Hetuesit: Raketa që rrëzoi avionin MH17, në arsenalin e brigadës ruse

Bota

Hetuesit: Raketa që rrëzoi avionin MH17, në arsenalin e brigadës ruse

Më: 25 maj 2018 Në ora: 17:18
Mbetje e MH17

Hetuesit ndërkombëtarë që po hetojnë rrëzimin e avionit MH17 të Malaysia Airlines mbi Ukrainën lindore në korrik 2014, kanë identifikuar brigadën ushtarake ruse që ka patur në zotërim raketën e përdorur për ta rrëzuar avionin. Kjo është hera e parë që ekipi i përbashkët investigativ, me hetues nga Hollanda, Ukraina, Malajzia dhe Australia, ka ngritur idenë se ka pasur përfshirje të Rusisë. Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zëri të Amerikës, Henry Ridgwell, analistët thonë se nuk ka gjasa që Moska të bashkëpunojë nëse ngrihen akuza.

283 pasagjerë dhe 15 anëtarë të ekuipazhit vdiqën kur avioni MH17 u qëllua në qiejt e Ukrainës lindore, ndërsa udhëtonte nga Amsterdami drejt Kuala Lumpurit.

Ekipi i përbashkët hetimor pati bërë publike më parë provat se avioni ishte goditur nga një raketë ruse tokë-ajër e tipit “BUK”, e cila ishte futur nga Rusia në territorin e Ukrainës lindore.

Ata njoftuan mbrëmë se kanë identifikuar tashmë edhe origjinën e platformës lëshuese të raketës dhe se këto përbëjnë prova të mjaftueshme për një proces gjyqësor.

“Sot ekipi konkludoi se paisja e lëshimit të raketës BUK që rrëzoi avionin MH17, ishte pjesë e arsenalit të brigadës antiajrore 53 të Forcave të Armatosura ruse”, deklaroi kryeprokurori Fred Westerbreke.

Konkluzione të ngjashme pati nxjerrë edhe faqja e pavarur investigative “Bellingcat”, e cila gjeti prova të tjera, si p.sh. një video ku tregohet platforma e lëshimit pas incidentit, me një raketë më pak.

Kryeprokurori tha se hetimi ishte në fazën e fundit dhe bëri sërish thirrje për dëshmitarë dhe prova të mëtejshme, duke premtuar anonimitet për personat që dëshmojnë.

“Bëjmë thirrje nëpërmjet mediave për ndihmë nga publiku që t’u përgjigjemi pikëpyetjeve për këtë platformë lëshimi, si dhe për vetë raketën që u përdor”, tha zoti Westerbeke.

Duke qenë se Rusia pritet të bllokojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një proces gjyqësor ndërkombëtar, ekziston mundësia e fillimit të një gjyqi në Hollandë, vendin nga u nis avioni.

“Janë shumë të vogla mundësitë që në kuadrin e këtij hetimi ndërkombëtar, Rusia të lejojë ekstradimin e shtetasve të saj të dyshuar për pjesëmarrje në shkatërrimin e avionit”, thotë analisti Andrew Foxhall, i Shoqërisë “Andrew Jackson”.

Kjo është hera e parë që ekipi ndërkombëtar hetimor ngre idenë se Rusia pati rol në rrëzimin e avionit.

“Jemi tashmë në vitin 2018, katër vjet pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë, destabilizimit të Ukrainës lindore dhe shkatërrimit të avionit MH17. Duket se disa vende perëndimore dëshirojnë t’i rikthehen marrëdhënies së zakonshme me Rusinë. Fatmirësisht pozicioni perëndimor i ka qëndruar kohës deri në këtë moment, por nuk ka garanci për periudhën afatgjatë”, thotë zoti Foxall.

Moska ka mohuar vazhdimisht përfshirjen e saj dhe madje ka ngritur supozime se avioni mund të jetë rrëzuar nga ushtria ukrainase, por hetuesit nuk kanë pranuar provat e paraqitur për këtë pretendim.

Reagimi i DASH

Në një deklaratë të Departamentit të Shtetit thuhet se “SHBA mbështesin fuqimisht vendimin e Holandës dhe Australisë për të vendosur përpara përgjegjësisë Rusinë lidhur me rolin e saj në rrëzimin e avionit MH-17 të Malaysia Airlines, në korrik të 2014 në Ukrainën lindore duke shkaktuar vdekjen e tmerrshme të 298 civilëve”. “Është koha që Rusia të pranojë rolin e saj në rrëzimin e MH-17 dhe të ndërpresë fushatën e saj dezinformuese”-, thuhej në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Zbulimet e Ekipit të Përbashkët Hetues e bënë të qartë, se raketa ruse tokë-ajër e tipit “BUK” që ishte përdor për rrëzimin e avionin të pasagjerëve ishte në pronësi të Federatës Ruse dhe ishte në ngarkim të brigadës së 53-të të kundër-ajrorëve rusë pranë Kurskut. Ajo u soll në territorin sovran të Ukrainës nga Rusia, u lëshua nga një territor i kontrolluar nga forcat ruse dhe Rusia, në Ukrainën lindore dhe më pas u kthye në territorin rus. Nëpërmjet deklaratës SHBA i bënë thirrje Rusisë që t'i përmbahet rezolutës së Kombeve të Bashkuara 2166 si dhe t'i përgjigjej kërkesave të ligjshme të Australisë dhe Holandës.

Agresioni i Rusisë në Ukrainë që nga 2014 ka shkaktuar më shumë se 10,300 vdekje të lidhura me konfliktin, përfshirë dhe jetët e humbura gjatë tragjedisë së MH-17. “Ka ardhur koha që Rusia t’i japë fund dhunës”, përfundonte deklarata e Departamentit amerikan të Shtetit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat