BE zotohet se do të qëndrojë në marrëveshjen bërthamore

Bota

BE zotohet se do të qëndrojë në marrëveshjen bërthamore

Më: 19 maj 2018 Në ora: 11:46
Komisioneri për Energji, Miguel Arias Canete

Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë i përkushtuar për marrëveshjen bërthamore me Iranin, përderisa Teherani vazhdon ta respektojë paktin e vitit 2015, që i lehtëson sanksionet, në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

“Ne u kemi dërguar mesazh miqve tanë iranianë se derisa ata vazhdojnë ta respektojnë marrëveshjen, evropianët do të përmbushin zotimet e tyre. Ata kanë thënë të njëjtën gjë”, ka thënë Komisioneri evropian për Energji, Miguel Arias Canete, pasi është takuar në Teheran me shefin për energji bërthamore të Iranit.

“Ne do të vazhdojmë tregtinë tonë, që ka qenë shumë pozitive për ekonominë iraniane”, ka thënë Canete, gjatë konferencës së përbashkët për media me zëvendëspresidentin iranian, Ali Akbar Salehi, që mbikëqyrë aktivitetet bërthamore të Teheranit.

Komentet e Canete vijnë një ditë pasi Komisioni Evropian propozoi masa për të ndihmuar bizneset e BE-së, që të shmangin sanksionet e SHBA-së ndaj Iranit.

Në kundërshtim direkt me ndalesën e vendosur nga SHBA-ja që të mos bëhet biznes me sektorin e naftës së Iranit, Komisioni Evropian ka propozuar që të lejojë shtetet anëtare të BE-së të bëjnë pagesa për naftën iraniane. Këto pagesa do të bëhen direkt në Bankën Qendrore iraniane, me qëllim që të shmangen dënimet e SHBA-së.

Këto masa pritet të lejojnë kompanitë amerikane që të shmangin përdorimin e dollarit amerikan dhe sistemin financiar të SHBA-së për të blerë naftë nga Teherani. Kështu, kompanitë do të shmangin sanksionet amerikane, që në të kaluarën kanë vështirësuar shitjen e naftës amerikane.

Komisioni ka thënë se ka ndërmarrë këto masa pasi ka marrë “dritën e gjelbër” nga liderët e BE-së gjatë samitit në Sofje të Bullgarisë më 17 maj.

Ndërkaq, zëvendëspresidenti iranian, Salehi, gjatë konferencës me komisionerin evropian Canete, është zotuar se shteti i tij do të shpëtojë marrëveshjen bërthamore, pavarësisht tërheqjes së SHBA-së nga pakti dhe rivendosjen e sanksioneve.

“Shpresojmë që përpjekjet tona të jetësohen”, ka thënë Salehi, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara se “nuk janë shtet i besueshëm në marrëveshjet ndërkombëtare”.

Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për të mbrojtur bizneset, Total, Allianz dhe disa kompani të tjera evropiane kanë njoftuar se do të tërhiqen nga Irani, nëse saksionohen nga SHBA-ja.

Këtyre kompanive, për këtë qëndrim, u janë bashkuar edhe grupi francez për gaz dhe energji Engie, firma polake PFNiG dhe ajo gjermane DZ Bank.

Në një hap tjetër, Komisioni Evropian gjithashtu ka hequr pengesat për Bankën Evropiane për Investime, që të financojë aktivitetet jashtë BE-së, në shtete të tilla si Irani.

Kjo lëvizje do t’i lejojë kësaj banke të “mbështesë investimet e BE-së në Iran”.

Komisioni gjithashtu ka bërë thirrje që të bëhet më shumë për të ndihmuar sektorin e energjisë së Iranit dhe kompanitë e vogla dhe të mesme.

Investimet e BE-së në Iran – kryesisht nga Gjermania, Franca dhe Italia - kishin arritur në mbi 20 miliardë dollarë më 2016, pasi ishin hequr sanksionet. Këto shtete kryesisht kanë investuar në prokjete nga hapësira ajrore deri te ato të energjisë./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat