Irani i kërkon BE-së, Rusisë e Kinës të rrisin përpjekjet për ruajtje të paktit bërthamor

Bota

Irani i kërkon BE-së, Rusisë e Kinës të rrisin përpjekjet për ruajtje të paktit bërthamor

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 11:43
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Qasemi.

Teherani i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, Rusisë dhe Kinës të rrisin përpjekjet e tyre për të ruajtur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që Irani ka me fuqitë botërore.

Ky pakt është braktisur nga presidenti amerikan, Donald Trump, me arsyetimin se i njëjti ka “të meta të mëdha”.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Qasemi, ka thënë më 20 gusht se “evropianët dhe vendet tjera nënshkruese, Kina dhe Rusia kanë tentuar të ruajnë marrëveshjen mirëpo procesi ka qenë shumë i ngadalshëm”, dhe se duhet të shpejtohet.

“Irani varet kryesisht në kapacitetet e tij për t’u përballur me sanksionet e reja amerikane”, ka thënë Qasemi në një transmetim televiziv.

Britania, Franca dhe Gjermania, tri vendet tjera nënshkruese të paktit kanë tentuar t’i sigurojnë Iranit përfitime të mjaftueshme ekonomike për ta shtyrë atë që të kryejë obligimet e parapara sipas marrëveshjes, pavarësisht tërheqjes së SHBA-së.

Pakti bërthamor parasheh frenim të aktivitetit bërthamor të Iranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione të reja në muajin gusht kundër Teheranit, duke shënjestruar tregtinë iraniane në sektorin e arit dhe metale tjera, industrinë e veturave dhe qasjen në dollarin amerikan.

Uashingtoni ka njoftuar se do të aplikojë sanksione tjera në eksportet e naftës iraniane dhe sektorin bankar duke nisur nga 4 nëntori.

Qeveria e presidentit iranian, Hasan Rohani është duke u përballur me pakënaqësi për shkak të uljes së valutës kombëtare.

Rënia e vlerës së valutës dhe dyshimet për korrupsion kanë shtyrë zhvillimin e protestave masive në Iran.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat