FIFA heton veprimet e futbollistëve shqiptarë të Zvicrës

Botërori 2018

FIFA heton veprimet e futbollistëve shqiptarë të Zvicrës

Më: 24 qershor 2018 Në ora: 06:37
Xherdan Shaqiri

Federata Ndërkombëtare e Futbollit, (FIFA), ka hapur një procedurë disiplinore ndaj futbollistëve të Zvicrës, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, lidhur me festimin e tyre pas golave që shënuan në ndeshjen kundër ekipit të Serbisë, të premten në kuadër të kampionatit botëror të futbollit.

Të dy futbollistët shqiptarë nga Kosova, festuan duke bërë shenjën e shqiponjës, që është simboli në flamurin kombëtar shqiptar.

Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës është ankuar për "provokim" nga futbollistët shqiptarë, të cilët kanë mohuar që veprimet e tyre kishin prapavijë politike.

“Për mua ishte vërtetë një ditë e posaçme", ka deklaruar Granit Xhaka. "Kjo është një fitore për familjen time, për Zvicrën, Shqipërinë e Kosovën. Veprimi ishte për të gjithë ata që më mbështesin dhe nuk kishte të bënte me kundërshtarët. Ishte një lojë vërtetë emocionale", tha ai.

Xherdan Shaqiri tha se "nuk ka të bëj asgjë me politiken, kjo ka të bëj me futbollin".

FIFA ka hapur procedurë edhe ndaj Federatës Serbe të Futbollit për trazira nga turmat e tifozëve dhe si dhe për shfaqjen e mesazheve politike dhe fyese nga tifozët serbë.

Një hetim paraprak është hapur edhe ndaj trajnerit serb Mladen Krstajiç, "për shkak të deklaratave pas ndeshjes". Mediet cituan atë të ketë thënë se gjyqtari gjerman Felix Brych, që sipas tij nuk akordoi një penalti për ekipin e tij, "duhet të vihet para gjykatës së Hagës" duke ju referuar Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Zvicra fitoi kundër Serbisë me rezultatin 2 me 1 të premten në një ndeshje që nxiti shume emocione e reagime ne Serbi dhe në Kosovës. Golat për Zvicrën u shënuan nga futbollistët Xhaka e Shaqiri.

Fitorja e Zvicrës u kremtua edhe në Kosovë si dhe u mirëprit edhe nga udhëheqës politik shqiptarë, ndërsa politikanë në Serbi e cilësuan të trishtueshme humbjen në ndeshjen e së premtes.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat