Më i freskët është kujtimi i Spanjës

Botërori 2018

Më i freskët është kujtimi i Spanjës

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 16:41
Gjermania

Nuk është hera e parë që një kampione bote nis me humbje edicionin pasardhës të Botërorit. Më i freskët është kujtimi i Spanjës, që në botërorin afrikan, edhe pse humbi në ndeshjen e parë ndaj Zvicrës, u shpall kampione bote në vazhdim, ndërsa në 2014 startoi me humbje përballë Holandës, skuadrës që e kish mundur në finalen e 2010-ës me golin në shtesë të Iniestës.

Për t’u kthyer më pas në histori, vetë Gjermania, që etiketohej si RF Gjermane në 1982, e niste me humbje ndaj Algjerisë Botërorin spanjoll dhe më pas shkonte deri në finalen e Madridit. Madje, pas kampionatit të 12-të botëror u vendos rregulli i zhvillimit në të njëjtin orar të ndeshjeve të fundit në grup pas asaj marrëveshjeje të heshtur mes Gjermanisë Perëndimore dhe Austrisë, që fiksonte rezultatin 1-0 në dëm të Algjerisë. Tjetër statistikë, që mund të trembë kampionët në fuqi është dhe fakti se 3 nga 4 kampionët e fundit të botës janë eliminuar që në fazën e grupeve në Botërorin pasardhës dhe kjo ndodhi me Francën në 2002, Italinë në 2010 dhe Spanjën në 2014.

Tashmë i gjithë presioni bie mbi skuadrën e Low që rrezikon, në rast kualifikimi si e dyta në grupin e saj, edhe një përplasje të menjëhershme me Brazilin në 1/8, nëse “Seleçao” del e para në grupin e saj. Vetë strategu i “Pancerave” ka siguruar se Gjermania nuk do të gabojë më në grup dhe kualifikimi është i sigurt. Në vazhdim ndeshja me Suedinë është një test i rëndësishëm. Ndaj Meksikës u gabua në disa aspekte të lojës, duke nisur nga mbrojtja, ku Boateng e Hummels u ndjenë të vetmuar në aksionet e shpejta të kundërshtarit, u humbën shumë topa në mesfushë dhe nuk pati balancë në lojë, kjo dhe për meritë të Meksikës.

Ndoshta Low duhet të nderhyjë në formacion, ku Ozil apo Muler mund ta nisin nga stoli ndeshjen e radhës, sikurse pritet dhe rikthimi i mbrojtësit Hector në të majtë. Werner, i jashtëzakonshëm në Kupën e Konfederatave është ende i ri për të mbajtur presionin e një faze finale, ndërsa Kross e Khedira në jo pak raste ndodheshin larg njëri-tjetrit. Marko Reus mund të jetë zgjidhja e duhur për Low, që nuk ka me kohë për të humbur. Gjermania u trondit në “Luzhniki”, por “Pancerat” fjalën krizë nuk duan ta çojnë nëpër mend.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat