Dealmaker-i Trump do të tradhtojë perëndimin - Ujdi para greminës politike

Bota

Dealmaker-i Trump do të tradhtojë perëndimin - Ujdi para greminës politike

Më: 15 korrik 2018 Në ora: 21:10
Donald Trump dhe Vladimir Putin

Çfarë duan të arrijnë Donald Trump dhe Vladimir Putin? Që para takimit të tyre në Helsinki është e qartë: Trump mund ta sakrifikojë të gjithë aleancën perëndimore para altarit të vanitetit dhe mungesës së skrupujve.

Donald Trump do të flasë me Valdimir Putin kokë më kokë. Vetëm ata të dy, secili me nga një përkthyes. Këshilltarët politikë dhe protokolluesit në këtë bisedë duhet të mbeten jashtë. Shtëpia e Bardhë e dëshiron këtë, dhe shkel kështu një rregull bazë të samiteve të tilla, që është më shumë se një zakon. Trump ndez me këtë mosbesimin, nxit frikën e atyre që ndjehen të kërcënuar nga Rusia dhe dyshojnë në garancinë e solidaritetit të aleancës perëndimore.

Trump dhe Putin kanë afri: Të dy e kuptojnë veten si „burra të fortë" në një botë të sunduar nga kaosi; të dy e perceptojnë shtetin që drejtojnë në radhë të parë si demonstrim force. Putin e stilizon veten si lider të atyre focave politike që janë iliberale. Trump e pëlqen ta shohë veten si shkatërruesin e institucioneve liberale, që i dhanë tonin botës pas ndryshimeve epokale të vitit 1945 dhe 1990.

Trump kërkon efektin mediatik - Putini me axhendë të zgjeruar

Të dy kanë lënë të kuptohet, se e admirojnë njëri-tjetrin, megjithë kontradiktat në interesa. Për takimin në Helsinki kjo nuk parathotë ndonjë gjë të mirë, sepse pritshmëritë janë të ndryshme. Trump kërkon efektin mediatik, një takim në skenë të madhe, rrahje shpatullash, ai kërkon të habisë botën. Qëllimet politike, nëse i ka këto, Trumpi i mban të fshehura.

Ndërsa Putini ka një axhendë të zgjeruar: Ai kërkon dorë të lirë në luftën civile në Siri, në Ukrainë, të cilën Putin e kupton si zonë influence ruse, prandaj i lejon vetëm sovranitet të kufizuar. E në fund ai kërkon që Perëndimi të pranojë që okupimi i shpejtë i gadishullit të Krimesë të mos shihet si aneksion, por një"ribashkim" me Rusinë. BE dhe SHBA i kanë vendosur Moskës sanksione për shkak të Krimesë. Putini dëshiron që ato të marrin fund.

Kush fillon e pyet, se si do t'i arrijë Putini këto qëllime tek pala tjetër, i hedh sytë në një greminë politiko-morale. Në një kohë që Trumpi shëtit nëpër Europë, një hetues i posaçëm ka ngritur padi kundër 12 agjentëve rusë; ata kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA para dy vjetësh. Rusia dyshohet prej kohësh, që ka ndihmuar fushatën zgjedhore të Trumpit –përmes sulmeve të hakerëve, vjedhjes së informacionit, fushatave në mediat sociale për ndikimin e votuesve.

Image
Christian Trippe

Ndoshta Putini i thotë faleminderit Trumpit për sulmet ndaj NATO-s...

Nuk ka dyshim – Donald Trump ka qenë kandidati i dëshiruar i Kremlinit. Por a është ai automatikisht edhe presidenti „tyre"? Përgjigja nuk varet vetëm nga ajo, nëse Kremlini ka diçka në dorë kundër Trumpit, material kompromentues, që mund të përdoret për presion politik. Për këtë spekulohet gjithmonë, herë për historitë e Trumpit me femra në Rusi, herë për kontaktet e biznesit në Nju Jork.

Këto histori intriguese nga jeta parapresidenciale e Trumpit bien sigurisht era sensacion, por deri më tani kanë mbetur vetëm si spekulime. Ato nuk duhet të turbullojnë shikimin për politikën reale, për Donald Trumpin e vertetë. Kush i godet në mënyrë të tillë anëtarët e NATO-s, siç vepron Donald Trump, është dhuratë për çdo president rus. Do t'i thotë Putini faleminderit për këtë Trumpit? Nuk do ta dimë. Trump e di shumë mirë vetë, se pse nuk do asnjë regjistrim të bisedës së tij me Putinin. / DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat