Lufta tregtare SHBA-Kinë, tarifa 25% ndaj mallrave kineze prej 200 mld USD

Bota

Lufta tregtare SHBA-Kinë, tarifa 25% ndaj mallrave kineze prej 200 mld USD

Më: 1 gusht 2018 Në ora: 09:52
Donald Trump ka thënë se është gati të vendosë tarifa ndaj të gjitha importeve kineze, me vlerë 500 miliardë dollarë.

Shtetet e Bashkuara po konsiderojnë vendosjen e tarifave të reja ndaj mallrave kineze, duke përshkallëzuar kështu luftën tregtare mes dy vendeve, por ndryshe nga ç’ishte parashikuar, tarifa ndaj mallrave me vlerë 200 miliardë dollarë do të jetë 25 për qind dhe jo 10%.

Plani mund të njoftohet brenda kësaj të mërkure, por një burim i medieve amerikane thotë se tarifa më e lartë nuk është finalizuar ende. Kjo do të rrezikonte një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve mes SHBA-ve dhe Kinës, të cilat edhe kështu siç janë duket se po zhvillojnë një luftë të ashpër tregtare.

Në korrik, Shtetet e Bashkuara publikuan një listë me produkte shtesë kineze, me vlerë 200 mld dollarë, të cilat do të tarifoheshin jo më vonë sesa fillimi i shtatorit. Në listë ka mbi 6.000 produkte, duke nisur nga artikuj ushqimorë, minerale dhe mallra të tjerë konsumi, si çantat e dorës.

Amerika ishte ajo që “hapi zjarr” e para në këtë luftë tregtare, me vendosjen e tarifës prej 25% ndaj produkteve kineze me vlerë 34 miliardë dollarë, ndërsa Kina u kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë ndaj produkteve amerikane.

Prej atëherë, Shtetet e Bashkuara kanë përshkallëzuar kërcënimet, me presidentin Donald Trump që ka thënë se është gati të vendosë tarifa ndaj të gjitha importeve kineze, me vlerë 500 miliardë dollarë.

SHBA akuzon Kinën për vjedhje të të drejtave intelektuale, ndaj kërkon të ulë deficitin e lartë me ekonominë e dytë më të madhe të botës. Por, mosmarrëveshjet tregtare shihen gjithashtu si pjesë e një lufte më të gjerë mes dy superfuqive për më shumë ndikim në arenën botërore.

Të hënën, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo njoftoi planet për të shpenzuar 113 milionë dollarë në Azi, një lëvizje që shihet gjerësisht si përpjekje për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Kinës në rajon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat