Arrestohet vrasësi i Selim Elshanit, viktimë e gjakmarrjes

Diaspora

Arrestohet vrasësi i Selim Elshanit, viktimë e gjakmarrjes

Më: 22 gusht 2013 Në ora: 17:56

Më në fund pas pesë muajsh kërkime policia e Zvicrës i ka rënë në gjuri autorëve të vrasjes së bujshme të kryer në Frasses të Friburgut, në muajin maj.
Policia zvicerane ka bërë të ditur se policia e Kantonit të Friburgut në bashkëveprim me atë të Bernës ka kapur në Zollikofen të Bernës një shqiptar nga Kosova 31 vjeç, i cili dyshohet se është njëri nga autorët e vrasjes së Selim Elshanit, në sy të familjes së tij, ish-gruas italiane dhe të dy fëmijëve të vegjël.
Sipas medieve zvicerane, i dyshuari është arrestuar në banesën e tij. Policia në banesën e tij dhe në vendin e tij të punës ka konfiskuar shumë objekte që mendohet se kanë lidhje me skenën dhe përgatitjen e vrasjes.
Familja Elshani, kishte vënë një shpërblim prej 20 mijë frangash për ata që do të zbulonin vrasësit. Elshani ishte 36 vjeçar dhe kishte pasaportë italiane.
Dy të dyshuarit ishin parë duke ikur në këmbë në drejtim të Payerne, pat thënë policia e Frobourgut pas nisjes së hetimeve për vrasjen.
Dëshmitarët në Zollikofen e kanë parë të kryente arrestimin dhe bastisjen. “Policia e maskuar kishte marrë nga shtëpia e tij një burrë trupgjatë dhe biond, të lidhur me pranga dhe me sy të mbyllur”. Para se të ndodhte arrestimi, policia me makinat e saj me targa të Freiburgut e kishin bllokuar rrugën.
Selim Elshani, 36 vjeçar nga Ozdrimi i Pejës, u vra në muajin mars, dhe sipas burimeve të gazetës sonë, thuhej se bëhej fjalë për hakmarrje, persona të angazhuar nga familja Kelmendi, e cila kishte angazhuar vrasës me pagesë edhe në raste të tjera.
Selimi ishte viktima e 11 e kësaj përleshje me dekada ndërmjet dy familjeve, ndërsa kjo ishte viktima e tretë e familjes Elshani, e cila kishte arritur të vriste hiq më pak se 8 anëtarë të familjes Kelmendi.
Ajo që kishte bërë jehonë në opinionin zviceran pas vrasjes ka qenë vendimi i familjes së të vrarit që të shpallte një shpërblim prej 20 mijë frangash për ata që ndihmojnë gjetjen e vrasësit. Autoritetet e Zvicrës e kishin dënuar këtë shpallje duke e quajtur të kundërligjshme. Ende nuk dihet nëse kjo shpallje e familjes mund të ketë pasur rëndësi për zbardhjen e rastit dhe arrestimin e njërit prej të dyshuarve në Zollikofen.
Derisa Selimi është viktima e tretë, familja Kelmendi, ka të paktën dy veta në burgun e Dubravës, për vrasjen e babait të Selimit, Jusufit.
Selim Elshani ishte djali i Jusuf Elshanit, i cili ishte vrarë së bashku me Afrim Halitin në vitin 2004 në një atentat në Vitmoricë të Pejës. Por, viktimës iu kishte vrarë edhe një vëlla në vitin 2000, Virgjil Elshani ish-ushtar i UÇK-së. Vrasja kishte ndodhur, derisa familja Elshani po kthehej nga një gjykim, ku kishte akuzuar disa persona se ia kish vendosë një bombë me teledirigjim.
Personat kishin sulmuar familjen Elshani kanë qenë me prejardhje nga Shqipëria ata ishin kapur nga policia dhe kishin treguar se janë paguar nga familja Kelmendi nga Peja.
Shefqet Kelmendi ishte vrarë rreth 7 muaj më parë në Pejë, që dyshohet se ky ishte motivi gjakmarrjes, vrasjes së Selim Elshanit.
Disa vite më parë, gjatë një sulmi afër shtëpisë së familjes Kelmendi, kishte vdekur vajza e Shefqet Kelmendit.
Pavarësisht këtyre vrasjeve, asnjë nga to nuk ka marrë epilogun nga gjykata e madje asnjë person nuk është i arrestuar për këto raste.
Selim Jusuf Elshani, disa ditë pas vrasjes u varros në fshatin e tij të lindjes Ozdrim të Pejës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat