Një ekip verifikues mbledh prova të sulmit kimik në Duma

Bota

Një ekip verifikues mbledh prova të sulmit kimik në Duma

Më: 21 prill 2018 Në ora: 22:13
ilustrim

Një organizatë ndërkombëtare e krijuar për të mbikqyrur respektimin e Konventës Kundër Armëve Kimike, tha se një ekip i saj ka mbledhur mostra nga zona ku besohet se u krye një sulm kimik dy javë më parë në Duma të Sirisë.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike tha se do të hartohet një raport bazuar në të dhënat që janë mbledhur dhe informata të tjera të siguruara nga ekipi i saj, pasi mostrat të analizohen në laboratoret përkatëse.

Në bazë të përfundimeve, thanë përfaqësues të organizatës, “do të analizojmë hapa të mëtejshëm përfshirë edhe mundësinë e një vizite tjetër në Duma”.

Ekipi fakt-mbledhës po priste prej disa ditësh të futej në Duma, por nuk kishte mundur të hynte si rrjedhojë e disa pengesave nga kontrollet e sigurisë.

Ekipet e emergjencës kanë thënë se të paktën 40 vetë gjetën vdekjen në një sulm me 7 prill ku besohet se ishte përdorur gaz helmues. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre akuzojnë regjimin sirian për sulme kimike mbi kundërshtarët dhe popullatën civile.

Qeveria siriane ka hedhur poshtë akuzat se ka përdorur armë që ndalohen nga ligji ndërkombëtar dhe ka thënë se është e hapur për inspektime të zonës nga ekipe ndërkombëtare.

Ken Ward, ambasadori amerikan në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike tha më 16 prill se një ekip rus kishte qenë në skenën e ngjarjes dhe “mund të ketë trazuar provat materiale”. Moska e hodhi poshtë këtë akuzë./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat