Guterres për Goutan Lindore: Ndalojeni këtë ferr në tokë

Bota

Guterres për Goutan Lindore: Ndalojeni këtë ferr në tokë

Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 12:08
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje palëve luftuese në Siri të zbatojnë menjëherë marrëveshjen për armëpushim 30 ditësh.

Duke folur në hapje të sesionit vjetor të Këshillit të OKB-së për të Drejta të Njeriut, Guterres tha se agjencitë janë gati të shpërndajnë ndihma për shpëtim të jetëve dhe të evakuojnë të plagosurit rëndë nga enklava e Goutas Lindore, pranë Damaskut.

Të shtunën, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar një rezolutë për armëpushim, me të cilën është rënë dakord që të lejohen dërgesat e ndihmave dhe evakuimet mjekësore.

Rezoluta ka pasuar një javë të bombardimeve intensive në Goutan Lindore, ku, sipas aktivistëve, kanë mbetur të vrarë mbi 500 njerëz.

"Gouta Lindore nuk mund të presë; është koha të ndalojë ky ferr në tokë", tha Guterres në Gjenevë.

Shefi për të drejta të njeriut i OKB-së, Zeid Ra'ad al-Hussein, tha se sulmet ajrore të regjimit sirian në Goutan Lindore kanë vazhduar edhe sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat