, veçmas ato të pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, me çrast edhe shprehin indinjatën e thellë për humbjen e LDK-së në këto zgjedhje dhe për papërgjegjësinë që ka kryesia e LDK-së dhe kryetari Z. Isa Mustafa, të cilët nuk janë në gjendje që të marrin përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve për pushtetin qendror. Në vend që kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, të jepte dorëheqje konform përgjegjësive politike dhe deklaratave publike, ai edhe më tutje po vazhdon aventurat e tij të njohura në dëm të LDK-së dhe në dëm të vet Kosovës. Pas një shqyrtimi të vëmendshëm e të gjithanshëm të këtyre
zhvillimeve, anëtarët e Kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër, konsiderojnë se koalicioni LDK-AAK-NISMA, i mbështetur edhe nga VV, është skajshmërisht jo i natyrshëm dhe shkelje flagrante mbi votën e elektoratit të LDK-së, i cili nuk pajtohet që vota e tyre t’i dhurohet një kandidati të një partie që në këto zgjedhje është renditur në vendin e katërt a të pestë. Andaj, anëtarët e Kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër deklarohet publikisht se janë kundër pazarllëqeve skandaloze dhe ndarjes së pushtetit me njerëzit e partive minore për të cilët elektorati I LDK-së ka votuar kundër. Pos tjerash, koalicioni LDK-AAK-NISMA - i ideologjizuar, mbështetur, orkestruar e dirigjuar nga VV, është një koalicion i koncepteve të kundërta dhe se e vetmja gjë që i bashkon këto grupe janë kalkulimet dhe interesat e caktuara me dëme dhe pasoja të mëdha e të paparashikueshme për Kosovën.

Në këtë lojë makabre, shquhet veçanërisht kryetari i LDK-së, zotëri Isa Mustafa, i përkrahur nga një grup interesi në kryesinë qendrore, duke bërë kështu gabimin e radhës - fatal për të ardhmen e LDK-së në veçanti dhe të Kosovës në përgjithësi. Kryesia e LDK-së në Prishtinë, po udhëhiqet nga koncepte dhe praktika të perënduara dhe se, pa i analizuar me gjakftohtësi humbjet për pushtetin lokal, ajo po i bënë gabimet e radhës edhe tani pas humbjes spektakolare në zgjedhjet për pushtetin qendror. Gabimet e njëpasnjëshme që i ka bërë kjo kryesi, iu hakmorën në masë tragjike edhe si rezultat i anashkalimeve dhe injorimeve të shumë personaliteteve dhe veprimtarëve të njohur të cilët, dikur, i kanë dhënë emër LDK-së e që janë pikërisht ato figura të cilat udhëhoqën suksesshëm e me plot sakrifica proceset shtetformuese në kohët më të vështira.

Por, kursi politik i kryetarit Isa Mustafa dhe i kryesisë së LDK-së në përgjithësi, në raport me zhvillimet politike, janë në kundërshtim flagrant me etikën demokratike të vendeve Evropiane dhe të Amerikës dhe në kundërshtim me vullnetin e anëtarëve dhe veprimtarëve të LDK-së. Kryesia e LDK-së në Prishtinë, nuk ka pasur një program të qartë dhe as ndonjë alternativë për ti fituar zgjedhjet nacionale.

Poashtu, kryetari Isa Mustafa, duke mos mbajtur premtimet e proklamuara, dhe duke mos i bërë reformat e brendshme partiake dhe as ato zgjedhore, e ka katandisur si mos më keq LDK-në duke e shndërruar në një parti pa vizion dhe pa koncepte përmbajtjesore.

Dështimi i Qeverisë Thaçi ka ardhur edhe në saje të neglizhencës dhe paaftësisë udhëheqëse të vet LDK-së, e cila, si parti opozitare, nuk pat qëndrim konstruktiv në mandatin e shkuar, dhe nuk kishte një program të qartë për ta rrëzuar Qeverinë, por hyri në analet e historisë evropiane për ta shkarkuar parlamentin, gjë për të cilën, në rend të parë, ishte i interesuar vet ish kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaçi.

Gjatë tërë mandatit të kaluar LDK-ja dukej sikur të ishte marionetë e qeveris Thaçi dhe vazhdimisht i realizonte kërkesat programore që I parashtronte PDK-ja dhe vet kryeministri - saqë krijohej përshtypja setashmë kishte një marrëveshje të fshehtë mes PDK-së e z. Isa Mustafa, ku LDK-ja e kritikonte atë vetëm sa për spektakle mediatike, sjellje kjo e dyfishtë e cila edhe u ndëshkua nga elektorati; e tani Isa Mustafa marramendshëm nxitoi për të bërë koalicion, madje pa vendimin e Këshillit të Përgjithshëm si organ që ka mandat për këto çështje. Por siç shihet më vonë në mbledhjen e datës 11 korrik 2014, ky klan do të arrijë ta manipuloj edhe Këshillin e Përgjithshëm i cili tashti I ndanë përgjegjësitë me kreun aktual të LDK-së.

Me këto sjellje kryesia e LDK-së dhe kryetari Isa Mustafa kanë devijuar kursin politik të LDK-së dhe kanë shtrembëruar edhe esencialisht konceptin demokratik që e ka sendërtuar LDK-ja në krye me dr. Ibrahim Rugovën.

Kryesia e LDK-së dhe kryetari i partisë z. Isa Mustafa janë duke manipuluar me vullnetin e anëtarësisë së gjerë dhe me votën e elektoratit për t’ia sjell Kosovës një kryeministër dhe një qeveri të cilët për asgjë nuk dallojnë nga partia që ishte në pushtet, madje dyshohet se janë edhe më të zi se sa vet Hashim Thaçi me klikën e tij.

Kryetari i LDK-së, z. Isa Mustafa, duhet të mbajë fjalën e dhënë, e jo të bëjë koalicione dhe të deklarohet tani se nuk do të jape dorëheqje deri në Kuvendin Zgjedhor, i cili duhet të mbahet në vjeshtë.

Prandaj, anëtarët e Kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër, e shohin të arsyeshme të kërkojnë dorëheqjen e kryetarit Isa Mustafa si dhe të gjithë personave të implikuar në humbjen e zgjedhjeve nga LDK-ja;
madje, kjo kryesi, nuk duhet të ketë mandatin për të organizuar Kuvendin Zgjedhor pasi ky staf do ta manipulojë votën e delegatëve për interesat e tyre për t’i sjellë e rizgjedhur njerëzit e vet në krye të LDK-së, ashtu siç bëri edhe me Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.

Ma në fund Kryesia Qendrore e LDK-së duhet të tregojë pjekuri politike dhe ti pranojë përgjegjësitë për humbjet e njëpasnjëshme, për degradimin e vlerave dhe për devalvimin e konceptit dhe frymës rugoviane.

Anëtarët e Kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër bëjnë thirrje publike për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së z. Isa Mustafa dhe të stafit përgjegjës që janë shkaktarët kryesorë të degradimit të vlerave demokratike dhe të humbjeve të shumta në zgjedhjet për pushtet local dhe qendror dhe apelon tek delegatët dhe njerëzit e ndërgjegjshëm që t’i sfidojnë degradimet që po ia bënë LDK-së dhe Kosovës Isa Mustafa dhe një klan i interesave të ngushta që sillen rreth tij dhe janë pjesë e kryesisë së LDK-së.

Zvicër, 11 korrik 2014.

1. Saim Tahiraj

2. Shefqet Dibrani

3. Demë Jashari

4. Nazmi Peci,

5. Shaqir Shala

6. Ambroz Rrustemi

7. Xhelal Molliqaj

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat