Ambasadori i SHBA në Gjermani mbron "të folurit troç" për Iranin

Bota

Ambasadori i SHBA në Gjermani mbron "të folurit troç" për Iranin

Më: 12 maj 2018 Në ora: 08:49
Ambasadori i SHBA në Gjermani (majtas) me Presidentin e Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier (mes) dhe me partnerin e tij të jetës Matthew Lashey (djathtas)

Me një mesazh në twitter për marrëdhëniet e biznesit të sipërmarrjeve gjermane me Iranin, Richard Grenell, ambasadori i ri i SHBA në Berlin, shkaktoi iritime. Tani republikani shkon më tej.

Ambasadori i SHBA në Gjermani (majtas) me Presidentin e Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier (mes) dhe me partnerin e tij të jetës Matthew Lashey (djathtas)

"Natyrisht që çdo vend është sovran dhe mund të vendosë vetë për sanksionet", i tha Richard Grenell gazetës "Bild". Vetëm pak orë pas marrjes së postit si ambasador i ri i SHBA në Gjermani, 51 vjeçari u kërkoi sipërmarrjeve gjermane që të tërhiqen "menjëherë" nga Irani. 

Pohimi që ngjalli diskutime "nuk është urdhër, nuk është udhëzim", deklaroi tani Grenelli. Megjithatë Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe në lidhje me Iranin flasin vetë për një kërcënim. "A doni të bëni biznes me një kërcënim?" u shpreh ambasadori. Çështjes se çfarë do të ndodhë me sipërmarrjet gjermane, të cilat vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin "duhet t'i përgjigjet qeveria federale gjermane, jo ne".

Gazetave të Grupit Mediatik Funke, Grenelli u tha në lidhje me kritikën për twitterin e tij se të jesh diplomat do të thotë për të "të flasësh troç - pikërisht përballë miqve".

Shkas për këto deklarata është vendimi i Presidentit të SHBA, Donald Trump që të tërhiqet nga marrëveshja atomike me Iranin dhe që të rivendosë sanksione kundër këtij vendi. Shumë firma gjermane i shohin në rrezik bizneset e tyre me Iranin, megjithëse për Gjermaninë Irani luan ekonomikisht një rol krahasimisht të vogël: vlera e eksporteve të mallrave në 2017 qe tre miliardë euro. Kjo i përgjigjet rreth 0,2 përqind të eksporteve gjermane.

"Duket se ka nevojë për pak orë mësimi shtesë"

Sipas të dhënave të Grupit Mediatik Funke, Grenelli u shpreh edhe kundër një "të menduari në grup" në diplomaci. Kjo ka shkaktuar në të shkuarën "dëme të mëdha", tha ai. "Koreja e Veriut është në rrugën për t'u bërë fuqi atomike - dhe në Siri zhvillohet prej vitesh një gjenocid. Unë jam kundër të menduarit në grup në diplomaci."

Kryetarja e SPD, Andrea Nahles e kritikoi mesazhin në twitter të republikanit. Vërtet që nuk është detyra e saj të japë mësime në diplomaci, "por pak orë mësimi shtesë duket se ai ka nevojë", tha Nahles. Partia e Majta këkoi që Grunellin ta thërrasin në Ministrinë e Jashtme. Drejtuesi i Konferencës së Sigurisë në Mynih, ish-ambasadori i Gjermanisë në Uashington, Wolfgang Ischinger e këshilloi Grenellin që të shpjegojë politikën e vendit të tij, por të mos i thotë kurrë vendit mikpritës se çfarë duhet të bëjë./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat