15 vite nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, vrasësit të lirë

Diaspora

15 vite nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, vrasësit të lirë

Më: 7 korrik 2014 Në ora: 19:18

Në datën 9 korrik të vitit 2014 bëhen 15 vite nga vrasja e vëllezërve Mehmet (21), Agron (23) dhe Ylli (25) Bytyqi, nga ana e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB). Mossuksesi i institucioneve në lidhje me dënimin e këtij krimi tregon se drejtësia në Serbi është selektive, si dhe se personat përgjegjës për ekzekutimin e vëllezërve Bytyçi janë mbi ligjin.

Keshtu thuhet në një kumtesë të Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd.

“Pjesëtarët e MPB-së i kanë burgosur vëllezërit Bytyqi në datën 26 qershor të vitit 1999 në vijën administrative të Serbisë me Kosovën, derisa ishin duke i ndihmuar një familjeje rome për të kaluar në Serbi. Prej aty i kanë dërguar në Gjykatën e Qarkut në Prokuplje, ku iu është shqiptuar dënimi me burgosje për kundërvajtje për shkak të kalimit ilegal të kufirit.

Pas vuajtjes së dënimit, në datën 8 korrik të vitit 1999, pjesëtarët e MPB-së, Milosh Stojanoviqi dhe Sreten Popoviqi i kanë burgosur vëllezërit Bytyqi pikërisht në dalje të burgut. Me automjet zyrtar i kanë dërguar deri te Qendra për Mësim e Njësive të Posaçme të Policisë (NjPP) të MPB-së së Serbisë në Petrovo Selo dhe i kanë mbyllur në një hapësirë të vogël.

Në ditën në vijim, NN pjesëtarë të MPB-së i kanë dërguar në një vend në kuadër të qendrës mësimore ku tashmë ndodhej varreza masive me mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë civil të sjellë më herët nga Kosova. Pranë varrezës së hapur, derisa duart i kanë pasur të lidhura me tel kurse sytë të mbuluar me fashë, policët kanë shtënë në zverkun e tyre e pastaj i kanë hedhur në varrezën e hapur. Trupat e tyre janë gjetur në pranverën e vitit 2011.

Prokuroria për Krime të Luftës (PKL), në datën 23 gusht të vitit 2006 ka ngritur aktakuzë kundër ish pjesëtarëve të brigadës intervenuese 124 të NjPP Sreten Popoviqit dhe Milosh Stojanoviqit për shkak të krimeve të luftës kundër të burgosurve të luftës. Gjykata e Qarkut në Beograd, në datën 22 shtator të vitit 2009, ka sjellë aktgjykimin me të cilin, në mungesë të provave, të akuzuarit i ka liruar nga aktakuza. Pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit në Beograd, në datën 1 nëntor të vitit 2010, e ka hedhur aktgjykimin dhe e ka kthyer lëndën në gjykatën e shkallës së parë për rigjykim.

Në rigjykim, gjykata e Lartë në Beograd, në datën 9 maj të vitit 2012 prapë ka sjellë aktgjykim lirues, kurse në datën 18 janar të vitit 2013 Gjykata e Apelit në Beograd e ka konfirmuar aktgjykimin lirues. Gjykimin e kanë karakterizuar obstruksionet nga ana e MPB-së dhe kërcënimet për punonjësit e policisë, të cilat kanë dëshmuar gjatë gjykimit.

Sipas provave të paraqitura gjatë gjykimit dhe të dhënave publikisht në dispozicion, vrasjen e Agronit, Yllit dhe të Mehmetit e ka urdhëruar Ministri i asokohshëm i Punëve të Brendshme, Vllajko Stojiljkoviqi. Urdhri është përcjellë nëpërmjet të zinxhirit komandues deri te ekzekutori.

Në zinxhirin e komandës është gjetur kryeshefi i asokohshëm i Resorit të Sigurisë Publike, Vlastimir Gjorgjeviqi, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime në Kosovë, si dhe komandanti NjPP dhe i Qendrës së Mësimit në Petrovo Selo, kurse sot biznesmeni, themeluesi i organizatës joqeveritare Qendra për Studimin e Terrorizmit dhe anëtari i Këshillit qendror të Partisë progresiste serbe, Goran Radosavljeviqi, Guri.Vrasja e Mehmetit, Yllit dhe Agronit është subjekt i veprimeve hetimore të PKL dhe MPB-së tash e dhjetë vite. Vazhdimësia e mossuksesit në ndriçimin e këtij rasti tregon se kryerësit e krimeve në Serbi nga vitet nëntëdhjetë ende janë më të fortë se sa institucionet dhe sundimi i ligjit”, thuhet në kumtesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat