VATRA e shqetësuar nga dhuna policore në Maqedoni

Diaspora

VATRA e shqetësuar nga dhuna policore në Maqedoni

Më: 6 korrik 2014 Në ora: 21:36

Federata Panshqiptare e Amerikës "VATRA" po i ndjek me shqetësim protestat e shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup dhe dënon me indinjatë dhunën e egër, ushtruar nga autoritetet policore të qeverisë Maqedonase.

"Pamjet e përgjakura që vijnë nga videot dhe nga media, tregojnë se Maqedonia për shqiptarët mbetet shtet policor dhe demokracinë e ka fasadë për Perëndimin dhe të drejtë vetëm për maqedonasit. Vatra konstaton se qeveria Maqedonase po i frynë zjarrit të përçarjes dhe urrejtjes etnike kur i akuzon shqiptarët e Maqedonisë si terroristë, në vend që t’i trajtojë ata si pjesë integrale dhe shtetformuese e shtetit problematik, që ende nuk ka zgjidhur problemet e të drejtave të etnive. E ashtuquajtura “Marrëveshja e Ohrit” duket se ka mbetur në sirtarë. Shteti multietnik i Maqedonisë duhet të garantojë drejtësi për të gjithë, jo vetëm për maqedonasit", thekson "VATRA".

Sipas reagimit, vrasja e të riut maqedonas u dha shkas ultranacionalistëve maqedonas, për të djegur, shkatërruar, dhe plaçkitur dyqanet e shqiptarëve, ndërsa shteti, që ka për detyrë mbrojtjen e pasurisë së shtetasve, ndërhyri me shumë vonesë, thjesht si alibi për të mos u bërë publikisht palë me shkatërruesit, por dëmi u bë dhe zemrat në palën tjetër, ishte maksimale.

"Mosdënimi i ultranacionalistëve maqedonas e komprometon vetë shtetin. Ndërsa dhuna qe u ushtrua nga policia gjate protestës te se premtes, ishte barbare dhe e dënueshme. Shteti te dënoje ushtruesit e dhunës.
Në gjendjen kaotike që është krijuar, politika shqiptare, veçanërisht ajo që është pjesë e bashkëqeverisjes, por edhe opozita, duhet t’u dalë për zot bashkatdhetarëve dhe t’i orientojnë ata për të mos rënë në kurthin që u ka ngjitur vetë Shteti, duke përkëdhelur ultranacionalistët, e duke i përdorë gjyqet dhe dënimet e përjetshme vetëm për shqiptarët. Nga ana tjetër, Vatra, u lutet bashkatdhetarëve tanë, që të ruajnë gjakftohtësinë në mënyrë që ngjarjet të mos precipitojnë në dëm të atyre vetë dhe të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë", theksoi "VATRA".

"Vatranët janë me ju për të kërkuar të drejtat që ju takojnë, por Vatra ju lutet, që të shmangni violencën, mos bini viktima të provokimeve, por tregohuni të përmbajtur dhe ruhuni nga kurthet, veçanërisht kurthet fetarë , që sllavët i mbajnë gjithmonë ngrehur për të shuar zërat tuaj. Po ratë në këto kurthe protestat tuaja do të keqpërdoren", thekson kjo federatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat