“EuroControl” paralajmëron kompanitë: Kujdes në lindje të Mesdheut

Bota

“EuroControl” paralajmëron kompanitë: Kujdes në lindje të Mesdheut

Më: 11 prill 2018 Në ora: 12:42
Pamje nga një zonë konflikti në Siri

Agjencia europiane e trafikut ajror paralajmëroi kompanitë ajrore të kenë kujdes në lindje të Mesdheut, për shkak të lëshimit të mundshëm të raketave drejt Sirisë gjatë 72 orëve të ardhshme.

“EuroControl” tha se, gjatë kësaj kohe mund të përdoren lloje të ndryshme raketash dhe se mund të ketë probleme në funksionimin e pajisjeve të orientimit dhe komunikimit.

Perëndimi po diskuton aksione të mundshme ushtarake për të ndëshkuar Sirinë, për sulmin e dyshuar me armë kimike në qytetin rebel të Doumas.

Megjithatë, “EuroControl” nuk specifikoi origjinën e kërcënimit raketor.

Në komunikatën e saj për shtyp, agjencia europiane e kontrollit ajror thjesht flet për rreziqet e mundshme dhe u kërkon kompanive të kenë kujdes, apo të shmangin zonën në fjalë.

Prej kohësh, rregullatorët kombëtarë të aviacionit në vende si SHBA, Franca apo Gjermania kanë paralajmëruar linjat ajrore që të mos hyjnë në hapësirën ajrore siriane dhe shumë prej tyre e shmangin atë.

Por, në paralajmërimin e tij, “EuroControl” përfshiu një zonë shumë më të madhe sesa ajo që kontroll Damasku zyrtar.

Që prej rrëzimit të avionin malajzian “MH17” nga një raketë mbi Ukrainë në vitin 2014, rregullatorët dhe kompanitë ajrore tregohen shumë më të ndërgjegjshme për rrezikun që shfaqin zonat e konfliktit për avionët e pasagjerëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat