NATO kërkon të bëhet presion mbi Korenë Veriore

Bota

NATO kërkon të bëhet presion mbi Korenë Veriore

Më: 6 shtator 2017 Në ora: 19:18
Ilustrim

NATO u ka bërë sot thirrje shteteve të botës që të shtojnë presionet mbi Korenë Veriore, pas provave të reja nukleare të këtij vendi.

Ambasadorët e NATO-s thanë pas takimit në Bruksel se “tash është e rëndësishme që të gjitha shtetet në mënyrë transparente të zbatojnë sanksionet ekzistuese, të cilat Kombet e Bashkuara ia kanë vendosur Koresë Veriore”.

Ata kanë kërkuar që të shtohet presioni mbi Korenë Veriore, në mënyrë që ky shtet të heqë dorë nga rruga e tanishme e kërcënimit dhe destabilizimit.

NATO po ashtu ka shprehur solidaritet të plotë me fqinjët e Koresë Veriore, Japoninë dhe Korenë Jugore.

Megjithatë, ambasadorët e NATO-s nuk kanë përmendur mundësinë e përdorimit të forcës.

Presidenti amerikan, Donald Trump, më herët ka deklaruar se nuk është koha që të bisedohet me Korenë Veriore dhe se të gjitha opsionet janë të hapura për mbrojtjen e SHBA-ve dhe aleatëve të saj.

Koreja Veriore njoftoi se më 3 shtator ka kryer me sukses testimin e bombës së hidrogjenit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat