Nishani: Vatra, avokate e interesave kombëtare në SHBA

Diaspora

Nishani: Vatra, avokate e interesave kombëtare në SHBA

Më: 26 shtator 2012 Në ora: 12:07

Presidenti Bujar Nishani ka vleresuar rolin e Federatës Panshqiptare në Amerikë “Vatra”, të cilën e cilësoi e një avokate të interesave kombëtare në SHBA.
Nishani e ka bere këtë deklaratë në takimin vjetor të Federatës, ku ishte ftuar edhe delegacioni i Kosovës.
“Përfaqësuesit e federatës “Vatra” meritojnë respektin maksimal të mbarë kombit shqiptar për kontributin e rëndësishëm në historinë e kombit, për atdhedashurinë e lartë me të cilën mbrojtën liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike, në pavarësinë e Kosovës dhe demokratizimin e Shqipërisë”- tha Nishani.
Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme që Shtetet e Bashkuara, kanë dhënë për Shqipërinë dhe çështjen kombëtare duke siguruar se Shqipëria do të jetë përkrah tyre në sfidat me të cilat ballafaqohet sot për një botë më të mirë dhe demokratike.
Në darkën e shtruar me këtë rast merrnin pjesë kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra” Gjon Buçaj, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferid Hoxha, e mjaft përfaqësues të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Takimi është hapur nga kreu i Federatës “Vatra” Gjon Buçaj, i cili foli për kontributin e shquar të kësaj shoqate për çështjen kombëtare dhe ruajtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar.
Nishani më herët u takua edhe me përfaqësuesit e rrjetit shqiptar të profesionistëve dhe sipërmarrësve. Kreu i Shtetit nënvizoi se Shqipëria po bën gjithçka mundet për të bashkëpunuar dhe mbështetur diasporën shqiptare kudo ajo ndodhet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat