Ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane

Bota

Ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 19:24
Rusi

Shteti rus ka ndërtuar një makinë propagandistike të sofistikuar dhe përpjekjet e tij për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016 përmes mediave sociale është vetëm një shembull i llojeve të reja të kërcënimeve me të cilat përballet bota e sotme. Një ekip analistësh të kibernetikës kanë shqyrtuar qindra mijëra mesazhe të rreme në Twitter dhe Facebook që mendohet se janë koordinuar nga Moska. Siç njofton Henry Ridgwell i Zërit të Amerikës, analiza e tyre vjen pas padive të ngritura kundër 13 shtetasve dhe tre kompanive ruse, të akuzuar se janë përpjekur të ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane.

Kjo është ndërtesa e dikurshme e Agjencisë Kërkimore të Internetit në Shën Petersburg, e njohur gjerësisht si "fabrika e mesazheve të rreme", ku ekipe të tëra rusësh përdornin postime të rreme në mediat sociale dhe reklama false për të ndikuar në zgjedhjet amerikane të 2016-s, sipas hetuesve. Zyrat janë të zbrazëta dhe shumë prej llogarive të rreme janë mbyllur.

Por postimet e tyre janë arkivuar nga Laboratori i Kërkimeve Dixhitale pranë Këshillit të Atlantikut.

Duke paraqitur gjetjet e tyre në Konferencën e Mynihut këtë muaj, ekipi demonstroi se si i koordinon Kremlini pjesët e ndryshme të makinës së tij propagandistike.

"Një pjesë e llogarive janë propaganda e hapur, si RT (Rusia Sot) dhe Sputnik. Ka pastaj llogari diplomatike si ambasada ruse në Afrikën e Jugut ose Konsullata e Përgjithshme ruse në Gjenevë. Janë gjithashtu faqet e internetit që hiqen si të pavarura, por që është provuar se financohen nga i njëjti burim, nga qeveria ruse. Veç këtyre janë ata që postojnë mesazhe të rreme si dhe robotët, llogaritë e automatizuara, të cilët amplifikojnë gjithçka që postojnë të tjerët para tyre,” thotë kreu i ekipit hulumtues, Ben Nimmo.

Në vitin 2016, hakerët rusë vodhën emailet e Komitetit Demokratik Kombëtar, që më pas u publikuan nga WikiLeaks.

"Ditën kur u bë publikimi në WikiLeaks, mund të kontrolloni arkivat në internet dhe të shihni llogaritë e Fabrikës së Postimeve të Rreme, ku do të vini re se si ato amplifikojnë materialin e vjedhur, duke thënë: Me siguri që mediat e mëdha nuk do ta mbulojnë këtë ngjarje. Të gjithë duhet të shkojnë e të shohin emailat e Komitetit Demokratik Kombëtar. Llogaria në Twitter me emrin "Tennessee GOP", i bëri mbi 2,000 herë retweet kësaj ngjarjeje. Edhe stacionet RT dhe Sputnik raportuan për këtë 'histori tronditëse' siç e quajtën ato. Pra, mund të shihet qartë se si ishin bashkërenduar pjesët e ndryshme të makinerisë," thotë Ben Nimmo.

Për t’iu kundërvënë propagandës, Ben Nimmo dhe ekipi i tij thonë se njerëzit duhet të mësojnë se si të kontrollojnë profilet dhe aktivitetin e atyre që dërgojnë mesazhe në mediat sociale.

"Para se të ndani me të tjerët një llogari ose para se t’i bëni “like” asaj, ndoshta duhet të kontrolloni profilin e të mendoni: Nëse është llogari në Twitter, sa herë poston mesatarisht në ditë? Nëse është krijuar tri javë më parë dhe ka postuar 150 mijë herë, vërtet mendoni se mund të jetë një qënie njerëzore normale?” pyet Ben Nimmo.

Rusia ka mohuar se është përpjekur të ndikojë në politikën amerikane. Por ekspertët thonë se ky është vetëm hapi i parë në një fushë krejtësisht të re spiunazhi, prandaj shërbimet e sigurisë dhe shoqëria në përgjithësi do të duhet të mësojnë se si t’i kundërvihen këtij kërcënimi./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat