Përurohet sheshi “Scanderbeg”, në Fermo të Italisë

Diaspora

Përurohet sheshi “Scanderbeg”, në Fermo të Italisë

Më: 24 nëntor 2013 Në ora: 16:55

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në përurimin e monumentit dhe sheshit dedikuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu në Fermo të Italisë. “Ne meritojmë të jemi pjesë e Europës së bashkuar, e meritojmë që flamuri ynë të jetë njësoj si gjithë flamujt e vendeve të Bashkimit Europian ashtu sikurse fituam këtë të drejtë me meritë si një vend anëtar i NATO” u shpreh Meta.

Me ftesë të Shoqatës “Scanderbeg” me qendër të Fermo të Italisë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të monumentit të Heroit tonë Kombëtar në sheshin dedikuar Skënderbeut në këtë rajon.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin autoritetet më të larta lokale të zones, përfaqësues të Parlamentit Italian, përfaqësues të Senatit italian, Ambasadori i Shqipërisë në Itali, z. Neritan Ceka, zv/Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Xhavit Halili, Ambasadorja e Kosovës ne Itali znj. Bukurije Gjonbalaj, deputeti Spartak Braho, Presidenti i RTV “Ora-News”, z. Ylli Ndroqi, Kryegjyshi i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj, përfaqësues të komunitetit shqiptar në Itali.

Ceremonia nisi me ekzekutimin e himnit kombëtar shqiptar dhe himnit kombëtar italian, e më pas u vijua me përshëndetjet e rastit të mbajtura nga të gjithë të pranishmit, të cilët ndërsa vlerësuan marrëdhëniet e mira dhe të ngushta midis dy vendeve shprehën konsideratat e larta për figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta shprehu mirënjohjen ndaj komunitetit shqiptar në Itali për kontributin e tyre ndërsa vlerësoi bashkëjetesën pozitive të këtij komunitetit në Itali si një shprehje të miqësisë që dy vendet dhe popujt kanë me njeri-tjetrin.

Ai theksoi se, ashtu siç Skënderbeu dha për shqiptarët mësimin se “Bashkimi e bën fuqinë!”, të gjithë sot duhet të reflektojnë për një bashkëpunim të ngushtë me njeri tjetrin për të arritur suksese dhe për të fituar sfidat që kombi shqiptar ka përpara.

“Ky mësim është i vlefshëm edhe sot e kësaj dite, ku kemi nevojë të bashkohemi gjithnjë e më shumë, të bashkëpunojmë gjithnjë e më shumë për të spikatur, për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të popullit tonë dhe kombit tonë. Sepse ne meritojmë të jemi pjesë e Europës së bashkuar, e meritojmë që flamuri ynë të jetë njësoj si gjithë flamujt e vendeve të Bashkimit Europian ashtu sikurse fituam këtë të drejtë me meritë si një vend anëtar i NATO” u shpreh Meta.

Në fund të ceremonisë, Prefektja e Provincës së Rajonit Fermo, znj Emila Zarrilli nderoi Kryetarin e Kuvendit, z.Ilir Meta me një çmim kontributiv.

Gjatë kësaj vizite, Kryetari i Kuvendit, z.Meta mori pjesë në darkën madhështore të organizuar nga emigrantët e Fermos në Itali me këtë rast, ku të ftuara ishin gjithashtu edhe Kryetarja e Bashkisë së Fermos si dhe Prefektja e Provincës së këtij Rajoni.

Më herët gjatë vizitës në Fermo, Kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta u prit në një takim nga Kryetarja e Bashkisë së Fermos, znj. Nella Bramati, e cila ndërsa u shpreh e nderuar për këtë vizitë të z.Meta vlerësoi se komuniteti shqiptar është një pasuri e vyer për rajonin e Fermos.

Kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta i shprehu znj.Bramati mirënjohjen për mikpritjen dhe miqësinë që autoritetet e këtij rajoni i kanë foruar komunitetit shqiptar që jeton aty. “Shqiptarët në Itali ndjehen të vlerësuar dhe të respektuar. Shpreh mirnjohjen tonë për Fermon” u shpreh z.Meta.

Gjithashtu në një takim të veçantë Kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta u prit edhe nga Prefektja e Provincës së Rajonit Fermo, znj Emila Zarrilli, se ciles z. Meta i shprehu mirenjohjen per kujdesin qe autoritetet tregojne ndaj komunitetit shqiptar ne Itali, duke theksuar se "italia gjithnje e ka patur deren hapur per shqiptaret, qe prej arberesheve dhe duke mos harruar vitet 90"

Meta vuri ne dukje se marredheniet tona para se te jene politike jane mbi te gjitha njerezore dhe kulturore. Tani te punojme bashke per lidhje edhe me te forta ekonomike dhe turistike.

Më poshtë fjala përshëndetëse e Kryetarit të Kuvendit, z.Ilir Meta në ceremoninë e përurimit të monumentit të Heroit tonë Kombëtar në sheshin dedikuar Gjergj Kastriot Skënderbeut në Fermo të Italisë:

Falenderoj ambasadorin për italishten e tij, e cila është shprehje e italishtes së gjithë shqiptarëve, dhe nuk është diçka e re por është një italishte e mësuar në kohë shumë të vështira kur përmes Italisë dhe përmes televizioneve italiane shqiptarët komunikonin me perëndimin dhe mbanin të gjallë shpresat për lirinë dhe demokracinë.

Është kënaqësi e veçantë që të jem sot këtu në Fermo për të marrë pjesë në këtë aktivitet kaq kuptimplotë të organziuar nga shoqata “Scanderbeg” dhe dua të falenderoj zotin Nebi Muça dhe gjithë anëtarët dhe përkrahësit e kësaj shoqate për këtë vepër të mrekullueshme që kanë bërë këtu, për sheshin “Scanderbeg” që është këtu në Fermo, për monumentin e Heroit tonë Kombëtar, për këtë kontribut vullnetar por tepër domethënës që nuk nderon vetëm anëtarët e kësaj shoqate por na nderon të gjithëve dhe na detyron të gjithëve për të qenë më pranë këtij komuniteti të mrekullueshëm.

Dua të falenderoj Prefekten, Kryetaren e Bashkisë, të cilat edhe i kemi vizituar këto dy ditë, falenderoj deputetin e këtij rajoni, që është edhe sot këtu i pranishëm, falenderoj të gjithë përfaqësuesit e provincës, të rajonit sepse falë këtij bashkëpunimi kemi sot jo vetëm këtë shesh, sheshin “Scanderbeg” por njëkohësisht kemi këtë integrim të shkëlqyer të komunitetit shqiptar në Fermo ashtu sikurse kemi në të gjithë Italinë siç u shpreh edhe ambasadori Ceka.

Skënderbeu është figura më e madhe e kombit tonë, është figura që ka lënë gjurmë më të fuqishme në përcaktimin e identitetit tonë kombëtar por jo vetëm kaq, edhe të identitetit tonë europian. Është udhëheqësi i një populli të vogël që u ndesh për 25 vjet me perandorinë më të madhe dhe që provoi se e drejta është më e fortë se fuqia.

Është ajo figurë që me veprën e atij mbajti të gjallë shpirtin e kombit edhe në ditët më të errëta dhe më të vështira, është ajo figurë që frymëzoi Abdyl Frashërin dhe gjithë patriotët tanë për të bërë “Lidhjen e Prizrenit”, është ajo figurë që frymëzoi rilindasit tanë për të zgjuar ndjenjat kombëtare në momentet më të vështira ku rrezikohej ekzistenca e kombit dhe që çuan 101 vite më parë të gjithë patriotët tanë drejt Vlorës për shpallur pavarësinë e Shqipërisë.

Skënderbeu është ajo figurë që mbajti të gjallë shpresat e shqiptarëve të Kosovës, për liri dhe për çlirim nga shtypja dhe nga genocidi. Është ajo figurë që na nderon në Europë.

Ndaj dhe ne sot jemi të nderuar që sot Skënderbeu është këtu në Fermo, ashtu sikurse është në Romë, ashtu sikurse është në Gjenevë, ashtu sikurse është në Bruksel, ashtu sikurse do të jetë shumë shpejt në sheshin kryesor të Budapestit dhe në shumë kryeqytete të tjera europiane.

Sepse Skënderbeu nuk ishte vetëm një luftëtar për të mbrojtur popullin e tij dhe lirinë e tij por Skënderbeu u kthye në një kalorës të qytetarimit europian, të krishtërimit, u kthye në një mburojë të perëndimit nga një perandori shtypëse dhe barbare e asaj kohe.

Për shkak të Skënderbeut dhe të luftrave të tij, shqiptarët paguan një çmim shumë të lartë pas vdekjes së tij. Ndaj edhe ishin me mijëra e mijëra prej tyre të cilët arritën në brigjet e Adriatikut ku gjetën mikpritjen dhe ku u integruan në mënyrë të shkëlqyer por edhe që ditën të ruajnë edhe pas 500 vitesh, edhe sot e kësaj dite, gjuhën, kulturën e tyre, pra e kam fjalën për arbëreshët tanë të dashur dhe të çmuar, të cilët janë një shembull i shkëlqyer jo vetëm i integrimit por edhe i ruajtjes së traditave më të mirë kombëtare.

Dhe pas ’90 kur Shqipëria u hap drejt botës, kur varfëria dhe mjerimi ishin plagët më të mëdha, për të shpëtuar prej këtyre plagëve shumë prej qytetarëve tanë, shumë prej jush gjetën përsëri mikpritjen në këtë anë të Adriatikut. Dhe ne jemi krenar sot për integrimin tuaj të shkëlqyer, për vlerat e mrekullueshme që ju rrezatoni edhe këtu në këtë komunitet, për bashkëpunimin tuaj të jashtëzakonshëm.

Falë këtij bashkëpunimi ne jemi sot këtu në Fermo dhe përurojmë këtë vepër mjaft domethënëse dhe nga Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar ne shqiptarët kemi mësuar mësimin më të rëndësishëm se: “Bashkimi e bën fuqinë!”, dhe se duhet gjithmonë të bashkohemi dhe të bashkëpunojmë me njeri tjetrin për të arritur sukses dhe për t’i fituar sfidat që kemi përpara dhe ky mësim është i vlefshëm edhe sot e kësaj dite, ku kemi nevojë të bashkohemi gjithnjë e më shumë, të bashkëpunojmë gjithnjë e më shumë për të spikatur, për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të popullit tonë dhe kombit tonë.

Sepse ne meritojmë të jemi pjesë e Europës së bashkuar, e meritojmë që flamuri ynë të jetë njësoj si gjithë flamujt e vendeve të Bashkimit Europian ashtu sikurse fituam këtë të drejtë me meritë si një vend anëtar i NATO.

Për mua është një kënaqësi e veçantë, që ndodhem këtu bashkë me Nënkryetarin e Parlamentit të Kosovës, z.Xhavit Haliti, që jemi këtu me përfaqësues të nderuar, nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i zi, Skënderbeu është figurë që bashkon shqiptarët anë e mbanë botës, është një figurë që vazhdon të frymëzojë me veprën e tij.

Natyrisht që ai nuk është figura e vetme, dhe unë do doja të përmendja edhe një figurë tjetër të jashtëzakonshme, e cila bashkë me figurën e Skënderbeut, plotësojnë në fakt karakterin e shqiptarit në shekuj, që është figura e Nënë Terezës, sepse vetëm një komb që ka përjetuar aq shumë vuajtje, aq shumë tragjedi, aq shumë dhimbje, aq shumë varfëri sikurse është kombi ynë mund të nxirrte një shenjtore të tillë, që kuroi dhimbjet, vuajtjet dhe varfërinë e fëmijëve anë e mbanë botës si Nënë Tereza.

Ju falenderoj të gjithëve për këtë solidaritet të mrekullueshëm që demonstroni si komunitet këtu në Fermo, të cilin e vumë re edhe mbrëmë edhe sot.

Dhe dua t’iu siguroj se do të jemi pranë jush gjithnjë e më shumë, ashtu sikurse i kam siguruar edhe autoritetet më të larta italiane këtu se akti i tyre për të ndihmuar që ky shesh të jetë sheshi “Scanderbeg” dhe të vendoset këtu monumenti i Heroit tonë Kombëtar do ta bëjë Fermon një qendër shumë të rëndësishme për t’u vizituar nga shumë e shumë shqiptarë jo më si emigrantë, por si turistë, si vizitorë edhe për këtë arsye, sepse do të takohen me Heroin e tyre Kombëtar këtu dhe kjo është falë jush, falë angazhimit tuaj, falë kontributit tuaj, falë patriotizmit tuaj.

Ndaj ju falenderoj nga zemra dhe i uroj suksese të mëtejshme komunitetit tonë këtu në Fermo dhe të gjithë emigrantëve tanë në të gjithë Italinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat