Përballja mes Macron dhe Salvinit do përcaktojë të ardhmen e BE-së

Bota

Përballja mes Macron dhe Salvinit do përcaktojë të ardhmen e BE-së

Më: 21 korrik 2018 Në ora: 17:34
Macron dhe Salvinit

Kur është fjala për politikën e tyre, presidenti francez Emmanuel Macron dhe Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, nuk mund të jenë më të ndarë se kaq. Macron është një ish-bankier, që e përshkruan veten si një flamurtar të liberalizmit në Bashkimit Europian. Salvini, kreu i partisë së djathtë italiane, Lidhja, është ngritur si një udhëheqës nacionalist i Evropës, që ka premtuar të pezullojë projektin evropian.

Por këta dy burra, bien dakord mbi një gjë:Të dy duan të rishikojnë linjat e politikës europiane, dhe të kthejnë zgjedhjet e Parlamentit Evropian vitin e ardhshëm, në një luftë mbi mbijetesën e BE në formën e saj aktuale. Për Macron, gara është shansi i tij për të ripërsëritur fitoren e 2017-ës, ndaj së djathtës franceze, këtë herë në skenën evropiane.

Ndërkohë për Salvinin “zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë një referendum midis Evropës së elitave, bankave, financave, emigracionit masiv dhe paqartësisë, ndaj Europës së popujve, punës, qetësisë, familjes dhe të ardhmes”.

Deputetët nga partia e tij, sapo kanë filluar të hedhin themelet për garën e vitit 2019. Aleatët e tij potencialë populistë, kanë tashmë një bazë të mirë në Bruksel. Partitë euroskeptike, duke përfshirë Partinë Austriake të Lirisë (FPÖ) dhe francezen Fronti Nacional, mbajnë rreth 150 vende nga 751 në total në parlamentin aktual.

Udhëheqësi i Lidhjes, po kryeson sulmin ndaj Macron, sidomos pasi janë rritur tensionet midis Italisë dhe Francës, se kush duhet të jetë përgjegjës për emigrantët e shpëtuar nga anijet në detin Mesdhe. Beteja midis Macron dhe Salvinit, ka potencialin për të riformuar debatin zgjedhor të vitit 2019, dhe me të edhe të vetë BE-së.

Menaxhimi i BE-së, ka qenë tradicionalisht një çështje komode midis Partive Popullore Europiane (PPE) dhe socialistëve të qendrës së majtë, të cilat shkëmbejnë me njeri-tietrin pozicionet më të larta të BE-së, dhe qeverisin Parlamentin Europian në formatin e një koalicioni të madh pro-BE.

Ky është sistemi, që dëshirojnë të ndryshojnë Macron dhe Salvini. Dhe, ndërsa të dy po përballen me pengesa forta politike, do të ishte e gabuar që përpjekjet e tyre të cilësohen si të pamundura për të pasur sukses. Tek e fundit, ata ia kanë dalë mbanë më herët.

Peizazhi europian, është një truall pjellor për forcat politike shkatërruese, sipas një sondazhi muajit maj, të më shumë se 27.000 evropianëve. Ndërsa më shumë europianë se kurrë – rreth dy të tretat – thonë se mbështesin anëtarësimin e vendit të tyre në BE, një numër më i madh mendojnë se blloku është në drejtimin e gabuar (42 për qind), sesa në drejtimin e duhur (32 për qind).

Dëshira për ndryshim, është veçanërisht e theksuar tek të rinjtë. Plot 63 për qind e të rinjve nën moshën 24-vjeç, thonë se “partitë dhe lëvizjet e reja politike, mund të gjejnë zgjidhje më të mira” sesa partitë ekzistuese. Energjia e konfliktit midis forcave pro dhe anti-BE, mund të nxisë pjesëmarrjen e votuesve për herë të pare, që kur janë mbajtur për herë të parë zgjedhjet për në PE në vitin 1979, thotë Jaume Duch, drejtori i përgjithshëm i komunikimit në Parlamentin Evropian. “Këto zgjedhje, do të jenë shumë më tepër politike se më parë”- shtoi ai.

Por kjo s’do të thotë se beteja do të jetë e lehtë. Deri më tani “Macronmania”, nuk e ka “infektuar” Parlamentin Europian; dhe pak njerëz besojnë se grupimi i Macron do të jetë në gjendje të rivalizojë PPE-në për dominim.

Ndërkohë problemi i Salvinit, është se euroskeptikët janë heterogjenë dhe të përçarë, dhe në disa zona armiq ideologjikë. Për shembull, mbi çështjet ekonomike, Fronti Nacional dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD), qëndrojnë në skajet e kundërta të spektrit politik. Krijimi i një grupimi të madh euroskeptik, do të kërkonte tejkalimin e dallimeve të tilla.

Ndërsa Macron dhe Salvini, e paraqesin misionin e tyre si “shpëtimi i Europës”, metodat që ata propozojnë janë diametralisht të kundërta.  Qëllimi i Macron, është të reformojë BE-në për ta bërë atë më të fortë, dhe për ta kthyer në atë që ai e quan “një Europë që mbron”.

Për Salvinin, zgjidhja nuk është më shumë, por më pak Europë. Ambicia e tij, është të heqë shumë kompetenca nga Brukseli drejt kryeqyteteve kombëtare, dhe në thelb “të mbrojë kufijtë e jashtëm kundër emigracionit ilegal”.

Rreziqet për grupet tradicionale janë të qarta. Partitë kombëtare që i përkasin PPE-së, tashmë janë tejkaluar në Poloni, Francë, Itali dhe Spanjë. Ndërsa grupi i qendrës së djathtë, ka gjasa të mbetet më i madhi në Parlamentin Europian, por gjithsesi të dobësohet nga ardhja e një brezi të ri 20-30-vjeçarësh, që nuk kanë ndonjë besnikëri ndaj strukturave të pushtetit në Bruksel.

Dhe në qoftë se socialistët pësojnë disfatë të thellë si në Gjermani, Francë, Itali, Poloni, Hollandë, Republikën Çeke dhe Austri, mund të jetë e pamundur që PPE të formojë një shumicë pa mbështetjen e njërës prej forcave të reja. Dhe kjo mund të bëjë Macron – ose Salvini – në rolin e përcaktuesit të shumicës në vitin 2019, por edhe për të gjitha postet drejtuese në BE – presidencat e Komisionit Evropian, Këshillit Evropian, Parlamentit Europian dhe Bankës Qendrore Evropiane –të ndryshojnë duar me njëri-tjetrin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat