Kozniku: Franca ka ngarkesë më shumë se Kroacia

Botërori 2018

Kozniku: Franca ka ngarkesë më shumë se Kroacia

Nga: Kemajl Goca Më: 13 korrik 2018 Në ora: 19:03
Ardian Kozniku

Franca pretendon ta fitojë titullin e botës dhe ta kthejë në vitrinat e tyre pas 20 viteve, ndërsa Kroacia është e vendosur si asnjëherë më parë që ta ngritë për herë parë në histori të saj trofeun më të çmueshëm. Të dielën në orët e pasdites (17.00), në stadiumin “Luzhniki” në Moskë, do të zhvillohet finalja e madhe e Kampionatit Botëror – “Rusia 2018”, Francë -Kroaci. Emocione të mëdha qoftë të njëra kombëtaret dhe qoftë të tjetra sepse është vetëm një ndeshje finale dhe çdo gabim eventual nuk do të ketë mundësi të përmirësohet. Franca me sulmuesit më të rrezikshëm, Kylian Mbappe, po ashtu edhe me Antoine Griezmann, synojnë vetëm fitore, pa harruar edhe emra të tjerë, si Giroud, Pogba sidomos portierin shumë të mirë Lloris. Kroacia ka ekip shumë të fortë, me një mesfushë të fuqishme në krye me kapitenin Luka Modriç, pastaj Ivan Rakitiç, me sulm të shkëlqyeshëm si Perishiç, Manxhukiç, pa e harruar edhe Repiçin etj. Ndeshje që pritet me emocione, Franca e bindur se nuk do ta lëshojë këtë mundësi të artë, sikurse edhe Kroacia që ka besim të madh në vete. Këto kombëtare patën një rrugëtim shumë interesant derisa kanë arritur në finale. 

Image

Franca ishte në grupin C, e cila në hapje me vështirësi e mundi me 2:1 Australinë, pastaj me 1:0 Perunë dhe u ndanë baras (0:0) me Danimarkën, duke e zënë vendin e parë me 7 pikë. Në të tetën e finales, francezët hoqën qafesh njërën nga kombëtaret më të forta siç ishte Argjentina e Lionel Messit. Franca shënoi fitore me rezultat 4:3, duke rrugëtuar në çerekfinale dhe e mposhti me 2:0 Uruguain. Në gjysmëfinale me shumë vështirësi e mundi (1:0) Belgjikën për të siguruar biletën për në finalen e madhe. Ndërkaq, Kroacia ka qenë dominuese në grupin D dhe në start e kishte mundur me 2:0 Nigerinë, pastaj e deklasoi me 3:0 Argjentinën dhe me 2:1 Islandën, duke zënë pozitën e parë me 9 pikë në grupin D. Për dallim nga Franca, Kroacia dy herë u kualifikua me penallti dhe një herë pas vazhdimeve dy herë nga 15 minuta.

Kroacia me Danimarkën u ndanë baras 1:1, kësisoj me penallti kroatët fituan me 3:2 dhe shkuan në çerekfinale. Në çerekfinale në kohën e rregullt luajtën baras (1:1) me Rusinë, pas vazhdimeve dy herë nga 15 minuta sfida përfundoi sërish pa fitues (2:2), por kroatët me penallti triumfuan me 4:3. Në gjysmëfinale treguan lojë të mirë dhe barazuan 1:1 me Anglinë, por në vazhdime dy herë nga 15 minuta kroatët ngadhënjyen me 2:1. Përzgjedhësi i kombëtares së Francës, Didier Deschamps dhe ai i Kroacisë, Zlatko Daliç, janë në presion të finales.

Ish futbollisti i mirënjohur, Ardian Kozniku, me Kroacinë kishin fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror – “Franca 98’, tha se do të jetë finale e madhe, por beson se kroatët do të fitojnë titullin e botës. Kozniku e kujton edhe humbjen në gjysmëfinale me rezultat 2:1 nga Franca në vitin 1998. Sipas tij, Kroacia ka një mesfushë të hatashme apo është zemra e kombëtares. Ai në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, tregon se ku është rreziku më i madh nga francezët për kroatët dhe pse këta të fundit kanë disa nga përparësitë. 

“Bota sot”: Kroacia kundër Francës në finalen e madhe, cila është më afër qëllimit?

Ardian Kozniku: Mund të them se gjasat janë 50 me 50, dy ekipe që janë ardhur me plotë meritë deri në finalen e Kampionatit Botëror. Franca do të ketë më shumë ngarkesë se Kroacia sepse kroatët si shtet i vogël kanë bërë shumë dhe kanë arritur deri në kulm. Detajet do të vendosin finalen, ndoshta edhe pak fati. Kroacia do të futet në këtë lojë pa kurrfarë ngarkese, të cilët kanë bërë një rezultat fantastik. Lojtarët kroatë janë optimistë dhe modest, kanë ardhur deri këtu dhe do të shkojnë deri në fund, shpresoj se Kroacia do të del fitues. 

Image

“Bota sot”: Ku i sheh përparësitë e Kroacisë?

Ardian Kozniku: Përparësitë e Kroacisë si deri tash, pra gjatë gjithë kampionatit, është një mobilizim, një ekip homogjene, me disiplinë fantastike, janë një frymë që kanë ardhur deri këtu. Përparësia më e madhe është se e kanë mesfushën më të mirë në botë, si Rakitiç, Modriç, Brozoviç, për shkak se aty ku mbahet topi është zemra e ekipit. Nuk duhet harruar edhe sulmuesit që ka, si Manxhukiç, Perishiç, Repiç, po ashtu edhe Modriç e Rakitiç në mesfushë dhe nuk i dihet se kush e ka ditën dhe pritet prej çdonjërit që të shënojë. Nëse si ecë Manxhukiçit, i ecë Perishiçit, të gjithë kanë bërë gola dhe plus edhe vija e fundit ka shënuar.  E ka një sulm të papërshtatshëm, tipik golashënues siç është Manxhukiç dhe me disiplinë të madhe në mbrojtje, nga portieri Subashiç, thjeshtë është një ekip fantastike. Mesfusha është zemra e ekipit në krye me Modriçin.

“Bota sot”: Ku është rreziku më i madh nga Franca?

Ardian Kozniku: Rreziku më i madh? Është një ekip që në çdo pozitë kanë lojtar shumë të mirë, ndër më të rinj në kampionat është Kylian Mbappe, në një formë fantastike. Aty e shoh rrezikun dhe besoj e shpresoj se Kroacia do të ketë dikë që do ta ndalë. Nëse ai ka hapësirë dhe nuk mundet kush me ndalë, vërtet do të jetë shumë rrezik. Janë ekip me përvojë të madhe dhe kanë ardhur deri në finale. Në ekipin e Francës nuk shoh që ka lojtarë sikurse që ka Kroacia, që çdonjëri është shënues plus mesfusha e jashtëzakonshme. Franca është ekip e organizuar dhe vjen deri te goli, por jo si Kroacia që ka lojtar që secili mund të shënojë. Është ekip me respektuar, ekip me traditë, me përvojë të madhe. Anën e Francës ka shumë gjëra pozitive, në këtë rast hovin që ka Kroacia, ka përparësi mesin e fushës.

“Bota sot”: A do t’i hakmerret Kroacia Francës për humbjen (2:1) në gjysmëfinalen e vitit 1998, kur ishin edhe ju pjesë e saj?

Ardian Kozniku: Një pyetje shumë me vend dhe është përmend disa herë edhe në Kroaci. Është për të uruar që kanë ardhur deri këtu, gjithë e presim se t’i kthehet një lloj borxhi. Lutem që të do Zoti t’i shkojë Kroacisë dhe t’ia kthejmë borxhin Francës kur na ka mundur në gjysmëfinale, nga ana sportive. E kanë parasysh lojtarët dhe kanë dëshirë për të arritur atë. Fati sportiv dhe na munden për pak atëkohë, tani kroatët nuk janë të ngarkuar që medoemos me i mund francezët, por një dëshirë me u bë kampion bote. Nuk janë të ngarkua në këtë aspekt vetëm që të hakmerren.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat