Sefa triumfon në ‘Tour de Kosova’

Çiklizëm

Sefa triumfon në ‘Tour de Kosova’

Nga: Kemajl Goca Më: 28 gusht 2016 Në ora: 17:07
Pamje nga gara

Çiklisti i klubit Tirana, Ylber Sefa, është fitues i ‘Tour de Kosova’, që u mbajt për katër ditë rresht. Sefa ishte më i mirë se të gjithë dhe arriti të zë vendin e parë në renditjen e përgjithshme, duke e lënë pas garuesin e përfaqësueses së Kosovës, Egzon Misinin. Përfaqësuesja e Kosovës zuri vendin e parë në ekipore, duke lënë pas Velo-M nga Kumanova.  Egzon Misini triumfoi në etapën e katërt, me kohë të kaluar për 3:26:55 orë. Etapa u zhvillua në relacionin (120 kilometra) Prizren-Therandë-Budakovë-Shtime-Lipjan- Gadime-Mramorë.  Avni Nuha, kryetar i Federatës së Çiklizmit të Kosovës. Garën e vlerësoi si shumë të mirë madje sipas tij, është rritur edhe niveli i shpejtësisë. “Garën e vlerësojmë të suksesshme, por ka pasur mundësi ndoshta të jetë edhe më mirë. Morën pjesë  klubet, si Tirana e Besa e Kavajës nga Shqipëria, dy klubet nga Maqedonia: ‘Velo-M’ nga Kumanova dhe Veles, përfaqësuesja e Kosovës, AS Prishtina dhe Trepça nga Mitrovica”, tha Nuha për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

“Niveli është rritur, shpejtësia ka qenë mbi 39 mesatarja. Çiklistët e kanë kuptuar seriozisht garën në të gjitha aspekte, sepse është sport fisnik dhe që shijon të gjitha bukuritë e këtij shteti siç është Kosova”, - theksoi ai. Çiklistët e Kosovës pas kësaj gare tani do të mendojnë për aktivitete tjera që e presin në javët e muajit e ardhshëm. “Është Kampionati Evropian elitë dhe U-23, pastaj ai ballkanik dhe në muajin tetor edhe Kampionati Botëror. Përzgjedhësi duhet të përgatit çiklistët për këto garat e   mëdha.  Paraprakisht do të mbajmë dhe Kuvendin zgjedhor të federatës, pasi që kemi përfunduar ciklin olimpik”, tha Nuha.  Ai thotë se Sefa është një çiklist i jashtëzakonshëm i cili para dy viteve ka garuar për Kosovën. “Ylber Sefa para dy viteve ka garuar për Kosovën. Është çiklist i nivelit botëror dhe garon në një klub në Belgjikë. Ai para një muaj e gjysmë, së bashku me Euger Zhupa e Redi Halilaj, janë kampion ballkanik”, thotë më tutje. Nuha e lavdëron edhe Misinin që përfundoi i dyti në renditjen e përgjithshme. “Egzon Misini ka arritur rezultat shumë të mirë. Ai ka qenë në Gjermani në kohën kur shkoi azil, pastaj u kthye me 14 maj të këtij viti dhe iu qas punës me përkushtim, duke arritur nivelin shumë të mirë”, thotë Nuha. Fituesi i ‘Tour de Kosova u shpërblye me 250 euro.

Rezultatet e etapës 4-të

1.Egzon Misini  (Kosova)    3:26:55  orë

2. Ylber Sefa (Tirana)   3:26:59

3. Nikolla Lefkov (Velo - M) 3:32:59

Renditja e përgjithshme

1. Ylber Sefa (Tirana)

2. Egzon Misini (Kosova)

3. Nikolla Gjukiq (Velo-m)

4. Rrahim Mani (Kosova)

 

Renditja ekipore

1. Kosova

2.Velo-m

3. AS-Prishtina

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat