Nesër në Astana fillon raundi i shtatë i negociatave për Sirinë

Bota

Nesër në Astana fillon raundi i shtatë i negociatave për Sirinë

Më: 29 tetor 2017 Në ora: 12:58
Astana

Negociatat zhvillohen me nismë të Turqisë, Rusisë dhe Iranit, ndërsa në raundin e shtatë do të marrin pjesë delegacionet e 3 vendeve, si dhe delegacione të tjera

Në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, nesër do të fillojë raundi i shtatë i negociatave të paqes për Sirinë, ndërsa tema kryesore e programit dyditor është forcimi i armëpushimit që u dakordua nga fundi i vitit të kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Negociatat zhvillohen me nismë të Turqisë, Rusisë dhe Iranit, ndërsa në raundin e shtatë do të marrin pjesë delegacionet e 3 vendeve, si dhe delegacione të regjimit të Bashar al Asadit, grupit të kryengritësve të armatosur, si dhe delegacion i Kombeve të Bashkuara, SHBA-ve dhe Jordanisë.

Shefi i diplomacisë së Kazakistanit dhe nikoqir i negociatave, Kairat Abdurakhmanov, më parë tha se gjatë raundit të shtatë do të negociohet edhe për çështjen e lirimit të të burgosurve dhe hapjen e korridoreve humanitare.

Procesi i heqjes së mjeteve shpërthyese në zonat në të cilat janë ndërprerë përleshjet, është një nga temat që delegacionet nesër duhet të bisedojnë.

Në negociatat në Astana në fillim të muajit maj u dakordua krijimi i katër zonave jokonfliktuale në Siri. Në marrëveshjen e Rusisë dhe SHBA-ve, Deraj dhe Kuneytra janë shpallur zona të sigurta dhe për këto rajone zhvillohen negociata të ndara. Rusia në korrik dërgoi edhe forca policore për të kontrolluar implementimin e armëpushimit në këto rajone.

Paralelisht me këtë, Ministria ruse e Mbrojtjes në fillim të muajit korrik njoftoi se është shpallur armëpushim edhe në Gutën Lindore në Damask, por në fillim të muajit gusht u zbulua se këtë marrëveshje e ka nënshkruar vetëm një grup kryengritës. Forcat besnike ndaj regjimit të Asadit edhe më tej kryejnë sulme artilerike dhe ajrore në Gutën Lindore.

Gjatë raundit të fundit të negociatave në Astana u arrit marrëveshje për kufijtë e Idlibit brenda të cilëve do të jetë në fuqi armëpushimi. Në përputhje me marrëveshjen, forcat turke të sigurisë janë të angazhuara në terren.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat