Deschamps: Ishte e vështirë ndaj Belgjikës

Botërori 2018

Deschamps: Ishte e vështirë ndaj Belgjikës

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 12:45
Deschamps: Ishte e vështirë ndaj Belgjikës

Franca mëton titullin e kampionit të botës. Francezët janë në finalen e madhe, pasi e hoqën qafesh edhe Belgjikën, duke e mundur me rezultat 1:0, në ndeshjen gjysmëfinale. Franca është e bindur se ka ekipin më të mirë dhe se mund ta fitojë titullin e kampionit. Francezët nuk e kishin rrugëtimin e lehtë deri në finalen e madhe sepse patën disa kundërshtarë të fortë. Ata ishin në grupin C dhe me dy fitore e një barazim u kualifikuan.

Në hapje e mundën me 2:1 Australinë, pastaj me 1:0 Perunë dhe u ndanë baras (0:0) me Danimarkën, kësisoj zunë vendin e parë në grup me 7 pikë. Franca dëshmoi fuqinë në takimin e të tetës së finales, kur e mposhtën me rezultat 4:3 Argjentinën e Lionel Messit. Në çerekfinale kishin punë goxha të vështirë për shkak se u ballafaquan me një kombëtare shumë të fortë në repartin e mbrojtjes, siç ishte Uruguai dhe e mundën me 2:0.  

Në gjysmëfinale ia dolën (1:0) në përballje me Belgjikën.  Përzgjedhësi Didier Deschamps, ka qenë pjesë e Francës në vitin 1998, kur si futbollist (kapiten) fituan titullin e kampionit, pasi që kishin mposhtur në finale me rezultat 3:0 Brazilin. Ai tani synon edhe si trajner ta ngritë trofeun e çmueshëm dhe është optimist i madh. “Është diçka e jashtëzakonshme.

Jam vërtet i lumtur për futbollistët e mi, janë të rinj, por me karakter dhe mentalitet. Ishte e vështirë ndaj Belgjikës, por ky triumf i vogël është i gjithi për ne. Një triumf i forcës së karakterit dhe grupit, sidomos pasi shënoi një mbrojtës”, tha Deschamps. “Kemi punuar shumë në aspektin mbrojtës, ndoshta mund të përfitonim më shumë sa i përket lojës tonë. Por, i ul kapelën lojtarëve dhe stafit tim.

Do të luajmë ne këtë finale. Ndjej shumë krenari, kemi 49 ditë bashkë… Kanë ndodhur shumë gjëra, edhe më të vështira, por është jeta e grupit”, theksoi ai. Deschamps kujton edhe finalen e Euro 2016, kur kishin humbë me 2:0 nga Portugalia. “Finalja e vitit 2016, pra në Europian, ende nuk është kapërcyer, ka qëndruar në kujtesën tonë, në lëkurën tonë, ndaj duam të bëjmë që të harrohet”, thotë Deschamps.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat