Anglia sfidon Suedinë për një vend në gjysmëfinale

Botërori 2018

Anglia sfidon Suedinë për një vend në gjysmëfinale

Më: 7 korrik 2018 Në ora: 12:05

Anglia do të ketë një takim me fatin këtë të shtunë në Samara, teksa do të kërkojë të sigurojë një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Botës duke mundur Suedinë.

Ata do të paraqiten në këtë sfidë si favoritë, por nuk mund t’i lejojnë vetes të nënvlerësojnë një Suedi që ka tejkaluar çdo parashikim deri tani.

Edhe kualifikimi në Kupën e Botës është dukur i pamundur për Suedinë, që ka qenë në një grup me Francën dhe Holandën në fazën kualifikuese. Ata kanë fituar garën me holandezët për vendin e dytë dhe më pas kanë eliminuar Italinë në “play off”.

Shorti i Botërorit nuk ka qenë i favorshëm për ata, duke i vendosur në një grup me Gjermaninë, kampionia në fuqi, Meksikën dhe Korenë e Jugut. Por kanë qenë ata që kanë fituar grupin dhe janë të pakta skuadrat që mund të barazojnë disiplinën dhe organizimin e suedezëve.

Ata kanë eliminuar Zvicrën në 1/8-at, ndërsa Anglia, pak orë më vonë, ka fituar për herë të parë lotarinë e penalltive dhe ka eliminuar Kolumbinë. Lojtarët e Gareth Southgate mund të mendojnë se kalimi në gjysmëfinale është pothuajse i sigurt, por trajneri do të sigurohet që asnjëri prej tyre të mos e mendojë një gjë të tillë para ndeshjes.

Për “Tre Luanët” do të jetë një test i ndryshëm në krahasim me Kolumbinë, por mund të jetë po aq i vështirë për t’u kaluar dhe mund të duhen, gjithashtu, më shumë se 90 minuta për të arritur rezultatin e dëshiruar. Suedia luan me skemën 4-4-2, por kanë treguar se janë më shumë se një skuadër mbrojtëse.

Ata kanë shënuar në katër ndeshjet që kanë luajtur deri tani dhe janë shumë të rrezikshëm në goditjet standarde, që mund të jenë një problem për një Angli që pësoi një gol të tillë në minutat e fundit të ndeshjes me Kolumbinë.

Edhe pse nuk ka një Zlatan dhe një yll të vërtetë në ekipin e tyre, Suedia do të ketë bindjen se do ta gjejë rrugën e golit kundër një Anglie që ka pësuar gol në çdo ndeshje të luajtur deri tani në këtë Botëror. Nga ana tjetër, Suedia mund të jetë një ekip i organizuar mirë në mbrojtje, por nuk janë më të lëvizshmit dhe Anglia do të kërkojë të shfrytëzojë shpejtësinë e lojtarëve, si Sterling, Alli dhe Lingard.

Fakti se ata kanë në përbërje golashënuesin më të mirë të Kupës së Botës, Harry Kane, është një ndihmë e madhe. Sulmuesi i Tottenham ka shënuar 6 gola në 3 ndeshjet e luajtura në Botëror dhe ka shumë mundësi që ai të gjejë rrugën e golit edhe në këtë ndeshje.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat