Deziluzionim pas takimit të nivelit të lartë

Bota

Deziluzionim pas takimit të nivelit të lartë

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 09:12
Donald Trump dhe Kim Jong Un

Takimi midis Kimit dhe Trumpit është pritur me ndjenja të përziera në Korenë e Jugut. Konservatorët e vlerësojnë deklaratën e qëllimit si fitore të njëanshme të regjimit koraeanoverior. Fabian Kretschmer nga Seuli.

Pas takimit historik të nivelit të lartë midis pushtetmbajtësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe Presidentit të SHBA, Donald Trump, reagimet për rezultatet e arritura janë të përziera. Koreanojugorët e shprehën mendimin e tyre të martën, në kabinat e votimit. Në zgjedhjet lokale, u votua për 17 kryetarë bashkie. Sipas vlerësimeve paraprake, 14 prej tyre i merr partia në pushtet Minjoo e Presidentit Moon Jae. Nga 12 vendet për deputetë, kjo parti e majtë pritet të sigurojë gjithashtu 10 vende - një fitore e thellë për Moon-in. Por meqenëse fushata elektorale u bë në klimën e afrimit mes Koreve, takimi mund të shihet si dëshmi besimi për politikën e Koresë së Veriut të Moonit.

Image

Ndër forcat konservatore politike të vendit është përhapur një ndjenjë deziluzionimi për deklaratën e qëllimit të nënshkruar nga Kim dhe Trump. Perspektiva e një çarmatimi bërthamor të Koresë së Veriut me këtë marrëveshje është tani është bërë shumë e largët. Kështu shprehet Nam Sung-wook i Universitetit me emër të Koresë në gazetën më të madhe të vendit, Chosun Ilbo. Në fund të fundit, thotë ai, nuk bëhet më fare fjalë për "çarmatimin e plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm".

Deklarata e qëllimit "mashtrimi më i madh"

Pika më e madhe e mosmarrëveshjes është deklarata e Trumpit për t'i ndërprerë manovrat ushtarake me Korenë e Jugut, të përcaktuara si "të shtrenjta dhe provokuese". Kjo mund të çojë një një dobësim të aleancës së përbashkët shumëvjeçare. Profesori Park Won-gon nga Handong Global University madje e quan deklaratën e qëllimit si "mashtrimin më të madh të shekullit, e cila plotëson 99 përqind të të gjitha dëshirave të Koresë së Veriut."

Ngjashëm deziluzionuese janë reagimet në mediet e mëdha të SHBA. "Koreja e Veriut ka mbërritur si fuqi atomike", thuhet në një artikull të New York Times.

Image

Për ndalimin e manovrave të përbashkëta nuk qe diskutuar

E qartë është që plani i Donald Trumpit nuk qe diskutuar më parë me qeverinë e Seulit. Në zyrën presidenciale nuk janë të sigurtë për atë që ka pasur parasysh Trumpi me fjalën "lojëra luftarake". Presidenti Moon thirri për të enjten një Mbledhje Kombëtare të Sigurisë, për t'i diskutuar rezultatet e takimit të nivelit të lartë dhe pasojat e tij.

Në të kaluarën, qeveria e Koresë së Jugut është treguar e gatshme që t'i reduktojë manovrat që zhvillohen çdo gjashtë muaj. Megjithatë, si nga SHBA, që ka stacionuar 28.500 trupa në Korenë e Jugut, ashtu edhe nga Koreja e Jugut ato vështrohen si pjesë përbërëse e aleancës prej dekadash midis dy vendeve. Megjithatë, manovrat shpesh ngjallin polemika, sepse Koreja e Veriut i sheh ato si provokim dhe si deklaratë për luftë. Sipas Seulit dhe Uashingtonit ato kanë natyrë thjesht mbrojtëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat