A gjendet bota në prag të luftës tregtare?

Bota

A gjendet bota në prag të luftës tregtare?

Më: 1 qershor 2018 Në ora: 14:46
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Kanadaja dhe Meksika kanë deklaruar se do t'i kundërpërgjigjen Uashingtonit, pasi SHBA-ja ka filluar zbatimin e vendimit për tarifa prej 25 për qind në çelik dhe 10 për qind në alumin, derisa Bashkimi Evropian veçse ishte përgatitur për masa ndëshkimore, duke rritur frikën e investitorëve për nisje të luftës tregtare globale.

Kongresistët republikanë u janë bashkuar kritikave të Bashkimit Evropian, Kandasë dhe Meksikës, pas këtij vendimi të SHBA-së.

Të enjten, sekretari amerikan për Tregti, Wilbur Ross, ka thënë se bisedimet me Bashkimin Evropian, Kanadanë dhe Meksikën nuk kanë arritur shumë progres, duke shtuar se tarifat do të nisin së zbatuari.

Liderët nga shtetet e prekura kanë reaguar me zemërim duke përcaktuar tarifa të njëjta për SHBA-në.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka thënë Trumpit përmes telefonit se vendimi i SHBA-së është “joligjor”.

Macron i ka thënë presidentit amerikan se BE-ja do të përgjigjet “në mënyrë adekuate”, ka njoftuar Pallati Elysee, pavarësisht marrëdhënieve të mira të presidentit francez me Trumpin.

Presidenti amerikan i ka justifikuar tarifat, të cilat kanë filluar së zbatuari në orët e para të së premtes, duke thënë se prodhuesit e çelikut dhe alumunit janë pjesë e rëndësishme e sigurisë kombëtare dhe të njëjtit po kërcënohen nga furnizimi global.

-Trump kërcënon Kinën me tarifa të reja mbi importe

-Kina i hakmerret SHBA-së për tarifat tregtare?

Mirëpo, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, i ka kundërshtuar pretendimet se shteti i tij përbën kërcënim kombëtar për SHBA-në.

Sekretari për Tregti në Mbretërinë e Bashkuar, Liam Fox, ka thënë se tarifat prej 25 për qind në çelik kanë qenë “absurde”, duke shtuar se “do të ishte fatkeqësi nëse përfundojmë duke u vënë masa reciproke aleatëve tanë më të ngushtë”.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier, ka shpresuar se një përgjigje e vendosur e BE-së do të detyronte Trumpin të rikonsideronte vendimin e tij.

Ai, po ashtu, ka thënë se Evropa mund të punojë në këtë aspekt me Kandanë dhe Meksikën.

Ministri i Jashtëm meksikan, Luis Videgaray, ka thënë se edhe shteti i tij do të vendosë detyrime:

“Ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë interesat e Meksikës, ashtu siç kemi bërë deri më tash”.

Tarifat janë kundërshtuar edhe nga republikanë të mirënjohur.

Drejtuesi i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, ka thënë se ky hap “shënjestrojë aleatë të Amerikës, në kohën kur ne duhet të punojmë së bashku për të adresuar praktikat e padrejta të shteteve si Kina”.

Trump kishte njoftuar fillimisht në muajin mars për vendosjen e tarifave, mirëpo pati premtuar për disa përjashtime derisa të zhvillohen negociata për këto masa.

Bashkimi Evropian ka publikuar një listë prej 10 faqesh, si hakmarrje ndaj produkteve amerikane dhe ka thënë se do të marrë masa kundër SHBA-së në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Kanadaja ka thënë se nga 1 korriku do të vendosë tarifa prej 25 për qind në produktet amerikane në vlerë të 13 miliardë dollarëve.

Në mesin e produkteve të prekura, përveç çelikut, janë edhe jogurti dhe kafeja.

Ministri meksikan i Ekonomisë, ka thënë se është duke planifikuar vënien e tarifave në produktet si: çeliku, derri, mollat, djathi dhe disa produkte tjera ushqimore.

Kanadaja, Meksika dhe Bashkimi Evropian kanë eksportuar së bashku çelik dhe alumin në vlerë të 23 miliardë dollarëve, vitin e kaluar në SHBA./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat