Ambasadori amerikan “trazon” Berlinin

Bota

Ambasadori amerikan “trazon” Berlinin

Më: 6 qershor 2018 Në ora: 11:35
Ambasadori i SHBA në Gjermani, Richard Grenell

“Objektivi im është që të ringre dhe të fuqizoj forcat që i kundërvihen sistemit dhe bartin vlerat konservatore në Europë”. E thënë nga një politikan i djathtë, kjo fjali nuk do të përbënte lajm, por kur këto fjalë dalin nga goja e një kryediplomati, gjërat ndryshojnë.

Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell është vënë në qendër të kritikave të politikanëve të zëshëm gjermanë pas këtyre komenteve.

“Grenell po shpenzon kohën si ambasador këtu në mënyrën më të keqe të mundshme”, deklaroi Andreas Nick, deputet i CDU-së së Angela Merkel dhe anëtar i Komitetit për Punët e Jashtme në Parlamentin gjerman.

Ai akuzon kryediplomatin amerikan si të papërshtatshëm dhe për përdorimin e të njëjtës gjuhë që përdornin nazistët në vitit ’30.

“Nëse i përkthejmë siç duhet fjalë “ringritje” dhe “fuqizim” do të na shfaqen reminishencat e gjuhës së përdorur nga politikanët në vitet 1920-1930”, shton deputeti gjerman.

Nick këshillon diplomatin amerikan që të mësojë më shumë rreth historisë gjermane dhe mësimet që vetë populli gjerman ka nxjerrë prej saj.

Image
Andreas Nick, deputet i CDU dhe anëtar i Komitetit për Punët e Jashtme në Bundestag

51-vjeçari Richard Grenell mori detyrën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani më 8 maj të këtij vitit. Që në prezantimin fillestar shkaktoi debate, kur ftoi të gjitha kompanitë gjermane të përfshira në biznes me Iranin që të tërhiqen, për të shmangur sanksionet amerikane.

Deklarata e tij u bë fill pasi Donald Trump tërhoqi SHBA nga marrëveshja e 2015 për programin bërthamor të Teheranit. Por, Gjermania dhe vendet e tjera palë në këtë ujdi, vazhdojnë t’i qëndrojnë kësaj marrëveshjeje.

Dy deklarata të tilla në më pak se një muaj në detyrë kanë bërë që në mediat gjermane të qarkullojë pyetja nëse Berlini duhet ta dëbojë ambasadorin amerikan?

“Është në dorë të Shteteve të Bashkuara që të vendosin për të, por Grenell rrezikon detyrën e tij afatgjatë nëse vazhdon të veprojë e deklarojë si deri më tani. Ai duhet t’i rikthehet detyrës së ambasadorit dhe jo të promovojë e reklamojë lëvizjet e së djathtës ekstreme”, deklaron Andreas Nick.

Grenell është thërritur këtë të mërkurë nga Ministria e Jashtme gjermane për të dhënë shpjegime për deklaratat e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat