Në bassano u promovua libri “përmallje “ i merita berdica - kastrati

Diaspora

Në bassano u promovua libri “përmallje “ i merita berdica - kastrati

Nga: Gëzim Muçolli Më: 11 prill 2014 Në ora: 16:00

Mërgata shqiptare në Itali viteve të fundit po shënon rritje të veprimtarisë në organizimin e aktiviteteve të ndryshme që shënojnë jo vetëm rritjen kualitative por edhe plotësim të kërkesave të reja të një publiku të kulturuar në frymë patriotike dhe me ndiesi të larta artistike.

Duke përmbyllur edhe dekadën e dytë të pranisë së konsiderueshme të mërgimtarëve në shtetin italian , krahas shkollimit të fëmijëve po rriten edhe kërkesat për organizim të aktiviteteve kulturore më të pasura artistikisht krahas atyre tematike që zakonisht shënojnë festat kombëtare të lidhura me historinë e lavdishme të popullit në trojet etnike shqiptare.

Prezenca e krijuesve të ndryshëm në mesin e mërgimtarëve i jep nxitje aktiviteteve të shumta dhe pasuron anën përmbajtësore të manifestimeve kulturore të shoqatave kulturore dhe atdhetare të cilat janë më të shumta dhe aktive në Italinë verilindore ku jeton dhe vepron numri më i madh i mërgimtarëve, sidomos atyre nga Kosova.
Nuk janë të rralla edhe orët letrare dhe promovimet e librave të rinj të shkruar nga krijues të ndryshëm që jetojnë të mërguar këtu. Tashmë edhe janë krijuar njohje dhe mundësi bashkëpunimi mes krijuesve duke i hapur rrugë krijimit të traditës së përjetimit artistik dhe vlerësimit të së bukurës. Emra të ndryshëm krijuesësh , disa të njohur edhe më parë në vendlindje e disa tjerë që vetëm pasi shkuan në mërgim gjetën mundësi për të krijuar imazhin e tyre, tashmë falë edhe mundësive të teknologjisë informative kanë krijuar rrjet bashkëpunimi duke filluar nga Padova e Treviso, pastaj edhe Verona, Venezia, Bassano del Grappa, Arzignano, Montebelluna, e deri te qyteti verior i Triestes. Bile ka edhe bashkëpunim të ndërsjellë edhe me krijues mërgimtarë që jetojnë në republikën fqinje të Sllovenisë.

Pasditen e të diellës së 6 prillit 2014, në lokalet e shkollës fillore “Jaccopo Ferrazzi” në Kartiliano ( Cartigliano) të Bassano del Grappa, organizuar nga Shoqata kulturore “Bashkimi kombëtar” u mbajt një takim i rëndësishëm me mërgimtarë të ardhur nga qytete të ndryshme të krahinës së madhe të Venetos. Kjo ditë e bukur pranverore kaloi si festë e librit.

Para rreth 50 dashamirësve të artit letrar si dhe veprimtarëve të çështje kombëtare u bë promovimi i librit “Përmallje “ të autores shkodrane Merita Berdica – Kastrati që jeton në mesin e tyre në qytetin e bukur të Bassano del Grapa. Autorja është e njohur dhe zonjë e respektuar në mesin e bashkëatdhetarëve sepse ka shumë vite që jep kontributin e saj si mësuese në shkollën me mësim plotësues për fëmijët e mërgimtarëve në këtë qytet.
Tubimin e hapi nënkryetari i shoqatës z. Ragip Thaqi , përgjegjës për kulturë dhe i shkollës shqipe.Ai pasi përshëndeti të pranishmit foli me respekt për autoren e librit, kolegen e tij në mësimdhënie,duke e falenderuar që ky prezentim u bë rast që tubohen miq dhe dashamirë të librit shqip. Ai lexoi vargjet e zgjedhura e një poeti kushtuar ditës ndërkombëtare të poezisë të cilat ia dedikoi poetes Merita.
Avdi Beqiri , kryetar i shoqatës “Bashkimi Kombëtar “ nga Bassano del Grappa duke e uruar autoren për botimin e librit dhe për punën e saj shumëvjeqare në aktivitetet e shkollës shqipe, tha se ky libër vlen shumë sepse te Merita gjithmonë kemi dalluar atdhedashurinë, vlerat, dashurinë për punën dhe jetën, përkushtimin në punën vullnetare në shkollë me fëmijët e mërgimtarëve.Ai i uroi që poetja të vazhdojë të shkruajë e të na frymëzojë me publikimet e saja.

Vargjet e zgjedhura të poezisë “Himn i dashurisë” të thëna me shpirt artistik nga recituesja e re e njohur Edona Thaqi , i paraprinë buqetave të luleve të freskëta pranverore që i dhuruan mësueses Merita Berdica nxënëset e saj Qëndresa dhe Agnesa.

Në pjesën tematike të këtij prezentimi , analizën letrare me vështrim kritik me titull “Mozaiku poetik mes mallëngjimit dhe mbijetesës” e paraqiti Gëzim Muçolli nga Padova, i cili theksoi se “autorja në libër me sinqeritetin e krijuesit na dëfton raportin e saj me të kaluarën dhe duke kaluar nëpër kujtime ushqen vërtetësinë e kohës reale edhe punon me durim në mozaikun e gjallimit të saj në kohë.Poetja duke mos mohuar të kaluarën jo aq të lehtë për shpirtrat krijues në një kohë që filloi të ndryshojë para dy dhjetvjetshave ,nuk dëshiron të përmbysë memorjen apo të harrojë zymtësinë e asaj kohe të ideologjizuar skajshmërisht deri në militantizmin e çmendur edhe në fushat e artit vështirë të krahasueshëm me kohën e sodit. Përshkrimet artistike të shumta duke filluar nga vendlindja e saj e lashtë e deri te mërgimi , janë plot gjallëri dhe mendimi i pjekur brenda vargut na jep mundësinë për të vlerësuar edhe njëherë edukatën e krijueses dhe qytetarinë e saj të lindur në Shkodrën e njohur qe disa mijëvjeqarë për kulturën karakteristike dhe bujarinë autoktone”.

Emocione të veçanta solli recitimi i disa poezive të librit “Përmallje” nga Erblina Thaqi , Leutresa Gashi, Urtesa, Veziri , Agnesa dhe Qëndresa , që të gjithë nxënës të poetes dhe mësueses Meritë.

Poashtu edhe poetja nga Arzignano e Viçencës, Miradije Zymeri-Avdullahi pasi e përgëzoi autoren për librin e saj të parë dhe i dëshiroi suksese të reja në krijimtari, lexoi një poezi të zgjedhur nga libri “Përmallje”.

Nga publiku i cili ndoqi me vëmendje këtë prezentim morën fjalën duke shprehur fjalë miradije poezive të librit dhe poetes, edhe Arsim Berisha aktivist i dalluar i çështjes kombëtare në Itali, pastaj profesor Faik Tafolli kryetar i Shoqatës “Dardania” nga Montebelluna, dhe veprimtari Florim Zeqa nga Orsago.

Edhe poetja tjetër shkodrane Liri Bimi që jeton në Arzignano , lexoi një poezi plot emocion duke uruar vendasen e saj për suksese të reja në krijimtari, duke e përgëzuar për motivet e bukura sidomos nga Shkodra që janë brenda faqeve të librit.

Pas kënaqësisë që solli interpretimi i violinistit Mujë Kika si dhe interpretimit të këngës “Moj e bukura More” nga Edona Thaqi , vazhdoi diskutimi rreth librit me fjalët e zgjedhura të krijuesit tjetër të mirënjohur në Itali , ish koleg i autores si mësues në shkollën shqipe të Bassanos dhe tani nënkryetar i shoqatës “Iliria” në Treviso Beqir Cikaqi. Ai tha se poetja “duke skalit në vargje e rreshta, paraqet inspirimin e ndjenjave (jo vetëm të veta!) por, edhe njerëzve tjerë që jetojnë larg vendlindjes- në vend të huaj, e që shpirtin dhe ndjenjat i kanë të lidhur ngushtë me mëmëdheun, duke i kujtuar e rikujtuar bukuritë, krenarinë e dhimbshmërinë e vendlindjes dhe njerëzve të saj. Autorja, gjithë këtë përmbledhje e gërsheton në formë tredimensionale, duke u zgjeruar në shumë variante, si: vendlindja,mërgimi dhe fëmijët. Në këtë trinom, autorja paraqet ndjenjat, me një përmallje të pa shuar duke mos anashkaluar as karakteristikat negative të përcjellura nga kohërat e kaluar edhe tani.”

Pas këtyre fjalëve plot sinqeritet nga ish kolegu , fjalën e mori autorja Merita Berdica – Kastrati e cila i falënderoi të gjithë të pranishmit duke treguar se ndihet e respektuar që ndodhet para këtij publiku serioz që di të vlerësojë punën atdhetare dhe krijuese. Duke folur për fillet e krijimtarisë së saj nga bankat e universitetit ajo pranoi se ende ka vështirësi ta quajë veten poete duke pasur parasysh veprat dhe emrat e autorëve që përherë e kanë frymëzuar e këtu foli për kolosët (siq i quajti ajo) e letërsisë shqipe në Kosovë dhe Shqipëri.
Duke folur pastaj për ardhjen e saj në mërgim ajo tha se midis të kaluarës dhe jetës së re , poezia ishte pasqyrë për të rishikuar gjithçka që rrethon ekzistencën time dhe ishte nxitje për ta shkruar këtë libër. Botimi i librit ishte kënaqësi dhe dëshmi se shkrimet e mia u përmblodhën me plot spontanitet nga vargjet e shkruara në rrethana të përditshmërisë plot me motive nga thesari i kujtimeve.

Ajo duke folur për botimet e shumta të zhanreve të ndryshme që kanë mbushur libraritë e Shkodrës dhe qyteteve tjetra, tha se nuk e ka ndërmend një botim të dytë sepse sot autorët e rinj shpeshherë po e penalizojnë vetveten me botime të ngutshme e sidomos me publikime në internet.

Ndër temat që ka shtjelluar brenda faqeve të librit ajo veçoi dashurinë e cila dikur ka qenë tabu , dhe në krahasim me kohën e tashme ishte diçka e pamenduar, pastaj trajtimi i femrës si prostitutë, femrën maxhype të Shkodrës duke lypur me vuajtjet e saj plot fëmijë,etj. pra trajtimi i femrës në art me lakuriqësinë e saj deri te lypsit si te shkrimet e Migjenit , tash kur jetojmë në një botë me fasadën e jashtme plot shkëlqim e brenda plot dhunë e përdalje.

Duke iu përgjegjur pyetjes së kryetarit Avdi Beqiri se si e ka ndier veten në promovimin e librit në Shkodër dhe në dhe në Bassano, Merita u përgjegj se promovimi në vendlindjen e saj ishte një surprizë si një trëndafil se nuk e priste kurse ky promuovi në mesin tuaj është diçka më shumë sepse këtu jemi mbledhur nga të gjitha trojet ku flitet shqip dhe duke qenë në mërgim na bashkon edhe dashuria për gjuhën, shkollën dhe librin shqip.

Moderatori i shkëlqyer i prezentimit të librit, Ragip Thaqi tregoi një anekdotë për Meritën duke treguar se ajo vjen me autobus nga Bassano në Cartigliano për të dhënë mësim nxënësve mërgimtarë dhe njëherë ajo kishte mbetur e bllokuar në trafik për shkak të një greve dhe kishte zbritur nga autobusi duke udhëtuar rreth 10 kilometra në këmbë vetëm për të mos mungar të mbajë mësimin në shkollën shqipe.

Pas këndimit të këngës “Thërret Prizreni mori Shkodër “ nga Brahim Gashi, Mujë Kika dhe Rrahim Xhema, për të pranishmit u organizua një koktej rasti, duke përmbyllur pasdite e bukur ku u fol me respekt për librin dhe mërgimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat