Samiti japonezo-amerikan filloi me një lojë golfi

Bota

Samiti japonezo-amerikan filloi me një lojë golfi

Më: 5 nëntor 2017 Në ora: 14:34
Pamje nga loja e golfit

Presidenti amerikan, Donald Tramp turneun e parë aziatik të tij e filloi në mënyrë shumë të relaksuar me një hamburger me mish viçi dhe me një lojë golf.

Pas arritjes në bazën ushtarake "Jokota" në afërsi të Tokios, Tramp shkoi në një klub golfi pranë kryeqytetit japonez, ku u prit nga kryeministri i Japonisë, Shinxo Abe.

Pas drekës së përbashkët të Trampit dhe Abes me lojtarin japonez të golfit Hideki Macujama, të tre zhvilluan një lojë golfi në terrenet e klubit.

Me lojën e golfit në nëntë vrima, Tramp u lavdërua edhe në Tuiterin e tij, ku publikoi edhe video të shkurtër prej lojës.

"Luajta golf me dy persona të jashtëzakonshëm - kryeministrin Abe dhe Hideki Macujama", shkroi Trump në Twitter.

Tramp dhe Abe në terren u paraqitën me kapela të bardha për golf në të cilat shkruante: "Donald i Shinxo bëjeni aleancën akoma më të madhe",  me ç'rast shumica e lidhën me sloganin parazgjedhor të presidentit amerikan "Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe".

"Diplomacinë e golfit" e komentoi edhe kryeministri japonez, i cili iu falënderua klubit për "pritjen e ngrohtë".

"Patëm dialog të jashtëzakonshëm. Në terrenin për golf me të vërtetë mund të lirohesh dhe t'i japësh qëllimet e vërteta, pasi që ne arrijmë të flasim mirë, madje ndonjëherë në bisedë përfshimë edhe çështje serioze", deklaroi Abe pas partisë së golfit.

"Diplomacia e golfit" paraqiste hyrje në samitin japonezo-amerikan, pjesa formale e së cilit është paraparë për nesër në Tokio me takim zyrtar midis Abes dhe Trampit. Pritet tema kryesore e takimit të jetë kriza rreth Koresë së Veriut.

Tramp, i cili në vizitë shoqërohet nga bashkëshortja Melania, pati edhe darkë me Aben dhe bashkëshorten e Akie.

Nesër pas takimit zyrtar Abe-Tramp, presidenti amerikan dhe bashkëshortja e tij do të pranohen prej mbretit japonez Akihito dhe mbretëreshës Mitiko.

Vizitën në Japoni, Tramp do ta përfundojë të martën, kur do të udhëtojë për në Korenë e Jugut.

Gjatë arritjes në Japoni, Tramp deklaroi se Koreja e Veriut paraqet "problem të madh" i cili duhet të zgjidhet.

Tramp vlerësoi se lidhur me Korenë e Veriut komuniteti ndërkombëtar në 25 vitet e fundit ka treguar "dobësi të plotë", kështu që ai problem do të zë vend të rëndësishëm në bisedat e tij me liderët aziatik me të cilët do të takohet gjatë turneut.

Lidhur me turneun aziatik të presidentit të SHBA-së u deklarua edhe Koreja e Veriut e cila e paralajmëroi presidentin amerikan të përmbahet prej "vërejtjeve të paarsyeshme".

Gazeta e Partisë punëtore veriokoreane në pushtet "Rodong sinmun" vlerësoi se Tramp është "jostabil në aspektin shpirtëror" dhe se vërejtjet e tij mund të çojnë drejt "katastrofës bërthamore në territorin e SHBA-së", me ç'rast "amerikanët dëshirojnë ta ndërrojnë nga pozita".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat